Gjurmët e kulturës dhe urbanizmit venedikas – Mbi të kaluarën e Ulqinit (7)

March 9, 2012   | Kulturë / Kultura

Prof.Dr. Ruzhdi Ushaku

“Ka gjasa që Johani Bolani, i identifikueshëm me mbishkrimin nga murana e Kalasë, të ketë qenë guvernator i Ulqinit, kapedan, restaurues dhe emrin e vet ta ketë përjetësuar me shkronjat prej tjegullave në muranën e pallatit të dikurshëm, si gjurmë e pranisë së tij në Ulqin.”
Gjatë kësaj periudhe, në Kalanë e Ulqinit futen elemente të kulturës e të urbanizmit venedikas të cilat pasqyrohen në rindërtimet e ndërtimet e bedeneve, portave, kullave, pallateve, kishave e shesheve. Si gjurmë nga ajo kohë ka mbetur, ndër të tjera, edhe një mur i lartë mbi sheshin te hyrja veriore e Kalasë, në Platonë më të lartë të quajtur shpesh Citadela, ku dallohet një lloj mbishkrimi i sajuar prej tjegullave të kuqe të murosura dhe mund të lexohet IOHANI BOLANI (Johani Bolani). Ka mendime se Johani Bolani ishte një venedikas, guvernator i Ulqinit. Dihet përgjithësisht se Bolanët ishin bujarë venedikas, kurse për Johani Bolanin nga viti 1455 thuhet se ishte proveditor i Shkodrës, personalitet i njohur i asaj kohe. Ka gjasa që Johani Bolani, i identifikueshëm me mbishkrimin nga murana e Kalasë, të ketë qenë pra guvernator i Ulqinit, kapedan, restaurues dhe emrin e vet ta ketë përjetësuar me shkronjat prej tjegullave në muranën e pallatit të dikurshëm, si gjurmë e pranisë së tij në Ulqin.

Pranë kësaj murane ngre krye një kishë e quajtur Kisha e Shën Mërisë, për të cilën mendohej se ishte ndërtuar më 1510. Mirëpo, në pragun e kësaj kishe është i gdhendur një mbishkrim në gjuhën latine dhe data MDLXVIIII (1569), që sipas tekstit latin nënkuptohet si një rindërtim që u ngrit me mund dhe u rregullua në këtë gjendje në kohën e një proveditori të quajtur Alvis Delfini. Sipas shkurtesave COS dhe C mund të kuptohet se ai ishte konsull, kapedan apo kont i Ulqinit (Consul, Capetaneus, Comes, Curator etj.), siç e kanë cekur edhe disa studiues të mëparshëm të këtij mbishkrimi. Ne këtu do të shtonim edhe faktin se emri vetjak Alvise, ishte i shpeshtë  te venedikasit, kurse emri familjar Delfini, i përdorur në ndërtimin sintaksor AL(VI)SO DELFINO, në të quajturin ablativ absolut, përkthehet NË KOHËN, ose GJATË SUNDIMIT TË ALVIS DELFINIT. Pra, kemi të bëjmë me emrin e njohur të familjes bujare venedikase DELFINI të cilin e ndeshim edhe në fund të shekullit XVII te personalitete të njohura që qarkullonin në këtë hapësirë siç ishte gjeneral Delfini (Generale Delfino).

Kjo kishë, siç dihet, u shndërrua në xhami nga Haxhi Halil Skurra në vitin 1693, kur u punua edhe minarja e bukur prej gurit të gdhendur. Funksioni fetar në këtë xhami u zhvillua deri në vitin 1878, kurse minarja u shemb nga dora e njeriut në vitin 1937. Imam I fundit i saj ishte Musa Bushati (prej 1897 deri në vitin 1937). Në qytet janë gjetur edhe gjurmë a mbishkrime që dëshmojnë edhe për komisarë e kapedanë të tjerë që i dërgonte Republika e Venedikut për të qeverisur në këtë qytet. Njëri prej tyre ishte Andrea Marceli, guvernator i qytetit Dulcini-it, që përmendet në lidhje me disa obligime doganore, siç shënohet në një dorëshkrim në pergamenë të 8 gushtit 1513 (MS 381) e që ruhet nën numrin 104 të Bibliotekës Beinecke. Gjatë kësaj periudhe, e më konkretisht aty kah fundi i shekullit XV, si profesor i çmuar i shkollave, ndonëse për një kohë të shkurtër, në këtë qytet shërbeu e aty edhe u martua me një vajzë shqiptare humanisti, letrari, pedagogu dhe oratori i njohur shqiptar Marin Beçikemi (Marino Becichemo), i lindur në Shkodër, prej nga u largua që në moshën dhjetëvjeçare më 1479, kur ajo ra nën sundimin osman. U rrit dhe u shkollua në Bresha, shërbeu rektor shkolle në Raguzë, kreu misione diplomatike për Venedikun, dhe prej vitit 1517 u thirr profesor i retorikës në Universitetin e Padovës. U mor me komentimin dhe analizën e veprave të Ciceronit, Tit Livit, Virgjilit. Në vitet e fundit të jetës së tij, si peshkop i Ulqinit, shërbeu dhe aty vdiq më 1485 kanoniku i kishës katolike të Novo Bërdos, Martin Segoni, i cili kishte studiuar dhe doktoruar në Padova drejtësinë civile dhe kanonike (kanunike R.U).

“Kalorësi gjerman Arnold fon Harfi, gjatë një udhëtimi në vitin 1496 kaloi nëpër disa vise shqiptare, ndër të cilat përmend edhe Ulqinin, ku arriti prej Raguze (Dubrovniku), siç thuhet, prej këtij stacioni të fundit prej nga për disa ditë do të jetojë me shqiptarët. Qe se ç’shkruan Harfi për Ulqinin e asaj kohe: “Prej Raguzës deri në Ulqin ka njëqind mila detare. Është kjo një qytezë ku unë për herë të parë dëgjova gjuhën shqipe. Posa zbritëm në lima e hetova tingëllimën e kësaj gjuhe, që ndryshonte prej sllavishtes”.

Kalorësi gjerman Arnold fon Harfi (Arnold von Harff), gjatë një udhëtimi në vitin 1496 kaloi nëpër disa vise shqiptare, ndër të cilat përmend edhe Ulqinin, ku arriti prej Raguze (Dubrovniku), siç thuhet, prej këtij stacioni të fundit prej nga për disa ditë do të jetojë me shqiptarët. Qe se ç’shkruan Harfi për Ulqinin e asaj kohe: “Prej Raguzës deri në Ulqin (të cilin ai e shënon si Dulcina R.U.) ka njëqind mila detare. Është kjo një qytezë ku unë për herë të parë dëgjova gjuhën shqipe. Posa zbritëm në lima e hetova tingëllimën e kësaj gjuhe, që ndryshonte prej sllavishtes”. Në vazhdim Harfi shkruan edhe se kjo qytezë gjendet nën venedikasit dhe se e vetmja gjë venedikase që kishte takuar aty ishin disa ushtarë, do anije dhe një flamur venedikas. Si duket, Harfi qëndroi në Ulqin nja dy ditë, dhe aty duhet t’i ketë shënuar edhe disa fjalë shqipe që figurojnë në Fjalorin e tij shqip-gjermanisht, që ka rëndësi të madhe për historinë e gjuhës shqipe. Në periudhën e sundimit të Venedikut në Ulqin ishin disa familje të njohura që kishin stemat e veta me mbishkrime, si ajo Cevasto dhe Tani. Në vitin 1553, Justiniani i përshkruan ulqinakët si shqiptarë të pastër, kurse tivarasit gjysmë sllavë e gjysmë shqiptarë (Sipas M. Shuflaj, Serbët dhe shqiptarët, f. 94). Nga kjo kohë vlen të ceket familja e famshme tregtare e Antonio Brutit, për të cilën kemi gjetur dëshmi të shkruara në latinisht se një anëtar I saj, i cili përmendet si kalorësi Bruti, me dhjetë bashkëluftëtarë ulqinakë, ishte pjesëmarrës në Betejën e Lepantit të vitit 1571 në krahun e Ligës së Shenjtë kundër flotës osmane. Sipas Bulatoviqit, i cili i referohet Barlecit, që bën fjalë për zhvillimin e bujqësisë në Ulqin, përkatësisht për fushën e bukur të Ulqinit të pasur me pemë, vreshta, drithë, flitet edhe për qëndrimin e gruas së Skënderbeut në Ulqin. Më vonë edhe Bolica pohon (v. 1613) se Ulqini ka rrethinë të pasur ku përmenden ullinjtë dhe kusaria e cila është zhvilluar edhe më vonë nën sundimin osman.

Koha Javore