Vesa Luma: Tani jetoj në Shqipëri, por zemra është në Kosovë

January 24, 2012   | Lajmet / Vijesti

Angazhimet e saj muzikore, obligimet ndaj shout ‘X Factor’, ku ajo tashmë është edhe anëtare e jurisë, e kanë shtyrë këngëtaren që të zhvendoset nga Kosova për të jetuar në Shqipëri.

Ndonëse ajo gjatë qëndrimit të saj atje është duke përgatitur këngë dhe videoklipe të reja. Ndërsa sa i përket jetës private, ajo vazhdon të jetë beqare duke i kaluar ditët më të mirë të rinisë së saj. Më shumë rreth punës dhe çdo gjë tjetër flet ajo për “Zërin”.

Tani keni vendosur të jetoni në Shqipëri, si ndjeheni atje?

Arsyeja përse kam vendosur të jetoj këtu në Shqipëri është puna dhe angazhimi im i madh në shoun televiziv ‘X Factor’. Rruga e shpeshtë Prishtinë- Tiranë është shumë e mundimshme, andaj më të arsyeshme e kam parë që për disa muaj të jetoj këtu.

Ndërsa këtu sa herë që vij ndjehem shumë mirë, tashmë kam ndjenjën sikur të jem në shtëpinë time, apo edhe në vendin tim sepse është këtu kam shumë miq dhe adhurues të cilët më përkrahin shumë.

Ke menduar ndonjëherë se mund të bëhesh pjesë e jurisë së shout ‘X Factor’?

Në realitet unë kam marrë pjesë për disa muaj me radhë në këtë shou, ndërsa në momentin kur kuptova se do të jam pjesë e jurisë jam ndierë shumë mirë, u gëzova pa masë.

Jam shumë e nderuar të jem tashmë zyrtarisht anëtare e jurisë të patentës shumë të njohur botërore ‘X Factor’, që në Shqipëri transmetohet në TV Klan nga ky muaj deri në muajin maj të këtij viti. Pra kjo është një privilegj i madh për mua dhe një përvojë shumë e mirë.

A do të mund të bëheshit banore e përhershme e Shqipërisë?

Nuk kam menduar për këtë, edhe pse ka një muaj që unë tani jetoj këtu. Por nuk kam ardhur për të jetuar gjithnjë në Shqipëri, sepse vendi im është në Kosovë. Por Tirana më pëlqen dhe nuk do të ishte problem edhe nëse do jetoja këtu.

Çfarë ka të reja në jetën sentimentale?

Tani për tani nuk ka asgjë të reja, jam e përkushtuar tërësisht në punën e shout ‘X Factor’ dhe në projektet e mia muzikore.

Tani së shpejti do të lansoni edhe një videoklip, na flisni diçka për të?

Xhirimet e videoklipit të ri i kam filluar dhe jam e bindur që adhuruesit e mi do të befasohen me këtë projekt timin. Jam munduar të sjellë risi në skenën muzikore, andaj edhe jemi duke punuar intensivisht në këtë videospot. Shumë shpejt kënga dhe klipi do të lansohen në tregun muzikor.

 

Në cilin vend të duartroket më shumë publiku?

Të them të drejtën nuk mund të cek asnjë vend, sepse kudo që shkoj kam fansat e mi dhe kështu që gjithnjë më duartrokasin.

Mirëpo asnjëherë nuk kam mundur të dalloj vendet se ku kam më shumë dhe ku më pak adhurues. Sa herë që jam brenda apo edhe jashtë vendit sallat mbushen plotë me adhuruesit e mi, andaj për këtë i falënderoj shumë dhe iu bëj të ditur se Vesa nuk do të ndalet kurrë.

Çfarë pret nga viti 2012?

Pres shumë punë dhe shumë suksese, uroj të kem një vit të mbarë bashkë me adhuruesit e mi kudo që janë.

Vipat.info
YouTube Preview Image