Mali i Zi tërheq pjesë në rritje të udhëtuesve për pushime

April 28, 2012   | Bota

Nga Nedjeljko Rudoviç për Southeast European Times në Podgoricë

Parashikimet nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC) sugjerojnë se të ardhurat nga turizmi në Malin e Zi do të ngjiten çdo vit për dekadën e ardhshme e do të kontribuojnë për një shumë të madhe prej 17.8% të PKB-së deri më 2022. Ky skenar rozë u korrespondon parashikimeve nga Ministria e Turizmit.

Për shkak të përmasave kompakte “mundësia e kombinimit të turizmit detar e malor në një ditë është padyshim avantazhi unik i Malit të Zi në lidhje me konkurrentët e tij. Sjellja e markave të hoteleve të mëdhenj është një tregues i rëndësishëm i vëmendjes sonë për t’u bërë një destinacion turistik elitë”, tha Nebojsha Raçkoviç, këshilltar në Ministrinë e Turizmit për SETimes. Nuk i prish punë kësaj as ajo se vendi është jo më shumë se dy orë fluturim nga të gjitha qytetet e mëdha në Evropë.

Raçkoviçi vë në dukje se qeveria punon vazhdimisht për të përmirësuar cilësinë e shërbimeve e për të mbajtur çmime konkurruese. “Fakti që Mali i Zi është një destinacion për të gjithë turistët, pavarësisht nga fuqia blerëse e tyre, është përparësia jonë. “[Përveç kësaj], duke sjellë investitorë të mëdhenj, të njohur anembanë botës, si Aman Resorts e Orascom … dërgojmë mesazhin se jemi një vend i qëndrueshëm e qëllimi ynë është të bëhemi një destinacion turistik me cilësi të lartë.”

Mesazhi duket të jetë tingëllues. Tashmë, sipas WTTC, turizmi në Malin e Zi kontribuon për 7.5% të PKB-së, krahasuar me 3.5% në Slloveni; 2% në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) e 1.7% në Serbi. Të njëjtat të dhëna sugjerojnë se vetëm vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi e industria e udhëtimeve ishin 249.3 milionë euro në Malin e Zi.

Zharko Raduloviç, bashkëpronar i Grupit të Hoteleve Stars të Malit të Zi e president i Shoqatës Malazeze të Turizmit, tha për SETimes: “Për fat të mirë, Mali i Zi ka një avantazh të madh — pozitën e mirë gjeografike e bukurinë e jashtzakonshme natyrore — si detin, ashtu edhe malin në një hapësirë të vogël. Në pak më tepër se tre orë, mund të shkosh nga larja në det tek skitë.” Por nuk janë vetëm banjat e diellit e fushat e skive. Turistët njohin gjithashtu “stabilitetin politik e të sigurisë” shtoi ai.

Raduloviçi argumenton se Mali i Zi mund të bëjë shumë më tepër për të zhvilluar sektorin, duke përmendur për shembull, nevojën e hoteleve me tre, katër ose pesë yje, që thotë se janë strehimet moderne që kërkojnë turistët. “E ardhura e [sektorit] prej 249 milionë euro nuk është aq e mirë; duhet të ishte gjashtë ose shtatë herë më e madhe.”

Ai vuri në dukje se në Kroaci vitin e kaluar, të ardhurat nga turizmi ishin 2.6 miliardë euro. Duke pranuar se bregu i saj është shumë më i madh sesa i Malit të Zi, Raduloviçi thotë se një krahasim më i mirë do të ishte Qiproja.

“Territori është i ngjashëm, por vendosur në mënyrë më pak të favorshme. Megjithatë pavarësisht nga ajo, të ardhurat e Qipros janë rreth 3 miliardë euro. Ndryshe nga Mali i Zi, kanë punuar më mirë. Dhe [ajo që] Qiproja zotëron nuk është as afër asaj që Mali i Zi mund të ofrojë. Kur të ekuilibrojmë ofertën në sezonin e verës e të dimrit, Mali i Zi mund të bëhet një kampion e një nga lojtarët më të fortë në Mesdhe.”

Sipas të dhënave të 2011-tës nga Dhoma e Tregtisë, numri i qëndrimeve për natë pa një rritje me dy shifra — 10.17 % — ndërsa rritja në lidhje me mbërritjet e turistëve ishte 8.75%. Si më 2010, shumica e vizitorëve erdhi nga Serbia, Rusia e BiH.

“Mund të bëhemi një dukuri botërore kur vjen puna te zhvillimi, sepse baza e fillimit është e ulët e çdo hap në përqindje duket i rëndësishëm. Kur një Spanjë që ka 40 miliardë në të ardhura të përgjithshme nga turizmi fiton 42 miliardë, përqindjet nuk duken të mëdha. Kur Mali i Zi fiton 400 milionë, rritja është 100%,” tha Raduloviçi.

Ai vë në dukje se novacionet e Malit të Zi kanë dhënë tashmë rezultate: “Për shembull, projekti i eskursioneve më këmbë ose me biçikletë është shumë i mirë, për shkak të … zakoneve e dëshirave që ndryshojnë shpejt. Në vend të plazhit, klientët dëshirojnë diçka më tërheqëse, më dinamike. Turistët dëshirojnë një pushim aktiv, jo të qëndrojnë në një vend.”

Kjo përmbajtje është autorizuar nga SETimes.com.

YouTube Preview Image