Hapet panairi ndërkombëtar i Turizmit – Video

April 22, 2012   | Turizmi / Turizam

Me më shumë kompani se çdo herë tjetër, e veçanërisht me më shumë kompani vendore, në pallatin e Rinisë dhe Sporteve, është hapur panairi i nëntë ndërkombëtar i Turizmit, Udhëtimeve dhe Gastronomisë.1 Panairi ka mbledhur kompanitë nga të gjitha vendet e rajonit, të cilëve u ipet mundësi të shpalosin ofertat e reja që kanë bërë këtë vit. Ajo që është vërejtur më së shumti është numri i madh i kompanive nga Kosova.

Skender Thaçi, drejtor i hotel Magra Austria që është hapur së voni në Bogë të Rugovës, ka pohuar se panair është mundësi e mirë që t’i njoftojnë të tjetër me ato që ofrojnë. Thaçi thotë se hoteli i tij që posedon 33 dhoma është i pari bio në rajon.

“Duke pas parasysh problemet sociale që i ka Kosova kemi shkuar me disa çmime simbolike. Një dhomë tek ne është 40 euro për dy persona, me mëngjes me tavolinë suedeze. Domethënë 20 euro për një person”, ka thënë ai.

Në hapjen e këtij panairi ishte edhe zëvendësministri i Turizmit nga Shqipëria, Abaz Hado i cili ka thënë se interesimi i kosovarëve për të vizituar Shqipërinë po shtohet vazhdimisht, por edhe është shpërndarë nëpër vende të ndryshme.

Hado thotë se dikur vizitohej Durrësi e tash edhe Velipoja, Vlora, Shëngjini dhe Saranda.

“Vizitorët nga Kosova përbëjnë një nga prurjet kryesore të turistëve në Shqipëri, duke arritur shifrën e rreth 1 milionë e gjysmë turistë. Por destinacionet më të preferuara mbeten plazhet e Durrësit, por gjatë viteve të fundit kanë shtrirë në zonat e tjera të bregdetit, si plazhet e Shëngjinit, Velipojës, Vlorës dhe Sarandës. Krahas këtyre interes paraqesin edhe objektet e trashëgimisë kulturore”, ka thënë ai.

Ndërsa, kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu ka pohuar se infrastruktura është rregulluar dukshëm madje edhe rruga që qon për në Ulqin është shkurtuar.

“Ulqini ka vazhduar me traditën e vet që të jetë qendra e shqiptarëve, qendra e Kosovës dhe me këtë rast unë dua t’ ju falënderojë të gjithë ata që gjatë vitit të kaluar i kanë qëndruar besnik Ulqinit dhe i kanë kaluar pushimet në Ulqin, dhe njëkohësisht dua t’i ftojë të gjithë të vinë. Ne kemi arritur për një kohë të shkurtër të bëjmë ndryshime të mëdha në infrastrukturë, dhe pasi që edhe rruga prej Shqipërisë drejt Ulqinit është përmirësuar dhe është shkurtuar”, ka thënë ai.

Kompanitë nga Ulqini kanë pohuar se çmimet do t’i kenë si në vitet e kaluar por i kanë bërë më cilësore ato që ofrojnë, ndërsa kompanitë nga Shqipëria kanë thënë se këtë vit gjithçka do të jetë më ndryshe se vitin e kaluar.

Në këtë panair thuhet se ka rritje të ndejshëm të numrit të ekspozuesve, të cilët para vizitorëve po lansojnë ofertat më të reja për sezonin veror, si dhe produkte dhe shërbime nga fusha e turizmit, udhëtimeve dhe hotelerisë. Panairi do të qëndroj i hapur deri më 20 prill, dhe mund të vizitohet nga të gjithë, gjatë tërë ditës. /Kosovapress/

YouTube Preview Image