Haxhinasto – Dinosha: Të realizohen projektet infrastrukturore Shqipëri-Mal i Zi

June 7, 2012   | Shtypi / Mediji

Zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, zoti Edmond Haxhinasto priti sot në një takim Ambasadorin e Malit të Zi në Shqipëri, zotin Ferhat Dinosha.

Marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe proceset integruese ishin temat kryesore të takimit.

Ministri Haxhinasto, vlerësoi se niveli shumë i mirë i marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe fqinjësinë së mirë mes të dy vendeve, i shërben njëkohësisht frymës progresive dhe stabilitetit në rajon, dhe në mënyrë të veçantë interesave të përbashkëta të integrimit evropian dhe euroatlantik.

Zoti Haxhinasto rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Shqipërisë ndaj anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan bashkëpunimin e ngushtë mes të dy vendeve në fushën e integrimit evropian.

Gjatë takimit, palët theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, duke shprehur vullnetin për mbatjen e Sesionit të Parë të Komisionit të Përbashkët Ndërqevritar për Bashkëpunim Ekonomik, Tregtar dhe Industrial.

Bashkëbiseduesit evidentuan nevojën e realizimit sa më të shpejtë të projekteve të përbashkëta në infrastrukturë, sidomos projektin për rrugën që lidh Plavën e Gucinë me Podgoricën, nëpërmjet territorit të Shqipërisë.

Gjithashtu në takim u shqyrtua mundësia e përdorimit nga shqiptarët në Mal të Zi të një abetare të përbashkët, si dhe u konsiderua përshpejtimi i përfundimit të marrëveshjeve në proces.

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë