Emin Halili: Kalimanasit & millaçakët

April 21, 2012   | Opinione

Duke shikuar të hënën mbrëmje TV Klan, gjashtë burra, edhe me mjekrra edhe te rruar, kërkoj ndjesë, por kishte edhe tullaca, të cilet kurrsesi ta shohin nje hartë gjeografike, ku dominonte ngjyra e kuqe, e faktet dëshmojnë se në atë ngjyrë të kuqe jetojnë shqiptarët në Maqedoni. Muri shihet edhe nga aeroplani, por zotërinjtë në studio kurrsesi ta hedhin shikimin përtej atij muri, e mua, as një as dy, mu kujtuan bisedat e bëra me babanë tim 95 vjeçar, që merr frymë në ajër të pastër të Gjeranave. Duke i çelë dritaret në mëngjes i mbushen mushkëritë me jodin që lëshohet nga Pinjeshi mbi Uqinin e bukur dhe e pret kafja në ballkon te ullini njëmijëvjeçar me fisniken e tij tetëdhjetë e gjashtë vjeçare. Shikimin e lëshojnë deri te malet e Korabit, por, nuk e shohin Kalimanin e Millen me 76 mullinj uji dikur, se nostalgjinë për vendlindje ua zë Mazhuri, një mal i vogël. Figurativisht mali i Kalimanit dhe mali i Krythës, ju që vini për ta lëshuar trupin në Plazhin e Madh, bashkë me do ndjenja të bukura që si harroni kurrë, sa e kaloni Lezhen, vetëm shikoni drejtë dhe këto dy male si krahë shqiponje me kokë në mes, sepse mu në mes është një qarr, që nuk munden ta rrethojnë duart e shtatë burrave qe ishin në TV KLAN, në emisionin OPINION, që do të thotë: bënë zhurmë deri në kupë të qiellit, duke e vu gishtin në ballë, gjoja se duke menduar. Mirë. Babait tim të lindur në Millë, i ka thënë babaj i tij, gjyshi im, Meha Dani se përgjatë Lipojës së Millës është ndërtuar një mur i pakalueshëm per dele e dhi, nga Milla në pjesen tjetër të Kalimanit, që sa për dijeni është cepi më përendimor i gjuhes shqipe. Ky gjyshi im në mëngjes herët sa i qet delet nga vatha, për dreq i shkojnë sytë te ai muri në Lipojë, dhe si vetëtima i mbledh krejtë Millaçakët që janë të Zot e pushkës, e të shkopit fajletes, se Kalimanasit janë trimëruar dhe delet e tyre i kanë kaluar në anën tjetër të murit. Dreq o punë, se edhe Kalimanasit turren për Lipojë për të mbrojtur delet e veta. Bëhen burrat gati ta bëjnë namin, e delet as qe u shqetësuan se çka po ndodhë me këto burra, megjithatë u dukte kullota pak më e mirë në anën e Milles, se kishin edhe ujtë të freskët te kroni Maranxhë. Sa u bënë burrat gati të ndajnë hesapin për punën e delesh, nga Krytha poshtë filloj të dëgjohej një zhurmë aq e rëndë dhe shqetësuese, sa Meha Dani mbeti me sy të ngulitur atje në xhaden që e kanë ndërtuaë austriakët, pa e vërejtur se Selim Meti ia ka vu shenjën mu në lule të ballit. Edhe ai e lëshoj doren poshtë, e çojë shikimin te xhadja, ku vlonte prej mengjesi deri në mbrëmje nga ushtria malazese e drejtuar për në Tarabosh, një pllëmbë mbi Shkodër, e një orë rrugë prej kë tyre burrave të zënë me fatin e deleve. Më në fund Meha Dani Millaçak e kalon shikimin nga hataja, që nuk ka të ndalur në Krythë dhe përdreq Selim Meti i Kalimanit ende e ka Pushken të drejtuar në gjyshin tim: – A pe ul atë pushkë, o Selim Meti! A s’po sheh se malaleztë po shkojnë me marr Shkodren…! – Mos i prek delet o Meha Dan Millaçaku, se ata nuk kan punë më në…! – Mirë, mirë o trim i Kalimanit, ujku paska me i’hanger edhe delet e tua edhe t’mijat… Dhe Ana e Malit u dogjë , për her te dytë me 1913. U dogjë edhe Shkodra, e dorëzoj Esad pash Toptani… Histori është kjo o burrë, merre gruan tënde, apo n’paç dashnore prap mundesh ta shtrish trupin në ranën e nxehtë, mundeni edhe të hani një darkë të mirë në kala të Ulqinit, sepse ata opinionistet e cepit lindor të gjuhës shqipe e kishin punën e deleve të Kalimanasve dhe Millaçakeve.

Koha Javore

1