Ledina Celo: Mora ndihmëse, të më mësonte si të rrisja djalin

January 24, 2012   | Lajmet / Vijesti

Në muzikën shqiptare vitet e fundit ka vend për të gjithë. Të rinj e të vjetër. Modernë e demode. Të gjithë synojnë suksesin. Disa ia dalin, të tjerë qëndrojnë në vend. E në këtë skenë gjigande për këtë vend të vogël, në të cilën hyjnë e dalin shumë këngëtarë ka gjithmonë nevojë për yje si ajo. Suksesi e ndjek gjithmonë, si në Shqipëri, ashtu edhe jashtë vendit.

Këngët e saj klasifikohen në toplistat gjermane, kanë supershitje në internet dhe numërojnë mijëra shikime në Youtube. Kur bie fjala për të, të gjithë njëzëri themi se ajo është një ikonë e padiskutueshme e skenës. Ledina Çelo, biondja me zërin bombë dhe dukjen gjithmonë të kuruar, ka pasur një vit plot surpriza. 2011 e bëri nënë.

Do të jenë pikërisht përjetimet e këtij statusi të ri që i dha 2011, ato që do të vijnë të rrëfyera nga vetë Ledina sot për faqet e së shtunës. Veç ditëve me Erlisin dhe momenteve të mrekullueshme që kalon me të, këngëtarja pa moshë, që gjithmonë relfekton rini në daljet e saj, na ka treguar edhe për projektet e reja artistike, jetën bashkëshortore dhe marrëdhëniet me kolegët…
Ledina ju kemi parë në Tiranë ditët e fundit të vitit, ku ishit dhe e ftuar speciale në Festivalin e 50-të të këngës në RTSH. Megjithatë ndonëse e ftuar në një festival, ende s’kemi një krijim të ri prej jush. Kur do t’i ktheheni muzikës?
Së shpejti do të bëhet promovimi i tri këngëve të mia të reja në anglisht dhe njëra prej tyre do të konkurrojë sërish në charts këtu në Gjermani ku unë jetoj. Gjithashtu jam duke përfunduar një këngë të re në shqip enkas për publikun dhe fansat e mi në Shqipëri.
Si ju duket festivali sot?
Festivali këtë vit më pëlqeu përsa i përket anës vokale të disa këngëtarëve të rinj, disa prej të cilëve ndoshta debutuan edhe për herë të parë mbi atë skenë. Ndërsa përsa i takon krijimtarisë do të thoja se ishte pak i vakët. Gjithesesi për mua Festivali në RTSH mbetet i shenjtë për faktin se ky festival ishte ai që orientoi rrugën time drejt karrierës sime.
Ndërkaq flasim sërish për hapin tuaj të rradhës. Keni lënë pas një emër të madh për shijet e publikut, por heshtja dyvjeçare pret tjetër ‘goditje’…Si do të jetë rikthimi?
Do doja të ishte më mirë një surprizë, por jam shumë e sigurt që fansat e mi nuk do t’i zhgënjej…
Me cilën nga këngëtaret shqiptare ruani kontaktet më shumë dhe për çfarë flisni?
Me Manjola Nallbanin kam miqësi prej shumë vitesh. Përveçse është një artiste e vërtetë, është dhe mikja ime më e mirë. Po ashtu dhe me Aurelën e Enedën kam një marrëdhënie shumë të mirë, i kam shumë xhan pasi nuk janë vetëm artiste të mrekullueshme, por dhe vajza të shkëlqyera gjithashtu. Bisedat tona janë të ndryshme, profesionale, private, të çdo karakteri…
Keni frikë nga këngëtaret e reja, ato cilësoret që kanë ‘zaptuar’ tregun me hite, look modern dhe talent?
Unë artin tim s’e kam parë asnjëherë si një garë…Secili artist ka vlerat e veta dhe mendoj që ka vend për të gjithë.
Cilën nga këngët shqiptare të 2 viteve të fundit do veçonit si më të mirën?
S’di të veçoj, por mund të them që ka këngëtare me zë shumë të bukur, me një vokal impresionues, të tilla si: Anjeza Shahini, Kejsi Tola, apo Rona Nishliu që së fundmi u shpall fituese e Festivalit të 50-të.
A ju mundëson muzika jashtë vendit aktualisht të ardhura financiare?
Kënga “Dangerous” pati shitje në disa vende të europës, por rekordin e theu në Japoni për blerjet nëpërmjet internetit. Kjo bëri që të pasojnë dhe këngët e tjera si “Can u touch me baby”, e cila sipas testimeve do të jetë suksesi i radhës.
Ledina krahas karrierës, jeta juaj personale ka përbërë gjithmonë kuriozitet. Këtë vit jeni bërë nënë për herë të parë. Na tregoni pak për ndjesitë e përjetuara dhe ditën tuaj të re. Si është ajo?
Të qenit nënë është një ndjesi e papërshkrueshme. Qëkur erdhi Erlisi në jetë dita shkon pa e kuptuar. Përkushtimi ndaj tij arrin maksimumin. Ardhja e tij më bëri mjaft të lumtur, ai i dha jetë e gëzim gjithë shtëpisë… Shpenzoj shumë kohë me të, e shijoj pa fund çdo orë që qëndroj bashkë me të…Dua t’i jap sa më shumë dashuri atij, qe dhe ai ta përçojë më pas, ashtu sikurse dhe prindërit e mi më kanë dhënë dashuri pa kufij. Ai është një fëmijë shumë i mbarë, qesh shumë…(me ngjan mua në këtë drejtim thotë ajo duke qeshur) Gjatë kohës që ai fle merrem dhe me veten time sigurisht, ndonjë punë të zakonshme të shtëpisë, shëtitje çdo mbasdite në ajër të pastër, trajnoj zërin tim me vokaliza. Shpesh dalim të dy për shopping (buzëqesh), isha dhe në Tiranë për Krishtlindje me të…Kam filluar dhe pak palestër kur jam e shplodhur dhe kam pak kohë…
Kush ia zgjodhi emrin djalit? Ka ndonjë domethënie?
Ishte dëshira e bashkëshortit tim për t’i vënë këtë emër. Është një emër shqiptar, përzgjedhja e të cilit erdhi shumë rastësisht…
A ka filluar Erlisi t’i hedhë hapat e parë, ose të bëlbëzojë?
Ai është në muajin e nëntë tani dhe ka filluar të ngrihet në këmbë, kuptohet duke u mbajtur diku. Para disa ditësh ecte këmba dorazi. Gjithashtu kur më dëgjon mua të këndoj, fillon dhe ai të nxjerrë tinguj…Që tani e ndjej që ndoshta mund të bëhet një muzikant i ardhshëm (qesh).
Është qaraman apo fëmijë i qetë, më tregoni gjithçka për eksperiencën tuaj si mama ‘full time’. Dhëmbi i parë, festimet për çdo muaj në ditën e tij të lindjes, festa e parë e vitit të ri, fotot që shumta që i bëni…Ndonjë moment të veçantë.
Është një fëmijë që pak herë e kam dëgjuar të qaje. Siç e thashë edhe më lart është bebush i qeshur…Ka lodra të ndryshme, por nuk i do. I pëlqen të lëvizë nëpër shtëpi e të prekë mjetet elektronike që ka përreth, telefonin përshembull e ka shumë qejf që tani (qesh)…I pëlqen të grisë faqet e librave apo revistave dhe ajo që ai dashuron më së shumti është uji. Është shumë i gëzuar kur bën banjo. Po ashtu është gjithmonë i gatshëm të pozojë përpara aparatit fotografik…
Si ia bënit në fillim, ju mësoi dikush si të silleshit, apo lexuat libra?
Nëpërmjet librave të shumtë, informacioneve të shumta që më dha mjeku im, po ashtu edhe përmes një ndihmëseje, e cila 2 muajt e parë vinte çdo ditë e më tregonte ato më të rëndësishmet…
Është Ledina një zonjë shtëpie? Merreni me punë, ose gatim?
Në fakt në këtë pyetje duhej të përgjigjej bashkëshorti im. Mendoj se ia kam marrë dorën gatimit…Nuk është se gatuaj çdo ditë, pasi ndodh që Naimi është në lëvizje, ndaj na duhet që shpeshherë të drekojmë jashtë. Gjithsesi shtëpia ka lezetin e vet për të shijuar ushqimin që gatuaj, si rizoton me perime apo fruta deti që e qaj (qesh), ashtu edhe ndonjë tavë peshku në furrë, apo të tjera gatime.
Cili është ushqimi i preferuar i Erlisit në këtë periudhë, po i bashkëshortit tuaj?
Erlisi pëlqen supat me zarzavate dhe qumështin që e do me ngulm sapo zgjohet në mëngjes. Naimi ndryshe nga unë që pëlqej peshkun, ka më përzemër mishin.
Si ia bëni që jeni kaq në formë?
Tani që u bëra dhe mami, mendoj se fizikun e kam më tepër trashëgimi genetike. Gjithsesi jam shumë e kujdesshme në të ushqyer. Kam vite që i kam eliminuar brumërat po ashtu dhe ëmbëlsirat. Preferoj shumë produktet bio dhe sporti ka qenë kulturë në familjen time.
Bashkëshorti juaj ndihet i frikësuar nga obsesioni i publikut dhe gazetarëve ndaj jetës suaj?
Aspak, për faktin se dhe ai i ka përjetuar pyetjet e gazetarëve në periudhën kur ka mbrojtur titullin e tij si kampion bote në kick boks…Ne jemi një e tërë që plotësojme njëri-tjetrin, e për të është diçka e zakonshme.
Si është Naimi si baba dhe si bashkëshort?
Naimi megjithësë është i impenjuar me punën e tij të përditshme, gjen kohë për të luajtur me Erlisin, duke më ndihmuar mua jo pak në jetën e përditshme. Veç kësaj ai është një shtysë për mua edhe për planet e mia muzikore.

Eraldo Rexho
Bluetooth
YouTube Preview Image