Nail Draga: Migrimi në Krajë dukuri konstante
Popullsia dhe vendbanimet e Krajës (1948-2011) (2)
Nga Dr Nail Draga
Në sajë të kushteve të pavolitshme ekonomike në këtë mjedis, si mungesës së tokës së mjaftueshme për bujqësi, infrastrukturëssë pazhvilluar, mungesës së ujit të pijshëm e po ashtu edhe largësisë nga qendra kryesore urbane – Shkodra, procesi i migrimit të popullsisë ka qenë dukuri konstante.
Ndonëse migrime të tilla ka pasur me siguri edhe më herët, të dhënat e para të dokumentura janë nga shek. XVIII e më pas. Edhe pse motivi ekonomik ka dominuar në migrimin e popullsisë, nuk përjashtohen edhe motive të tjera, por ato kanë qenë minimale.
Duhet cekur me këtë rast motivin konfesional, sikurse është rasti me migrimin e popullsisë nga Ljarja e Brisku në Zarë, në fillim të shek. XVIII. Por, nuk ka dilemë se pjesa më e madhe e kranjanëve kanë emigruar në Turqi, sepse një dukuri e tillë duke filluar nga shek. XIX u bë diçka normale.
Vendosja e tyre ishte kryesisht në kryeqytetin e Perandorisë Osmane në Stamboll, por edhe në qytete të tjera si Bursa, Izmiri etj. Në këto qytete kranjanët kanë punuar kryesisht në eprimtaritë shërbyese, por ka pasur edhe persona që kanë arritur deri në administratën perandorake – pallatin e sulltanit, sikurse është rasti i Tahir Pashë Kranjanit.
Nga ana tjetër, qyteti i cili ka joshur më tepër kranjanët ka qenë Shkodra, ku migrimi i popullsisë dhe vendosja e tyre ka qenë konstante. Sipas disa të dhënave të përafërta, në këtë qytet janë rreth 10 000 banorë me origjinë nga kjo krahinë. Në sajë të rrethanave të reja pas Luftës së Dytë Botërore dhe prishjes së marrëdhënieve në mes ish-Jugosllavisë dhe Shqipërisë (1948), procesi i emigrimit të popullsisë nga Kraja mori drejtime të tjera, si në Ulqin e Tivar, ku kryesisht janë vendosur fillimisht në rrethinën e ngushtë të tyre.
Procesi i emigrimit të popullsisë mori përmasa të mëdha në drejtim të botës së jashtme duke filluar nga viti 1968 e më pas, duke u vendosur kryesisht në botën e jashtme (Evropë Perëndimore, SHBA, Australi).
Popullsia
Periudha pas Luftës së Dytë Botërore në sajë të rrethanave të reja shoqërore dëshmon se ka pësuar ndryshime edhe demografia e këtij mjedisi. Janë pikërisht të dhënat statistikore për numrin e popullsisë sipas vendbanimeve dhe zonave të tyre që dëshmojnë se kemi të bëjmë me ndryshime sasiore, ku në sajë të emigrimit të vazhdueshëm të popullsisë dhe shtimit të ulët natyror, këtu është paraqitur procesi i shpopullimit. Dhe një dukuri e tillë dëshmohet sepse vendbanimet e kësaj krahine kanë rënie të vazhdueshme të popullsisë, ku disa fshatra tash janë pa banorë. Dukuria e tillë është e pranishme në tërë Krajën, por më e theksuar është në Anën e Sipërme (Perëndimore), e cila është para shpopullimit të plotë. Të dhënat demografike për Krajën dëshmojnë së për 60 vite, popullsia e Krajës ka pësuar rënie për 3137 banorë apo për 62.51% e popullsisë së përgjithshme, dukuri kjo e cila në sajë të rrethanave aktuale shoqërore do të vazhdojë gjithnjë (shih tabelën nr.1).
Tabela nr.1
Popullsia e Krajës 1948-2011
Viti banorë
1948 5018 banorë
1953 5289 banorë
1961 5635 banorë
1971 5556 banorë
1981 5416 banorë
1991 5434 banorë
2003 2371 banorë
2011 1881 banorë
Nga të dhënat statistikore del qartë se rënia e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Krajë ka filluar nga viti 1991 e më pas. Një e dhënë e tillë duhet të merret me rezervë sepse emigrimi i popullsisë nga Kraja është më i hershëm, duke filluar nga viti 1968 e më pas me një dinamikë të lartë, por çështja qëndron tek evidentimi i saj në kuadër të regjistrimit të popullsisë së përgjithshme. Këtu pikërisht qëndron problemi edhe te regjistrimi i fundit i popullsisë në prill 2011 sepse në të nuk është evidentuar fare diaspora e cila është jashtë vendlindjes më tepër se një vit. Dhe është pikërisht kjo dukuri e cila ka përcaktuar numrin e tillë të banorëve, që është më i vogli për Krajën nga viti 1948 e më pas, ku numri prej 1881 banorëve ka të bëjë me popullsinë e cila gjendet në vend, pra pa ato në diasporë.
Politika perfide e asimilimit të popullsisë shqiptare
Kufizimi i Krajës me krahinën e Cërmnicës në perëndim të saj, e cila ishte me popullsi sllave dhe përkatësi ortodokse, në sajë të konflikteve të zhvilluara në shek. XIX, ka ndikuar negativisht në popullsinë vendore, kryesisht në Anën e Sipërme – Shestan. Me këtë rast duhet përkujtuar konfliktet e zënkat kufitare e sidomos, pushtimin e Krajës nga malazezët në vitin 1861 dhe 1877. Këto dy pushtime, të cilat si qëllim kishin zgjerimin territorial të Malit të Zi, u manifestuan me luftime, plaçkitje e vrasje që kanë pasur pasoja në atë kohë dhe më pas në migrimin e popullsisë vendore. Në lidhje me këto ngjarje kemi të dhëna të shkruara, por edhe nga tradita popullore, që si të tilla arrijnë deri në ditët tona.
Vendosja e kufirit në mes Malit të Zi dhe Perandorisë Osmane, përkatësisht Shqipërisë, duke e ndarë Krajën pothuajse përgjysmë në sajë të vendimeve të Kongresit të Berlinit (1878), bëri që të krijoheshin raporte të reja në këtë mjedis. Por, pas vitit 1912, në sajë të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër(1913), edhe pjesa lindore e Krajës iu dha nën administrim Malit të Zi, duke bërë shkëputjen nga shteti amë Shqipëria.
Në rrethana të reja, popullsia e Krajës si dhe e viseve tjera shqiptare në Mal të Zi, u gjend para sfidave të reja. Në rrethanatë reja, popullsia shqiptare u gjend para sfidave të mëdha sepse politika e Malit të Zi ishte asimiluese, gjë që dëshmohet me hapjen e shkollave në gjuhën sllave dhe ndryshimin e identitetit nacional duke iu vendosur mbiemrave prapashtesën sllave -viq dhe -iq.
Se nga aneksimi i territoreve të banuara me shqiptarë, politika e Knjaz Nikollës ishte politikë asimiluese ndaj shqiptarëve nuk paraqet ndonjë befasi, ku për diçkatë tillë kanë përdorur metoda perfide për t’ia arritur qëllimit. Kështu në Anën e Sipërme, pushtetarëve të rinj iu ka penguar edhe qeleshja apo kësula e bardhë e shqiptarëve. Andaj, duke eliminuar këtë element të identitetit të shqiptarëve kanë menduar se shqiptarët do të asimilohen më lehtë. Kështu, kemi të dhëna se ai shqiptar që do të mbajë kapuçin e bardhë do të dënohej me një napolon ari. Pikërisht, për këtë shkak u dënua Gjeçi i Tulit nga Ljarja, i cili u detyrua të paguaj dënimin. (Shih Buzuku, nr.11/2003)
Dhe nga një gjendje e tillë shumë shqiptarë me kalimin e kohës u detyruan të heqin qeleshen e bardhë, duke e zëvendësuar atë me ndonjë tjetër për nga forma dhe modeli. Madje nuk është numri i vogël i atyre që me kalimin e kohës vendosen në kokë kapicën malazeze.
Koha Javore





