“Art Club” benë përmbledhjen e veprimtarisë krijuese të Shaban Osmanajt

February 15, 2012   | Kulturë / Kultura

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” ka botuar kohë më parë librin e Shaban Osmanajt, në të cilin përfshihet e gjithë krijimtaria e tij poetike dhe dramatike, si dhe ajo në fushën e mbledhjes së folklorit.

Në pjesën e parë të librit, të titulluar “Këngë popullore nga Ulqini dhe Ana e Malit”, janë përfshirë 215 këngë nga këto treva, të ndara sipas motiveve. Shaban Osmanaj ka qenë një mbledhës pasionant dhe i kujdesshëm i folklorit. Grumbullimin e tij ai e ka filluar që në kohën kur ishte nxënës i shkollës së mesme e deri në ditët e fundit të jetës së tij. Kjo punë e tij përbën një kontribut të çmuar për ruajtjen e këtij thesari popullor të krijuar ndër vite.

Pjesa e dytë e librit “Një yll pranë detit” përfshin krijimtarinë poetike të autorit. Në poezitë e tij autori tregon mallin e tij për vendlindjen dhe bukuritë e saj, pastaj i këndon “Ulqinakes”, “Arbëreshëve të Zarës”, “Skënderbeut”, Naim Frashërit etj.

Drama “Ti Tahir a po vjen me gju”, e cila përbën pjesën e tretë të librit, është e bazuar në një këngë me motiv popullor. Për dallim nga dy pjesët e para të librit, të cilat janë ribotime, kjo dramë në pesë akte botohet për të parën herë. Përveç vlerave të saj letrare, ajo ka rëndësi edhe për faktin se sipas botuesit, është e para dramë e shkruar në letërsinë shqipe që krijohet te shqiptarët në Mal të Zi.

Në pasthënien e librit thuhet se “kompleti i veprave të Shaban Osmanajt, botuar brenda këtij libri ka vlerën e tij sepse botohen tërë dorëshkrimet e këtij autori në një vend”.

Megjithëse Osmanaj njihet në radhë të parë si mbledhës i folklorit, krijimtaria e tij e gjithanshme tregon se autori ka qenë një krijues i interesuar në shumë fusha të krijimtarisë letrare.

Biografia
Shaban Osmanaj u lind në vitin 1945 në fshatin Bore të Anës së Malit. Shkollën fillore e kreu në Sukubinë dhe në Katërkollë, kurse normalen në Mitrovicë. Ka studiuar gjuhën dhe letërsinë shqipe në Fakultetin Filologjik në Beograd. Pas diplomimit në vitin 1973, ka punuar për një kohë të shkurtër në Beograd, kurse më pas si mësimdhënës I gjuhës shqipe në Shtodër e Katërkollë dhe në Ulqin. Vdiq papritmas në janar të vitit 1988.

Ai njihet si mbledhës i folklorit, rezultat i së cilës është libri “Këngë popullore nga Ulqini dhe Ana e Malit”, i botuar nga Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore të Kosovës në vitin 1989. Përmbledhja  e poezi “Një yll pranë detit” është botuar nga “Art Club” në vitin 1994. Drama “Ti Tahir a po vjen me gju” botohet për të parën herë po nga “Art Club” në vitin 2011.

Koha Javore