Poezia e Çapriqit përkthehet në gjuhën malazeze

August 2, 2012   | Kulturë / Kultura

Poezia e Çapriqit përkthehet në gjuhën malazeze   

 

(Basri Çapriqi, Savršenstvo kiše, CEKUM, Podgoricë, 2012)

 

Qendra për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave në Mal të Zi ka botuar në gjuhën malazeze përzgjedhjen me poezi të poetit Basri Çapriqi, me titull “Savršenstvo kiše“.

Përmbledhja përbëhet nga 95 poezi dhe proza poetike të autorit, që përfshijnë periudha të ndryshme të krijimtarisë së tij.

Poezitë i ka përkthyer mjeshtërisht në gjuhën malazeze përkthyesi Qazim Muja, i cili ka punuar edhe ballinën e librit.

Redaktori i librit, Zuvdija Hoxhiq, në parathënien e tij thekson se vendimi i Qendrës për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Kulturës së Pakicave të Malit të Zi që në gjuhën malazeze të botojë përzgjedhjen nga poezitë e Çapriqit, po aq sa të gëzon, nxit pyetjen dhe dilemën: A duhet që ne, në Mal të Zi, në vendin ku Çapriqi ka lindur, është rritur, ka mbaruar shkollën e mesme, ka punuar për disa kohë pas përfundimit të studimeve, ndër të fundit në rajon dhe më gjerë, t’i njohim lexuesit tanë me poezinë e tij?

“A nuk është obligim i yni që, kur bëhet fjalë për Çapriqin dhe krijuesit e tjerë shqiptarë nga Mali i Zi, t’i përkthejmë dhe t’i botojmë të parët librat e tyre?”, pyet Hoxhiq.

Sipas tij, “njohja me poezinë e Çapriqit nuk do të përmirësojë padrejtësinë e shkaktuar në mënyrë të barabartë, si letërsisë shqipe ashtu edhe kulturës malazeze, por, jam i bindur, do të ndihmojë të kuptojmë se çfarë pasurie shpirtërore posedojmë dhe në çfarë mënyre, me arsye dhe krenari, mund t’ia prezantojmë botës, duke afirmuar vlerat e kryqëzimeve dhe depërtimeve frytdhënëse të civilizimeve në trevën tonë”.

Poeti Basri Çapriqi u lind në Krythë të Anës së Malit – Ulqin në vitin 1960. Ai është ligjërues i Stilistikës dhe Semiologjisë në Universitetin e Prishtinës, Dega e Letërsisë shqipe dhe ajo e Letërsisë së përgjithshme dhe krahasuese.

Deri tani ka botuar librat: “Ulli me dy mijë unaza”, “Në fund të verës”, “Ma qet gjuhën”, “Mikrostruktura e tekstit”, “Aksidenti i orës shqiptare”, “Frutat bizare”, “Përmasat e kontekstit”, “Grass on the window”, “Simboli dhe rivalët e tij”, “Burimi nën gjuhë”, “Paradigma kadareane” dhe “Zbutja e gjarprit”.

Çapriqi është prezantuar në disa antologji të letërsisë shqipe, ndërsa poezia e tij është përkthyer në gjuhën angleze, frënge, gjermane, rumune, polake, serbokroate, maqedone dhe malazeze.

Ai është kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.

 

Ismet Kallaba