Art Klubi organizon me 2-3 gusht Kalimerën Poetike – Programi

July 30, 2012   | Kulturë / Kultura

Ulqin, më 30 korrik 2012

 

Kalimera Poetike 2012

 

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” do të organizojë më 2-3 gusht 2012 manifestimin tradicional “Kalimera Poetike”. Mbrëmja e parë do t’i kushtohet poetit nga Kosova, Qerim Ujkani, kurse natën e dytë do të organizohet mbrëmje autoriale me poetin nga Shqipëria, Primo Shllaku. Në këtë mënyrë “Kalimera Poetike” vazhdon traditën e edicioneve të kaluara ku kanë qenë mysafirë shkrimtarët më të njohur shqiptarë.

Në hapje të manifestimit do të përkujtohet dhe nderohet poeti i ndjerë Ali Podrimja, i cili u nda nga jeta ditë më parë. Podrimja ishte njëri ndër ideatorët dhe mysafir i rregullt i “Kalimerës Poetike”. Me këtë rast do të lexohen pjesë nga krijimtaria e poetit dhe kushtuar atij.

“Kalimera Poetike” vlerësohet si ngjarja më e rëndësishme në fushën e letërsisë ndër shqiptarët në Mal të Zi dhe më gjerë. Gjatë ditëve të zhvillimit të saj, Ulqini shndërrohet në qendër dhe vendtakim të shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre nga rajoni. Qëllimi kryesor i kësaj veprimtarie është të promovojë krijimtarinë më të mirë letrare shqiptare, në mënyrë që ta bëjë atë të njohur për publikun vendas dhe turistët.

Manifestimi i sivjetshëm mbahet në kuadër të Festivalit “Skena Verore” – Ulqini 2012.

Mbrëmjet autoriale fillojnë në orën 22.00 dhe do të mbahen në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit.

 

   Seksioni për Marrëdhënie me publikun 

“Kalimera Poetike” 2012

 

Programi

E ENJTE, 2 gusht 2012

(Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 22.00)

 

Hapja e Manifestimit

 

Fjala përshëndetëse 

Kryetari i SHAI “Art Club”, z. Ali Salaj

 

Mbrëmje autoriale me poetin Qerim Ujkani

Moderator: Hajredin Kovaçi

 

 

E PREMTE, 3 gusht 2012

(Muzeu në Kalanë e Ulqinit, ora 22.00)

 

Mbrëmje autoriale me poetin Primo Shllaku

Moderator: Ibrahim Berjashi