Propozim për dekorimin me Urdhrin “Nderi i Kombit” të Dr. Athanas Gegaj

May 29, 2012   | Kulturë / Kultura


Nr. 14/12 Nr. 8/12
Ulqin, 28. 05. 2012 Tuz, 28. 05. 2012

PRESIDENCA E REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË – TIRANË
Presidentit Prof. Dr. Bamir Topi

Lënda: Propozim për dekorimin me Urdhrin “Nderi i Kombit” të Dr. Athanas Gegaj

I nderuar President,
Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” nga Ulqini dhe Shoqata “Illyricumi” nga Tuzi, si përfaqësues të organizatave joqeveritare në Mal të Zi që si objektiv kanë ruajtjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare në Mal të Zi, vlerësojnë se me rastin e jubileut gjithëkombëtar – 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, të dekorohen për kontributin patriotik edhe përfaqësuesit e shqiptarëve në Mal të Zi. Në këtë kuadër, ne propozojmë që me Urdhrin “Nderi i Kombit“ pas vdekjes, të dekorohet Dr. ATHANAS GEGAJ.

Arsyetim:
Dr. Athanas Gegaj u lind në vitin 1904 në Triesh të Malësisë. Ai e adhuronte historinë, të cilën pas studimit të teologjisë në Romë e ligjëroi në Gjimnazin Françeskan të Shkodrës. Studimet historike do t’i kurorëzojë me mbrojtjen e temës së doktoraturës “L’Albanie et l’invasion turque au XV-e siecle” (Shqipëria dhe invazioni turk në shekullin XV) në vitin 1937, në Universitetin Louvain të Belgjikës, e cila vlerësohet nga studjuesit si vepra më e mirë kushtuar Skënderbeut.
Dr. Athanas Gegaj ishte bashkëpunëtori më i afërt dhe më besnik i Fan Nolit, i cili e emëroi sekretar të përgjithshëm të Shoqatës së njohur panshqiptare “Vatra”, kurse një rol të madh luajti edhe si editor disavjeçar i gazetës “Dielli”. Athanas Gegaj vdiq në janar të vitit 1988 në Santa Monika të Kalifornisë.
Angazhimi shumëvjeçar patriotik, historik dhe letrar i dr. Athanas Gegajt na detyron që emri dhe vepra e tij të nderohet dhe respektohet në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Duke shpresuar që propozimi ynë do të shqyrtohet dhe merret në konsideratë, Ju urojmë suksese në punën Tuaj.

Për SHAI “Art Club” – Ulqin                                           Për Shoqatën “Illyricumi” Tuz
Kryetari                                                                                                     Kryetari
V.V.                                                                                          V.V.
Ali Salaj                                                                                                  Nikollë Berishaj