Presioni i Fuqive Mëdha për dorëzimin e Ulqinit – Mbi të kaluarën e Ulqinit (13) – Foto
Në gjysmën e dytë të shekullit XIX lindi në Ulqin dhe aty e kaloi një pjesë të jetës, Hafiz Ali Ulqinaku (1855-1913). Ai lindi në familjen e një barkatari ulqinak me emrin Jakub Behluli. Derisa ishte student i medresesë së Ulqinit, Hafiz Ali Rizaja, siç quhej më parë, e përktheu në shqip Mevludin. Perveç gjuhës shqipe si gjuhë amtare, ai fliste dhe shkruante edhe arabishten e turqishten. Pas shpërnguljes në Shkodër hartoi, veç tjerash, edhe fjalorët shqip-turqisht e turqisht-shqip me emrin Ulqin në kujtim të vendlindjes: Buna këti, tekëlldi ju ngjit, ad emni Ulqun, olldi juba Tertib iden aj qi e sajan Ulqun myhaxhiri Ali Riza.
Shpërngulja e këtij intelektuali ulqinak nga vendlindja si dhe shpërnguljet e një numri të madh të familjeve ulqinake (rreth 400) në Shkoder, Lezhë, Durrës e gjetiu, ishin pasojë e luftërave, demonstrimeve të forces dhe pazarllëqeve të Fuqive të Mëdha në periudhën e viteve 1878-1880 kur përfundimisht, pas Kongresit të Berlinit më 30.XI.1880, Ulqini me distriktin deri në Bunë iu bashkua Malit të Zi. Nga kjo periudhë, veç tjerash, vlen të ceket edhe presioni i Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi. Kështu flota e bashkuar ndërkombëtare u duk jo larg Ulqinit më 28 shtator 1880 dhe përfundimisht më 23 nëntor 1880, Dervish Pasha me ushtrinë turke hyn në Ulqin.

Demonstrimin e flotës luftarake ndërkombëtare kundër këtij qyteti, shumë vëzhgues të kohës e kanë cilësuar si një akt të paparë, të turpshëm e komprometues. Lidhur me këtë ngjarje, senatori dhe diplomati francez D’Estournelles de Constant shprehet me fjalë mallëngjyese, pasi që ka pare ç’impresion të vështirë ka pasur kur ka parë ulqinakët sa të dëshpëruar ishin kur dorëzohej qyteti i tyre në duart e Malit të Zi (sipas Mehdi Frashërit, Lidhja e Prizrenit, Tiranë, 1938, f. 43).
D’Estournelles de Constant në parathënien e veprës “L’Albanie en 1921” (Paris, P.U.F., f. 2-3) të autorit Justin Godard (Zhysten Godar), midis tjerash shkruan:
“Më kujtohet demonstrimi grotesk i flotës ndaj Ulqinit (Dulcigno), përndryshe ndaj këtij qyteti të pamposhtshëm të Adriatikut, e ku eskadrat e anijeve tona të koracuara erdhën të bënin, sa për sy e faqe, gjasmat e bombardimit. M’u deshën vite të tëra për t’i kuptuar këto marifete”.

Për ngjarjet para rënies së Ulqinit nën Malin e Zi, janë të njohura reagimet e disa deputetëve në Parlamentin italian, duke kundërshtuar aneksimin e dhunshëm të Ulqinit me popullate shqiptare Malit të Zi (Giuseppe Masari), përkatësisht duke e cilësuar vendimin e Fuqive të Mëdha për dorëzimin e Ulqinit Malit të Zi si “gjë e tmerrshme” (Medero Savini).
Ndërkaq, në Parlamentin anglez (sipas “Glas Crnogorca”, nr. 36 të 8 shtatorit 1880), përzierja e Fuqive të Mëdha cilësohet si shkëputje e një cope toke shqiptare për t’ia dhënë Malit të Zi.
Më 18 shtator 1880, Paria e Ulqinit i drejtohet me kërkesë konsullit të Francës në Shkodër si dhe konsujve të tjerë në të cilën deklaroheshin hapur se ishin të gatshëm të derdhnin gjakun për mbrojtjen e Ulqinit (ACG MUD 1880, dos.18,dok. 354).
Historiani Aleks Buda thekson: “Nga ana tjetër, Fuqitë e Mëdha i kanoseshin Portës me një demonstratë të bashkuar të flotës luftarake përpara Ulqinit për ta detyruar të zbatonte vendimet e Berlinit”. Në Fjalorin enciklopedik shqiptar (Tiranë, 1985, f.1132) thuhet se “Pas shtypjes së qëndresës së ushtrive të Lidhjes, Ulqini me rrethet e tij, në nëntor 1880 iu aneksua Malit të Zi.”
Pas kësaj Rovinski do të theksonte se tërë rajoni i Ulqinit që iu bashkua Malit të Zi është i banuar me shqiptarë të fesë katolike dhe myslimane me qëndrim armiqësor ndaj këtij të fundit, dhe se aneksimi i këtij rajoni me popullatë të pastër shqiptare tregon se elementi etnografik nuk ishte marrë aspak parasysh me rastin e caktimit të kufijve.

Prej Kongresit të Berlinit deri në vitet e 50-ta të shek. XX
Pak kohë pasi që Ulqini iu aneksua Malit të Zi, përkatësisht në vitin 1885, do të lindë Hysen Nexhatiu, në Ulqin i njohur më shumë si Cen Bushati. Vdiq mjaft i ri dhe për një kohë qe bashkëkohanik i Hafiz Ali Riza Ulqinakut. Ndonëse ishte i njohur sadopak si intelektual i ri dhe hoxhë i shkolluar i cili jetoi 32 vjet, nuk dihej thuajse asgjë konkrete për ndonjë shkrim a vepër të tij. Pas disa kërkimeve në bibliotekat private të Ulqinit, patëm fatin të zbulonim veprën Ilahi -shqip të Hysen Nexhatiut alias Cen Bushatit.
Lidhur me këtë patëm shkruar se këtë ekzemplar, mbase të vetmin të njohur deri më sot, e gjetëm në bibliotekën familjare të Mulla Osman Kaleziqit nga Ulqini ia besuam për transkriptim orientalistit Nehat Krasniqi i cili pat shkruar për të disa herë. Prej këtij studiuesi mësojmë se Cen Bushati paraqitet me emrin Hysejn Nexhati, kurse vepra e tij e zbuluar është një përmbledhje poezish të karakterit fetar didaskalik dhe laik. Është e shkruar me alfabetin arabo-osman dhe është e litografuar. Nuk ka kopertinë, as ballinë, andaj nuk i dihet viti dhe vendi i litografimit. Vepra Ilahi shqip, të cilën vetë autori Hysejn Nexhatiu e quan edhe risal (trajtesë), është ndër veprat e rralla të bejtexhinjve tanë që patën fatin të botohen.

Nga kjo Ilahi po i japim disa vargje sipas transkriptimit shqip të studiuesit Nehat Krasniqi:
Paksa me menu
Tash jemi n’dynja
Vjeshta tuj havru
Gjith pemë o tuj ra.
Menoni dekën
Ato bani menim
Dimni kur t’u hin
Gjeth pemve s’ju rrinë.
………………………
Xheneti, n’dynja
Dakuj s’ja përgjet
Me m’knu daj dua
Hysejn bin Ahmet.
E shkrova i mjeri
Avam jam hem s’di
Ny ilm ashik jam
Hysejn Nexhati.
(Nga vjersha “Allahu asht ni”)
Sido që të jetë, edhe në dy dekadat e fundit të shekullit XIX, në rrethana të reja vazhdon aktiviteti detar, tregtar, zejtar i ulqinakëve dhe banorëve përreth të cilët merren vazhdimisht edhe me peshkatari, ullishtë e bujqësi.
Në saje të traditës detare të ulqinakëve fillon të afirmohet dukshëm edhe tregtia e detaria nën flamurin malazias.
Koha Javore






