Festa “Ditët e Shën Ndout” në Braticë u kremtua me aktivitete sportive dhe kulturore

June 14, 2012   | Shtypi / Mediji

Me rastin e festës së Shën Ndout, pajtorit të Kishës Katolike në Braticë, për herë të parë kjo festë u kremtua në mënyrë më të veçantë, me organizimin e një mori aktivitetesh sportive dhe kulturore, që gjaten nga data 6-13 qershor.

Manifestimi filloi të hënën, më 6 qershor, me turneun në futboll ku morën pjesë 12 ekipe nga treva e Ulqinit. Turneu përfundoi të enjten, me finalen ndërmjet ekipeve “Lali Comerc” dhe “Kllezna”, e cila u fitua nga ekipi “Lali Comerc”. Turneu kishte qëllim bamirësie dhe një pjesë e shumës së të hollave të grumbulluara nga turneu u nda për dy familje në nevojë. Po të enjten në mbrëmje, në sheshin e Shën Ndout në Braticë, u zhvillua gara me biçikleta, ku fitues doli Aleksandër Marnikoviq. Gara shërbeu edhe si nxitje për hedhjen e idesë për themelimin e një klubi të biçiklistëve.

Të premten dhe të shtunën, në Plazhin “Toni Grill” u mbajt turneu në volejboll në ranë, ku morën pjesë dhjetë ekipe. Konkurrenca për vendin e parë ishte tejet e fortë, për shkak se në turne morën pjesë ekipe nga Tivari dhe Podgorica. Turneun e fitoi ekipi “Black Memba” nga Tivari.

Po në mbrëmjën e së shtunës, në sheshin Shën Ndou në Braticë, në ambient të hapur u organizua turneu në shah dhe skamil. Në turne morën pjesë 12 shahistë profesionistë nga rrethinat e Ulqinit, nën përkujdesjen e shahistit të njohur Gani Bisha. Garat ishin të forta dhe deri në orët e vona të mesnatës nuk dihej fituesi. Ishte kjo një mbrëmje vëllazërore dhe miqësore.

Ditën e diel, në vigjilje të festës së Shën Ndout, të gjitha rrugët të çonin për Braticë. Sheshi i Shën Ndout, ishte përsëri vendi i takimit, ku në mbrëmje u mbajt Mesha e Shenjtë, e cila u drejtua nga Don Palush Gjinaj, famullitar i Kishës në Shën Gjergj dhe Kllezën. Pas meshës jehuan tingujt e këngës dhe vallet nga grupet e ndryshme nga Shkodra, Shtoji, Shestani. Nuk munguan këngët e kënduara nga këngëtaret e reja Rita Lulgjuraj, Vera Barlloviq dhe Barbara Shkreli. Pas programit u shtrua një koktej vëllazëror nga familjet e famullisë.

Manifestimi “Ditët e Shën Ndout” u mbyll më 13 qershor, ditën e festës, me meshën qendrore të udhëhequr nga meshtari Don Pal Tunaj nga Kosova. Kjo veprimtari do të hyjë në kalendarin e manifestimeve tradicionale që do të mbahen në Ulqin.

Gabriel Grabanica Facebook



2