Sabbataï ZEVI në Ulqin nga Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku

March 31, 2012   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Gjurmët e Zabataj Zvisë në Ulqin – Mbi të kaluarën e Ulqinit (11)

Prof. Dr. Ruzhdi Ushaku

Në shekullin XVII në Ulqin jetoi një kohë edhe mesia Zabataj Zvi nga Izmiri (1626- 1676), i cili si i ri pat themeluar lëvizjen masovike të hebrenjve në Turqi, dhe ishte nxitës i reformës së Talmudit hebraik. Si të tillë pushteti turk e deportoi në Ulqin, ku si i vetmuar kaloi dhjetë vjetët e fundit të jetës në Kullen e Balshajve, në të cilën qendroi si i internuar. Në Ulqin mbante emrin Mehmet Efendia. Supozohet të jetë varrosur në oborrin e një shtëpie muslimane ku varri i tij ka karakter të tyrbes së shenjtë.

Gjurmët e Zabataj Zvi në Ulqin duket se kanë mbetur edhe te dy altaret hebraike në Kullen e Balshajve pranë  të cilëve mendohej se ky i lutej fshehurazi Perëndisë. Edhe pse shumë fakte e rrethana nga Ulqini i asaj kohe flasin në të mirë të gjurmëve evidente të viteve të fundit të jetës së Zabataj Zvi në Ulqin dhe vdekjes e varrimit të tij në këtë qytet, ende nuk është vërtetuar shkencërisht se ku gjendet varri i tij. Personalisht kemi pasur dhe kemi ende bindjen, duke perkrahur mendimet e studiuesve pararendës por edhe të mëvonshem, se varri apo tyrbja e Zabatai Zvi duhet të kërkohet dhe gjendet ne Ulqin, ku gjasat më të mëdha mund të jenë në tyrben e familjes ulqinake Mani.

Për hir të korrektësisë edhe ndaj atyre që  mendojnë ndryshe dhe parimit themelor të rezervave dhe dyshimeve të cilat duhet t’i ketë çdo studiues serioz, sepse dyshimi duhet të jetë bazë e avancimit të shkencës, na duhet të rikujtojmë se kohëve të fundit na ka rënë në dorë një shkrim nga interneti me titull Ambasadori Herman Bernshtajn dhe Mesia fallse, shkruar nga zotëriu Harvey Sarner (1998), ku behet fjalë për një personalitet të shquar hebraik, zotëri Bernshtajn, ambasador i SHBA-ve në Shqiperi në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Sipas ketij shkrimi, duket që Zvi e la Ulqinin me 1673, kohë kur atij iu shqiptua një syrgjynim tjetër: kësaj radhe në Berat. Ai jetoi ditët e fundit të jetës së tij në Berat ku edhe vdiq në vitin 1676. Pa e perjashtuar këtë mundësi, na duket sado pak i guximshëm dhe apodiktik pohimi i tij si vijon: Ajo çfarë dihet me siguri rreth tij, është se varri i tij gjendet në anë të lumit Osum.

Pa mohuar edhe faktin e rëndësishëm nga Enciklopedia Hebreje që thotë se pasonjësit e Zvisë u vendosen në Berat dhe qëndruan atje për 30 vjet (…), por duke pasur parasyshë mendimin e zotëriut Bernshtajn se tashti “Varri i supozuar i Zvisë u bë një vend i shenjtë për një sekt islamik i njohur si ‘Bektashi’(…), të cilit muslimanët bektashi i bënin pelegrinazh deri më 1965, për mendimin tonë le shumë për të dëshiruar. Kjo na hap rrugën të shprehim rezervat tona për këtë varr të supozuar, por edhe kureshtjen shkencore për të nxitur studiuesit dhe institucionet për kërkime të mëtejme shkencore dhe ekspertiza të duhura të shkencave më të avancuara të sodit, që për hir të së vërtetes mundësisht të zgjidhet ky problem njëhere e përgjithmonë.

Perveç xhamive, hamameve, krojeve të shumta që, në shek. XVIII u ngritën në lagje të ndryshme jashtë Kalasë, si objekt markant, impozant e i bukur në Ulqin ngritet edhe Sahat-Kulla (Kulla e Sahatit) e njohur, e cila u ndërtua ne vitin 1754. Kur flasim për ndërtimin e Sahat-Kullës mund të jetë interesant se ç’shënon për këtë një autor nga fillimi i shekullit XX:

Flitet se si qytezën e parë që u pat ngritur në Meteriz, kusaret e sulmonin shpesh nga deti dhe e shqetësonin me topa. Për këtë shkak njerëzit e braktisën këtë lagje dhe u vendosën më poshtë. Turqit (kështu i quan shqiptarët muslimanë R.U.) e qytetit (mendon në Kalanë, pjesën e ngushtë të Ulqinit R.U.) i urrenin ata të qytezës jashtë, kështu që shpesh edhe grindeshin mes vete. Turqit e qytezës, duke iu kundervënë atyre të qytetit ngriten “sahat-kullen” e lartë, e turqit nga qyteti e gjuanin me topa; edhe sot mund të vërehen shenjat. Kjo padurueshmëri rrjedh nga e dhëna se në qytet (mendon në Kala R.U.) jetonin kryesisht begleret e agallarët, shtresa e pasur dhe e privilegjuar, kurse ne qytezën detaret, tregtaret, zejtarët e të tjerë, të cilët ata të qytetit i shikonin me përbuzje, por edhe ua kishin lakmi sepse këta të qytezes ishin të vyer dhe kishin vënë bazë të fortë për jetën e tyre të pavarur. (Sipas A. Joviqeviqit nga libri i tij Crnogorsko primorje i Krajina, botuar në Beograd me 1922).

S’do mend se shtrirja dhe urbanizimi gradual i qytetit prej shekullit XVII-XVIII, me adaptime, rindërtime e ndërtime, ku dominonte stili oriental, ishte pasojë e një zhvillimi të hovshëm të jetës detare, të tregtisë, zejtarisë dhe ekonomisë së qytetit në pergjithësi, krahas të cilave vazhdonte edhe aktiviteti i kusarisë.

Gjatë kësaj periudhe Ulqini kishte edhe kantierin detar ku ndërtoheshin mjete lundrimi edhe më të mëdha e më të shpejta siç janë galeotat. Mirëpo, flota detare e Ulqinit nuk shërbente vetëm për tregti të mirëfilltë por edhe për kusari, për strategji luftarake në përleshje me armikun. Kështu ndodhte shpesh që nën maskën e anijeve tregtare që bartnin vaj, ullinj ose prodhime të tjera, të fsheheshin ato të kusarëve të rrezikshëm që në momentet e përshtatshme i sulmonin anijet e huaja tregtare, apo anijet e armikut në përgjithësi. Prej tyre pesonte shpesh jo vetëm flota detare e disa qyteteve të Dalmacisë, Bokës së Kotorrit, por edhe ajo e Venedikut e madje edhe e Turqisë.
Zmadho
Perveç kusarëve të njohur edhe më herët, përmendet edhe kusari me emrin Ramadan, si kusari më i shkathët dhe më i tmerrshëm ulqinak i cili në vitin 1673, bashkë me 22 anëtarë të ekipazhit, qe vrarë në përleshje me kapedanin venedikas Gulfin tek Ishulli i Gjatë (Dugi Otok), por, siç thuhet, kusarët ulqinakë u patën hakmarrë rreptësisht për vrasjen e udhëheqësit të tyre.

Gopçeviqi shkruan se ulqinakët ishin detarë e kusarë shumë të zotët. Ata ua kallnin datën qyteteve bregdetare të Italisë, Apulisë e Sicilisë. Shumica e anijeve të tyre ishin të tipit fusta, më vone fregata,brigantina e galeota.

Me fusta apo mjete të tjera të lundrimit shpesh strehoheshin në gjiret e Ulqinit, pas Adës së Krruçit, në gjirin e Valdanosit, te Guri i Gjeranës, prej nga i sulmonin anijet që kalonin andej pari.

Koha Javore

2