Peripecitë e udhëtimit të mërgimtarëve drejt vendlindjes

August 7, 2012   | Opinione
Foto:Info Bar

Foto:Info Bar

Në fillim të sezonit turistik vërehet një dyndje e mërgimtarëve nga Evropa në drejtim të Ulqinit si destinacion pushimi dhe si vend tranziti për të kaluar në Shqipëri, si dhe për të tjerët për të vazhduar rrugën në shtëpitë e tyre në Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore etj.

Si gjithmonë, kur mërgimtarët tanë marrin rrugën e vendlindjes, është bërë traditë udhëtimi në mënyrë të organizuar, në të shumtën e rasteve nga dy apo më shumë makina, për ta përshkuar rrugën nga shtetet evropiane përmes Kroacisë dhe Malit të Zi, deri në vendlindjet e tyre. Udhëtimi i tyre deri në Mal të Zi mund të thuhet se shkon për së mbari, me përjashtim të Kroacisë ku ndodhin disa vonesa, pengesa etj.

Me hyrjen në Mal të Zi dhe orientimin drejt Ulqinit dhe shtetet ku është destinacioni i mërgimtarëve, fillon edhe konfuzioni total. Që nga Petrovaci fillon frustrimi, nervozizmi dhe çrregullimi i shoferëve sepse vështirësohet qarkullimi i tyre. Udhëtreguesit dhe sinjalistika rrugore janë katastrofike, sidomos për shoferët që udhëtojnë për të parën herë në këtë rrugë. Në Tivar mërgimtarët nuk gjejnë asnjë tabelë me këtë emër, por me emrin Bar, të cilën shumë nga mërgimtarët nuk e dine. Ndërsa për tabelën me emrin Ulcinj mund ta kuptojnë se bëhet fjalë për Ulqinin, cili mërgimtar do ta kuptojë tabelën ku shkruhet Skadar që tregon kahjen për Shkodër?

Në Tivar fillon çorientimi i tyre, ndarja dhe shpërndarja në rrugë të ndryshme, disa duke marrë rrugën për Katërkollë, duke mos ditur se ku do të dalin, kurse të tjerët duke vazhduar rrugën drejt Ulqinit. Pasi që kalojnë qytetin e Tivarit dhe orientohen drejt Ulqinit, për ata që duan të vazhdojnë rrugën për Shqipëri lind dyshimi se cila është rruga e radhës për t’u orientuar sepse askund nuk është vendosur një udhëtregues ku shkruan Albania, Shqipëria, Shkodër, Kufi, por vetëm Sukobin dhe Vladimir. Por cili emigrant, sidomos ata të moshave të reja që kanë lindur e janë rritur në Evropë, e din se duhet marrë këtë rrugë për t’u orientuar drejt Shqipërisë. Në këtë moment çorientohet edhe pjesa tjetër e shoferëve pa ditur saktë se ku do të përfundojnë. Disa marrin rrugën sipas udhëtreguesit Sukobin, Vladimir, për ç’gjë i detyron edhe navigator për ata që e kanë në makinë, kurse të tjerët vazhdojnë rrugën për Ulqin.

Hyrja në qytetin e Ulqinit për shoferët është e qartë sepse shkruan tabela Ulcinj – Ulqin. Por si të veprohet pas kësaj tabele? Ata që dëshirojnë të ndalen në qytet, si të orientohen për qendrën e qytetit, me një tabelë të vogël që për ne që jetojmë këtu mezi e hetojmë se shkruan CENTAR. Po për atë udhëtar që ndodhet për të parën herë dhe që ka udhëtuar njëzet orë, si do të mbërrijë në qendrën e qytetit të Ulqinit nëse ka dëshirë? Po ata mërgimtarë që dëshirojnë të vazhdojnë rrugën për Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kosovë Lindore, kah duhet të vazhdojnë rrugën?

Fillon frustrimi i radhës. Disa vazhdojnë rrugën drejt dhe pas 200 metrave përfundojnë në Shtoj, disa me hamendje marrin rrugën për Katërkollë, Malin e Brisë, Shas dhe në këtë rast, edhe këtu ndodh përsëri shpërndarja e mërgimtarëve, disa majtas e disa drejt. Pas pak kilometrash, disa nga shoferët që marrin rrugën drejt Katërkollës, sidomos ata që kalojnë për të parën herë dhe ata që e bëjnë këtë rrugë shumë rrallë, marrin orientimin e gabuar drejt Zogajve, Darzës apo Malit të Brisë. Disa madje vazhdojnë këtë rrugë dhe përfundojnë në fshatin Shën Gjergj, disa kanë fatin dhe marrin orientimin e drejtë, jo për shkak të sinjalistikës, por duke vepruar me hamendje ose duke pyetur kalimtarët e rastit, por duke mos shkuar shumë larg dhe duke vazhduar rrugën pa ndërprerje drejt Krajës. Për shkak të një pakujdesie të vogël, disa përfundojnë në Ostros pa dashje e disa marrin kthesën djathtas deri në kufirin Mali i Zi – Shqipëri, ku radha e gjata dhe vonesat e bëjnë mërgimtarin të zhgënjehet pse e mori këtë udhëtim.

E ndërsa hyn në Shqipëri, e cila ashtu si dhe Mali i Zi synon integrimin në Bashkimin Evropian, pas disa kilometrash, me kalimin e Urës së bukur mbi lumin Buna, në rrethrrotullimin e parë disa nga shoferët marrin rrugëtimin majtas dhe pa dashje përfundojnë në qytetin e Shkodrës e disa orientohen drejt Tiranës.

Këtu ndodh çorientimi i radhës dhe shkapërderdhja e atyre që së bashku janë nisur nga shtetet evropiane. Nuk po ndalem në shumë vështirësi të tjera të fushave të ndryshme, por me futjen në autostradën që lidh Shqipërinë dhe Kosovën, një freski e përjeton udhëtari në atë pjesë të rrugës që ka edhe aty shumë gjëra negative që të bien në sy, por gjithsesi kjo pjesë rrugore mërgimtarit i kthen qetësinë për pak minuta ose për pak orë. Sepse përsëri në kufirin Shqipëri – Kosovë, mërgimtari nuk pritet siç e meriton. Pritjet e gjata dhe me orë të tëra, pagesat e sigurimeve me çmime kolosale, mërgimtarit ia humbin dhe ia largojnë mallin për atdheun e tyre.

Koha Javore