Zyrtarizohet ndarja e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave

March 22, 2012   | Anketë / Anketa

Podgoricë – Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar të martën propozimin e kryeministrit Igor Llukshiq për riorganizimin e Qeverisë, që nënkupton ndarjen e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave. Kështu kjo ministri në të ardhmen do të merret vetëm me të drejtat e pakicave, kurse dikasteri i të drejtave të njeriut i është bashkangjitur Ministrisë së Drejtësisë, e cila do të quhet Ministria e Drejtësisë dhe e të Drejtave të Njeriut dhe do të drejtohet nga Dushko Markoviq. Deputeti i Koalicionit “Perspektiva”, Vasel Sinishtaj, i cili ka votuar kundër zgjedhjes së Dushko Markoviqit ministër i Drejtësisë dhe të Drejtave të Njeriut, duke arsyetuar vendimin e tij ka thënë se “të drejtat e njeriut dhe pakicave janë të lidhura ngusht edhe me standardet ndërkombëtare, prandaj nuk ka arsye që të ngarkohet me punë shtesë Ministria e Drejtësisë”. Ndërkohë Ministria për të Drejtat e Pakicave vazhdon të mbetet pa ministër që nga dorëheqja e ministrit Ferhat Dinosha për shkak të emërimit të tij ambasador i Malit të Zi në Republikën e Shqipërisë. Megjithatë në seancën e fundit të Parlamentit, kryeministri Llukshiq ka premtuar se ministri i ri do të zgjidhet shumë shpejt. Në bazë të marrëveshjes së koalicionit, posti i ministrit i takon UDSH-së. Kryetari i UDSH-së, Met Zenka, ka thënë se kjo parti do të propozojë shumë shpejt emrin e kandidatit për ministër. Në opinion është lakuar emri i ish-ministrit dhe ish-kryetarit të Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, por zgjedhja e tij ministër është vënë në pikëpyetje për shkak të një hetimi që ka filluar ndaj tij. “Shumë shpejt do të bëjmë të njohur emrin e kandidatit për ministër. Jemi duke pritur akoma rezultatet e hetimit kundër Gëzim Hajdinagës”, ka thënë Zenka.

(Kohapress)