Ulqini nën sundimin turk – Mbi të kaluarën e Ulqinit (9)

March 17, 2012   | Kulturë / Kultura, Opinione

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku
Në vitin 1571 Ulqinin e pushtojnë turqit. Ky qytet ra nën pushtetin otoman shumë më vonë se disa territore fqinje. Kjo mund të shpjegohet si nga pozita e rrallë strategjike e këtij qyteti, ashtu edhe nga rëndësia që ai kishte për Venedikun në aspektin e fortifikimit dhe strategjisë detare, ekonomike e politike. Nga koha e pushtimit të Ulqinit nga turqit, kur Ahmet Pasha e sulmoi këtë qytet nga toka e nga deti, përmendet kryekomandanti Serra Martinengo i cili, me ushtri e trima të vendit, me qëndresë të madhe, u bëri ballë sulmeve të jeniçerëve turq. Megjithatë, pas detyrimit për nënshkrimin e paktit për lëshimin e qytetit, pasoi hyrja e jeniçerëve të tërbuar në qytet, e shoqëruar me plaçkitje e vrasje mizore. Disa prej banorëve morën malet, kurse tridhjetë murgesha, duke mos parë shpëtim e për mos t’I rënë në dorë armikut, u gjuajtën, siç thuhet, prej kështjellës dhe u mbytën në det. Gojëdhëna të ngjashme, thuajse stereotipe, janë të përhapura edhe më gjerë. Kështu, në luftën mbrojtëse të Krujës nga turqit në qershor të vitit 1466, sipas kronistëve, krahas burrave luftonin edhe femrat shqiptare. Kështu, kronisti bizantin Kritobulli shkruan se disa iliriane (femra shqiptare) të ndjekura nga jeniçerët u gjuajtën nga shkëmbinjtë dhe u mbyten, që përkon me legjendën e “90 vajzave krutane të cilat për mos t’u rënë në dorë turqve, u kapen për dore dhe u gjuajtën nga shkambi në një përrua afër Krujës”. Ky vend mori emrin “Shkambi i Vajzës”, që na rikujton disa konkordanca toponimike përhapur edhe më gjerë, si “Guri i Vajzës”, si dhe për vashat suliote që nuk deshën t’i binin në duar armikut. Në traditën gojore të popullatës së kësaj ane janë ruajtur edhe disa gojëdhëna të tjera lidhur me qëndresën e banorëve të këtij qyteti dhe episode nga lufta e tyre kundër pushtuesve. Sidoqoftë, nga burimet e besueshme historiografike mësojmë se në gusht të vitit 1571, garnizoni i Venedikut që mbronte Kështjellën e Ulqinit u detyrua të dorëzohej. Me këtë rast turqit i liruan vetëm venedikasit që të shkonin për në Raguzë, kurse mbi ulqinakët bënë kërdi, duke vrarë një numër të tyre, kurse pjesën tjetër të popullatës me gra e fëmijë i morën robër dhe ia dhanë flakën qytetit. Prej vitit 1571 Ulqini, i cili më heret (v. 1533) përmendet si vendstrehim i detarëve, bëhet vatër e fuqishme e kusarëve dhe të gjitha anijet tregtare lundronin larg ujërave të tij. Në Ulqin fillon edhe tregu i robërve dhe, sipas disa gojëdhënave a legjendave, këtu u shit rob shkrimtari i njohur spanjoll Servantesi, i cili, në betejën e Lepantit e pat humbur njërën dorë. Në një burim frëng që e pata në dorë (Gosse, Philippe, Histoire de la piraterie, Paris, 1933), e ku bëhet fjalë për Servantesin, mes tjerash thuhet se më 25 shtator 1575, derisa Servantesi me vëllaun e vet Rodrigon kthehej prej Napolit në Spanjë, anija u sulmua nga disa galera kusarësh që ishin nën urdhërin e një renegati shqiptar, të quajtur Memi (Arnaut Memi), dhe dy Servantesët u zunë robër. Ka gjasa, pra, që Servantesi të jetë zënë rob nga ndonjë kusar shqiptar ulqinak, dhe gojëdhëna a legjenda mbi robin Servantes në Ulqin mos të jetë e pabazë.

“Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se në burimet serioze shkencore askund nuk përmendet të ketë qenë Servantesi rob në Ulqin apo të ketë pasur ndonjë lidhje me Ulqinin. Andaj për një pohim në lidhje me praninë e Servantesit në Ulqin, nevojiten kërkime serioze me qasje interdisiplinare.”

Kështu në traditën gojore të Ulqinit bëhet fjalë për një njeri të ditur, që dikur moti kishte jetuar në Ulqin, pra, për dashurinë idilike mes të ashtuquajturit Servetit me kalaleshën e bukur ulqinake. Ka mendime se gojëdhëna mbi dashurinë e Servetit me kalaleshën është një modifikim dhe adaptim
i mëvonshëm i ndonjë legjende më të hershme për Servantesin e famshëm. Të dhënën për Arnaut Mamin (Memin) ose Mamin shqiptar që e zuri rob Servantesin, e pranon shkenca e sodit, përfshirë këtu edhe vetë spanjollët. Ndërkaq, në një burim nga gazeta prestigjioze “Politika” e Beogradit, dhjetor 1978, patëm shënuar një fragment ku thuhet: “Njohësit e të kaluarës së Ulqinit thonë se në Nisë (Nice) ekziston dokumenti nga i cili shihet se Servantesi i famshëm, autori i ‘Don Kishoti’, ishte rob i kusarëve të Ulqinit, por u lirua me ndërhyrjen e Venedikut. Megjithatë, ky dokument kurrë nuk ka qenë i publikuar, edhe pse në lidhje me të flitet mjaft.” Për hir të së vërtetës, gjatë kërkimeve tona në këtë drejtim, duhet pranuar se në burimet serioze shkencore askund nuk përmendet të ketë qenë Servantesi rob në Ulqin apo të ketë pasur ndonjë lidhje me Ulqinin. Andaj për një pohim në lidhje me praninë e Servantesit në Ulqin, nevojiten kërkime serioze me qasje interdisiplinare, dhe mbi argumente solide shkencore të ngritet së paku një hipotezë pune. Por këtë po ia lëmë kohës dhe ndonjë rasti tjetër.

Deri në kohën kur e pushtuan turqit, si duket, në Ulqin zhvillohej një jetë mjaft e qetë, të cilën ta rikujton qengji që, për një kohë ishte simbol i qytetit. Banorët e tij merreshin me ullishtë, bujqësi, zejtari e tregti. Prej vitit 1571 fillon transformimi i qytetit dhe i jetës në të, në rrethana e kushte të reja. Bëhet fortifikimi i qytetit pas shkatërrimeve që i pësoi nga lufta, adaptohen shtëpi e ndërtesa, e kisha paraprake e kohës së renesancës, në afërsi të Portës veriore të Kalasë, shndërrohet në xhami. Fillojnë të ngriten objekte publike siç janë hamamet, krojet, e të adaptohen sheshe e tregje, prej të cilave dallohet veçanërisht i quajturi “Sheshi i Skllevërve” apo Pazari i Gjytetit, Kroi i Sinan Pashës.

Në anën e majtë të hyrjes në Pazarin e Gjytetit, sipas kronologjisë, vlen të ceket edhe një pllakë tjetër prej guri në të cilën është e gdhendur me numra romakë data MDLXVII (1567), pra një datë para rënies së Ulqinit nën sundimin osman. Mbi këtë datë është i gdhendur mbishkrimi në osmanishte, për të cilin pohohet të jetë bërë mbi një mbishkrim të mëparshëm në gjuhën latine. Gjasat janë realiste sepse me një vështrim më të kujdesshëm mund të hetohet se shkrimi në osmanishte disi nxjerr krye mbi një bazament të tillë. Sidoqoftë, është me rëndësi se leximin apo përkthimin e këtij mbishkrimi monumental e ka bërë në gjuhën serbokroate orientalisti i njohur M. Mujesinoviq (M. Mujesinović). Nisur nga teksti i përkthyer në gjuhën serbokroate, po japim këtu përkthimin tonë në gjuhën shqipe.
URATË PËR BEKIMIN E KËSAJ KËSHTJELLE “E bekoftë Perëndia këtë kështjellë të Islamit buzë detit / Dhe ta mbajë nën pushtetin mysliman deri në Gjyqin e Ditës së Mbrame / Këto shtylla të larta me taben sikur trupi me shpirtin / Janë vepër e fuqisë së Zotit dhe të bamirësisë së tij. / O (njeri) i pafuqishëm, lutu për këtë Kala të Islamit / Të cilës në emër të vërtetësisë ia thashë këtë kronogram: “Çeli gonxhja e trëndafilit”. Viti 1130 hixhërinj.

Koha Javore