Në themelet e qytetërimit ilir – Mbi të kaluarën e Ulqinit (1) – Video

January 20, 2012   | Kulturë / Kultura

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku
Treva e Ulqinit dëshmohet si vendbanim që nga periudha parahistorike. Në të ndeshen gjurmët e jetës dhe të vendbanimeve ilire që nga epoka e bronzit, siç janë dyshemetë e dheut, tumullat dhe sëpatat e ashtuquajtura të tipit shkodran-dalmatin.

Të dhënat arkeologjike dhe historiografike mbi Ulqinin po ashtu flasin qartë se historia më e lashtë e këtij qyteti mijëravjeçar zë rrënjë në truallin dhe qytetërimin ilir, dhe si i tillë ky është njëri ndër qytetet më të vjetra dhe më interesant të Adriatikut që zhvillimin më të lartë e arriti në kohën e lulëzimit të Mbretërisë së Ilirëve.

Në rrugëtimin e jetës urbane mbi dymijëvjeçare, janë ndërruar stinë e mote të panumërta, të shoqëruara me bukuri joshëse të “kohëve të arta legjendare”, por edhe me furtuna dhe rrebeshe të kohë pas kohshme që kanë kanosur ekzistencën dhe jetën e këtij qyteti.

Jeta e qyteteve është sikur ajo e njeriut: ata lindin, përkatësisht rilindin pareshtur mbi themelet pararendëse, jetojnë dhe vdesin. Por Ulqini ka diçka të veçantë, sepse në damarët e tij rrodhi një “perpetuum mobile” e jetës, që e ndihmoi t’i përballonte sulmet, shkatërrimet e djegiet, duke u ngritur e rritur gjithnjë mbi themelet më të forta të “mureve ilire”, të quajtura edhe “pellazge” apo “qiklopike”. Në rrjedhën e kohës, nëpër këtë truall janë përshkuar kultura të ndryshme dhe kanë parakaluar pushtues të ndryshëm të cilët kanë lënë gjurmët e tyre të dukshme në fushën e arkeologjisë, historiografisë, arkitekturës, artit figurativ e onomastikës.

Gjurmët e Ulqinit antik
Në traditën gojore të banorëve të kësaj ane qarkullon shpesh gojëdhëna për të ashtuquajturin Ulqini i Vjetër me lokalizim tek Ada e Krruçit, e cila gjendet mes Tivarit e Ulqinit. Ç’është e vërteta, kërkimet arkeologjike të gjertanishme dëshmojnë se në këtë lokalitet ka edhe ndonjë gjurmë jete nga antika dhe mesjeta, por jo të asaj natyre e lashtësie siç ndeshen në lokalitetin e Kalasë së Ulqinit. I ashtuquajturi Ulqini i Vjetër për herë të parë përmendet në një dokument të shkruar në vitin 1376, për çka do tëbëhet fjalë në vazhdim.

Kur shtrohet çështja e identifikimit të Ulqinit antik si lokalitet me një zhvillim të vazhdueshëm të jetës urbane deri në ditët e sotme, duhet pasur parasysh pozitën gjeografike-strategjike për jetë e ekzistencë buzë detit, si dhe për mbrojtje nga deti e toka, që duhet të kenë qenë kushte kryesore për ngritjen e themeleve të para të një qyteti të tillë. Për më tepër, edhe rrethina, si faktor ekonomik, duhet të jetë e volitshme për sigurimin e jetës së vazhdueshme të qytetit.

Prej gjurmëve mitike drejt atyre historike
Një sundimtari të vjetër, prijësi të ndonjë fisi, mbase ndonjë stërnipi të “fisit të feakëve ilirë”, të cilët u përjetësuan në vargjet e Odisesë së Homerit, i lindi ideja dhe dëshira, që në platonë më të lartë të gadishullit t’i urdhëronte“muratorët gjigantë” të ngulnin themelet e para të kështjellës. Prej shkëmbinjve të gadishullit u shkepen dhe u përpunuan blloqet e mëdhenj të gurit vendës ngjyrë mushkëllyer të verdhë dhe lindi bërthama e kështjellës dhe e qytetit të ardhshëm, në pozitën e kushteve natyrore të sigurisë dhe strategjisë që i ofronte kepi ilartë.

Koha kalonte dhe qyteti kishte nevojë për mbrojtësin e tij apo të fisit, pra për një stemë. Kështu do të skalitet një reliev, emblemë kushtuar perëndisë vendore të detit. U gdhend, më heret a më vonë, në një bllok guri vendës, nga pjesa e shkëmbit ngjyrë mushkëllyer në të verdhë të mbyllur, siç ishin edhe blloqet e mëdha të theme leve të para.

Në këtë bllok guri, që është ruajtur në ballinën e bedenit mesjetar që dominon mbi gjirin dhe Molin e Ulqinit, dallohet relievi me figurën e skalitur në mënyrë mjaft primitive me kontura arkaike; sipas të gjitha gjasave, paraqet perëndinë lokale të detit, apo zotin ilir të detit si mbrojtës të këtij qyteti antik bregdetar, duke shërbyer edhe si vepër kulti, përpara të cilës bëheshin ritualet dhe lutjet pagane për mot të mirë e det të qetë, peshk me bollëk dhe mbrojtje nga armiku i cili i kanosej qytetit nga deti.

Në ndërkohë, lidhur me këtë reliev, na ka rënë në dorë një skicë, më shumë si grafikë e përafërt sesa stampim i figurës enigmatike të këtij relievi, ku figurojnë edhe monogramet .IS. dhe .L.X nën dy këmbët e figurës, me një tekst përcjellës të shtypur me makinë shkrimi. Sipas këtij shkrimi, e quajtura “Stema e Ulqinit”, duhet të datojë nga viti 1460, siç thuhet, “ndoshta me rastin e meremetimit të Kështjellit nga termeku i vjetit 1444”.

Sido që të jetë, pozita e këtij bllokusteme, në vendin ku gjendet sot, përkon me atë që thuhet në atë tekst, pra “e skalitur në faqen e jashtme të bedenit të Kalasë, me pamje kah deti(sqela)”.

Autori i kësaj skice, përkatësisht i këtij teksti, si duket, lë të kuptohet se ky bllok gjendet in situ që ka rëndësi për ta vënë në krahasim me altare apo relieve të ngjashme që u kushtoheshin perëndive si Medaurit – hyjnisë mbrojtëse të qytetit antik Rizon (Risani i sotëm), sikurse altaret e dedikuar Bindit te Bihaqi apo në qytete tjera antike të kësaj hapësire, monumente këto që zakonisht gjendeshin në hyrje apo afër qyteteve, nën qiellin e hapur. Pa marrë parasysh se kur është skalitur kjo “stemë” apo figurë, del se është mjaft primitive, dhe pa dyshim simbolizon mbrojtësin e qytetit, pra një perëndi lokale të detit, përkatësisht Bindin ilir siç kemi cekur më heret.

Dëshmi se kemi të bëjmë me një lokalitet, kulturë shumë të lashtë, janë edhe disa gjetje arkeologjike nga hapësira e Kalasë së sotme, siç është një fragment në qeramikë-plastikë,i identifikuar nga shkenca Nëna e Madhe, e periudhës protoilire, përkatësisht e kohës së bronzit. Kësaj do t’i shtonim edhe gemën antike, po ashtu të gjetur ne Kala, e cila vlerësohet të datojë nga shekujt VI-V p.e.r.

Koha Javore

FOTOGALERIA E MUZEUT TË ULQINIT
http://a14.video2.blip.tv/10010007691031/Cetinjanin-RTCGIliriUUlcinjuIOkolini205.flv