Polemika dhe reagime „Menaxhimi transparent i bregdetit“
Ulqin – Shumica e pjesëmarrësve të tryezës së rrumbullakët me temë „Menaxhimi transparent i bregdetit“, kanë kritikuar punën e Ndërmarrjes Publike „Të Mirat detare“ për jotransparencë dhe qasje të pabarabartë në administrimin e territorit të komunave bregdetare në Mal të Zi. Tryeza e organizuar të mërkurën e kaluar në Ulqin nga Organizata joqeveritare vendore „MogUl“ është karakterizuar nga debate të ashpra ndërmjet përfaqësuesve politikë, përfaqësuesve të pushtetit lokal të Ulqinit dhe atyre të sektorit civil, nga njëra anë, dhe përfaqësuesve të NP „Të Mirat detare“ nga ana tjetër. Disa pjesëmarrës të tryezës kanë vlerësuar madje se me Ligjin për të mirat detare dhe mënyrën e menaxhimit të bregdetit nga NP „Të Mirat detare“, Ulqini është i diskriminuar. Polemikat dhe debatet kanë vazhduar edhe pas tryezës së rrumbullakët. Në një reagim pas tryezës, NP „Të Mirat detare“ thekson se ky institucion nuk është vendi i duhur për adresimin e pohimeve se ulqinakët janë të diskriminuar. „As që jemi institucion diskriminues në nivel nacional, siç është thënë në takim, e sidomos nuk jemi adresë për pretendimet e individëve që të disponojnë me territorin shtetëror“, thuhet në reagim. Por sipas OJQ „MogUl“, ky konstatim i NP „Të mirat detare“ nuk qëndron për disa arsye. „NP ‘Të mirat detare’ në Ulqin përfshin 13 për qind të territorit të përgjithshëm të komunës, ndërsa në komunat e tjera bregdetare kjo përqindje është shumë më e vogël. Në NP ‘Të mirat detare’ janë të punësuar vetëm dy vetë nga Ulqini, por asnjëri nga ata nuk është i punësuar në stafin udhëheqës apo në selinë e organizatës në Budvë. Kufiri i NP ‘Të mirat detare’ vetëm në Ulqin depërton gati deri në dy kilometra thellësi, edhe pse ky përbën një precedent të llojit të vet që është në kundërshtim me Ligjin“, thuhet në deklaratën për shtyp të MogUl-it. Sipas NP „Të mirat detare“, disa pjesëmarrës të tryezës e kanë shfrytëzuar atë për promovimin e vet politik dhe destruksion të dispozitave ligjore pozitive të Malit të Zi. „E kuptojmë hidhërimin e atyre që nuk kanë arritur të rrëmbejnë pjesë të pronës shtetërore dhe në to të ndërtojnë objekte ndërtimi dhe objekte për qëllime të tjera, siç ka ndodhur në zonën e Plazhit të Madh, e cila nuk ndodhet në zonën e të mirave detare“, thekson reagimi. Madje nga kjo ndërmarrje pretendojnë se ekziston një dallim i dukshëm sa i përket mënyrës së menaxhimit të territorit në komunën e Ulqinit ndërmjet zonës brenda dhe asaj që është jashtë administrimit të NP „Të mirat detare“. Edhe këto pretendime të NP “Të mirat detare” janë hedhur poshtë nga MogUl, që e ka cilësuar si të gabuar dhe të pasaktë tezën se kjo ndërmarrje është mbrojtëse e pronës shtetërore dhe se çdo mjedis tjetër që nuk ka qenë në kompetencë të saj është devalvuar. “Lumi Buna ku ka ndodhur ekspansioni i ndërtimit informal në dhjetë vitet e fundit është treguesi më i mirë që flet në favor të kundërshtimit të kësaj teze. Nëse kësaj i shtojmë edhe Port Milenën si bombë ekologjike, devastimin e ullishtës në Valdanos, atëherë çdo gjë është e qartë si qelqi”, thekson deklarata për shtyp e MogUl. Nga kjo organizatë joqeveritare kanë rikujtuar po ashtu se shteti duhet të kujdeset për tërë territorin e vet, përfshirë edhe atë që qeveriset nga komuna.
(Kohapress)
[flv width=”508″ height=”360″]http://www.velikaplaza.info/gallery/video/stream.php?f=Velika_Plaza_movie_Jan_2009.flv[/flv]





