Fatmira Breçani: I kam plotësuar ëndrrat

January 10, 2012   | Lajmet / Vijesti

Me një zë kumbues dhe energji në skenë Fatmira Breçani do të ngelet një ndër këngëtaret më të spikatura të zonës së veriut. Vokali dhe tekstet e këngës janë në harmoni me njëra-tjetrën. Është krenare për vendlindjen dhe ka shumë besim tek vetja dhe tek aftësitë e saj. Është besnike e këngës së mirëfilltë popullore shqiptare.
Familja është shumë e rëndësishme për të dhe gjen gjithmonë kohë për të qëndruar pranë saj. Në bisedë nuk harron asnjëherë t’i falënderojë dhe t’u urojë gjithë të mirat e kësaj bote.

Si ishte viti i kaluar për ju?

I ngarkuar, me shumë punë, koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, dasma në Kosovë dhe në qytete të ndryshme në vendin tonë.

Ku ishit natën e ndërrimit të viteve?

Çdo vit kam qenë në aktivitete në shtete të ndryshme, por këtë vit doja të festoja me familjen time. Duke qenë se prej katër vitesh çdo fundjavë këndoj live tek “Mrizi i Zanave” natën e ndërrimit të viteve e kalova aty, në praninë e dy dashurive të mia të mëdha, familjes dhe këngës.

Në shtëpinë tuaj erdhi babagjyshi i Vitit të Ri?

Po, erdhi. Erdhi nga oxhaku, por njihte edhe dëshirat tona. Na solli të gjithëve nga një parfum. Dhurata më e mirë për ne si familje, të gjithë e pëlqejmë dhe është ndër gjërat më të rëndësishme për ne.

Cila ishte dhurata më e mirë që more për Vitin e Ri?

E para që festova mes familjes dhe e dyta parfumi i zgjedhur nga fëmijët e mi.

Jeni shumë aktive në koncerte brenda dhe jashtë Shqipërisë, por në media jeni e distancuar. Përse kjo zgjedhje?

Në fakt nuk më pëlqen shumë të jem vazhdimisht në faqet e para të gazetave apo revistave. Kam vite që këndoj dhe jam e njohur për publikun. Kam shumë aktivitet dhe kohën e lirë dua që ta kaloj me fëmijët e mi.

Ç’do të thotë për ty të këndosh live?

Të këndosh live është gjëja më e bukur që mund të bëjë një këngëtar. Ka shumë emocione dhe duartrokitjet e publikut janë më të ngrohta. Më duket se kur këndoj live unë ua shpërblej ato duartrokitje. E ndiej më thellë respektin dhe admirimin e tyre. Të shkakton një ndjesi të këndshme të dish se gjithë ata njerëz kanë ardhur të të dëgjojnë vetëm ty. Gjithmonë kam tentuar të këndoj live dhe zëri më ka ndihmuar shumë.

Jeni e ftuar shumë edhe në dasma. Çfarë ndien kur këndon në dasma?

Në dasma është një emocion i veçantë. Jam përzgjedhur për të qenë në ditën më të rëndësishme të një çifti. Të gjithë të kushtojnë vëmendje. Momenti më i bukur është kur unë këndoj dhe çifti vallzon.

Çfarë këngësh këndon në dasma?

Këndoj këngë të krahinave të ndryshme. Natyrisht jo vetëm tropojane. Iu përgjigjem gjithmonë kërkesave të publikut dhe të dasmorëve.

Në diasporë merrni pjesë vazhdimisht në koncerte. Cilin koncert do të veçoje?

Do të veçoja një koncert në Zvicër i organizuar para shumë vitesh. Merrnin pjesë shumë grupe. Aty fituam vendin e parë unë si këngëtare dhe ansambli “Dardania” i Tropojës si valltarë. Është një moment i paharruar për mua, i cili do të ngelet gjatë në kujtesën time.

A janë të mërzitshme udhëtimet për ju?

Janë të mërzitshme ngaqë janë shumë. Udhëtoj vazhdimisht. Por unë jam shumë energjike, dhe jo gjithmonë më lodhin. Secili është i veçantë dhe gjithmonë kam se çfarë të kujtoj jo vetëm nga koncertet, por edhe nga udhëtimet.

Nga repertori juaj muzikor, cilën këngë do të veçonit?

Mua nëse nuk më pëlqen një këngë, nuk e bëj pjesë të repertorit tim. Të gjitha këngët e mia më pëlqejnë, por ka edhe disa që do t’i veçoja si: “E vogla e nanës”, “Lulkuqja e Gjakovës” dhe “Çikë e bukur nga Tropoja”.

Gjithmonë me kostume popullore shfaqeni në skenë. Përse?

Sepse kostumi është shumë i bukur, i kompletuar dhe i larmishëm. E pëlqejnë të gjithë, madje në dasma më kërkojnë shumë që të vesh kostumin popullor të zonës time.

Do të këndoni gjithmonë këngët e Tropojës?

Po. Do të vazhdoj të këndoj këngët tradicionale, por në dasma do të këndoj këngë të të gjitha trevave shqiptare.

Keni thënë se Shyrete Beluli është këngëtarja juaj e preferuar, vazhdon të jetë akoma?

Po, vazhdon të jetë akoma. Është një njeri shumë i mirë dhe e kam shumë shoqe. Më pëlqen kënga e saj, mënyra e të kënduarit, zëri… Është e mrekullueshme.

Çfarë ju ka befasuar, ju ka lënë pa fjalë?

Një ditë në Tiranë kur po shkoja për një vizitë në rrugë kam dhënë 80 autografe, për një orë. Mbeta e befasuar, por edhe e lumtur megjithëse u vonova për drekën ku isha e ftuar.

Sipas jush, çfarë duhet të ketë një këngëtare që të quhet e tillë?

Kryesorja është zëri. Pa zë nuk mund të jesh dhe as të bëhesh kurrë këngëtare, por duhet të kesh edhe kulturën e të kënduarit. Nëse një këngëtar nuk këndon live, atëherë ai nuk është këngëtar.

Si alternoni punën me familjen, a gjeni kohë për të dyja?

Gjithmonë gjej kohë për familjen. E organizoj në mënyrë të tillë që të jem gjithnjë e pranishme për fëmijët e mi.

Çfarë marrëdhënie keni me fëmijët?

Ata janë rritur tashmë. Kuptohemi shumë mirë me njëri-tjetrin. Më dëgjojnë dhe më mbështesin. Do të bëja gjithçka për ta.

Roli i bashkëshortit në karrierën tuaj? A ju ka mbështetur gjithmonë?

Ka qenë dhe është mbështetja ime më e madhe. Në çdo aktivitet më shoqëron, ndihem mirë në praninë e tij.

 

Cili është njeriu më i rëndësishëm në jetën tuaj?

Fëmijët e mi.

Kur ke nevojë për mbështetje, kujt i drejtohesh?

Bashkëshortit. Ai është gjithmonë pranë meje dhe më përkrah në çdo gjë që bëj.

Gjatë jetës tuaj çfarë ju ka ngelur peng?

Nuk kam ndonjë peng. Çdo gjë që kam dashur e kam arritur. Kam dashur të bëhem këngëtare, jam bërë, kam dashur të realizoj një recital dhe e kam realizuar…

A ke një ëndërr?

Ëndrra ime e vetme dhe më e madhja ka qenë muzika dhe e kam realizuar. Dikur kam pasur shumë ëndrra, ndërsa tani pashë në sirtar dhe nuk kishte asgjë, ishte bosh! (qesh) Ndoshta do të kem në të ardhmen.

Cilat janë planet tuaja për këtë vit?

Do të realizoj dy këngë, një e përpunuar dhe një këngë të re. Sigurisht koncerte brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa muajt e verës, korrik dhe gusht, që tani i kam të zënë me dasma në Kosovë dhe Shqipëri.

Po ndonjë bashkëpunim do të realizoni?

Do të realizoj një bashkëpunim me Sinan Vllasaliun, i cili për mua është këngëtari më i mirë mashkull.

Cila është ajo gjë që të bezdis pa masë?

Kur dikush më prek makiazhet dhe parfumin.

Nëse do ta kthenit kohën pas çfarë do të ndryshonit në jetën tuaj?

Do t’i kushoja më shumë kohë vetes. Gjithmonë jam kujdesur për gjithçka dhe e kam lënë pas dore veten.

Cila është motoja juaj?

Dua të shoh dhe të dëgjoj mirë për të gjithë.

Çfarë mesazhi do t’u jepni dashamirësve?

Kam shumë dashamirës. Familjes sime, vëllezërve, motrave dhe fansave të mi u uroj gjithë të mirat e kësaj bote.

Albina Hoxha Gazeta Shekulli

YouTube Preview Image