Panairi i Ulqinit, pa botues nga Kosova

August 11, 2012   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Ulqin, 10 gusht   – Drejtori i Qendrës për Kulturë, Nail Draga, ka kujtuar se libri është miku më i mirë i të gjithëve, por botuesit kanë dalë të mos jenë aq miqësorë me panairin e librit “Ulqini 2012”. Në fjalën e tij në hapje të edicionit të dymbëdhjetë të panairit, të mërkurën mbrëma, i pari i institucionit që organizon këtë ngjarje kulturore, ka përmendur edhe krizën e librit. E kriza duket se ka goditur edhe panairin e sivjetmë.

Me jo më shumë se dhjetë botues e shitës librash vjen oferta për lexuesit. Në mesin e tyre nuk ka asnjë botues nga Kosova. Mungojnë edhe botues të mëdhenj nga Shqipëria përderisa në natën e parë, në rendin e shtandeve të vendosur në të djathtë të shëtitores në Ranë – në rrugën që çon për në Kala – dy prej tyre kanë qenë bosh. Megjithatë Draga e ka mbyllur fjalimin me optimizëm.

“Shpresojmë që në panairet e ardhshme të jenë të pranishëm botues me renome jo vetëm nga hapësira mbarëshqiptare, por edhe të gjithë të tjerëve të nivelit ballkanik”, ka thënë ai në një ceremoni krejt të thjeshtë tek ia ka dhënë fjalën kryetarit të Komunës së Ulqinit, Nazif Cungu.

“Një traditë e bukur që vazhdon prej 12 vitesh”, e ka cilësuar Cungu, panairin e librit. Për Cungun, panairi i jep Ulqinit një dimension të veçantë të lidhjes së tij me librin, dijen e artin.

“Për intelektualët dhe njerëzit e penës ky panair mbetet promotor i krijimeve me vlera të mirëfillta qofshin ato artistike apo shkencore”, ka thënë Cungu. Kreu i qytetit me rreth 25 mijë banorë, nuk e ka lënë pa bërë një premtim. Ka thënë se do të mbështesë librin jo vetëm në kuptimin financiar. “Por edhe në forma të tjera të cilat do të ndikojnë që libri të jetë sa më shumë i pranishëm te lexuesi”, ka thënë Cungu.

Zyrtarisht ai e ka shpallur të hapur panairin e librit “Ulqini 2012” e fill pas tij, në “play back” ia ka thënë këngës Ramadan Krasniqi – Dani. Taksa zyrtarët kanë cakërruar gotat, Dani i ka kënduar tradhtisë a trishtimit nga dashuria e humbur. Në publik shumica kanë qenë kalimtarë rasti.

“Më trishton që nuk ka botues nga Kosova”, ka thënë nja pesë minuta pas hapjes solemne të panairit, Apostol Duka. Ky librashitës nga Shqipëria që prezantohet si botuesi “Labova”, edhe në natën e parë të panairit ka vazhduar të shesë libra pak metra larg shtandeve ku ka zënë vend tash nja njëzet ditë.

“Jam vërtet i trishtuar edhe që nuk ka më shumë botues nga Shqipëria”, shton Duka teksa sqaron se edhe në panair, shtëpia e tij ka marrë një shtand për të cilin paguhet 10 euro në ditë, por vetë ai nuk e “tradhton” vendin në hyrje të shëtitores ku nuk paguan asnjë cent. Por Duka thotë se mungesa e botuesve është kompensuar. “Botuesit mungojnë, por jo edhe librat e tyre. Vërtet nuk janë botuesit, por librat e tyre kanë ardhur”, ka thënë ai teksa bisedën ia ndërpret pyetja e një lexueseje për çmimin e “Kanunit të Lek Dukagjinit”. Për Panairin e Ulqinit – ku ai thotë se merr pjesë prej edicionit të parë ashtu si edhe në atë të Prishtinës – Duka ka fjalë të mira. “Është gjithsesi një ngjarje e bukur në qytetin e Ulqinit”, ka thënë ai. “Mbase nuk e ka lavdinë e panaireve në qytete të mëdha, po e ka sharmin e intimitetin e vet”.

E intimiteti i Panairit të Ulqinit vërehet ashiqare në shtandin e asociacionit “Ulqini”. Tek bëjnë xhiro në korzo, një grup ulqinakësh e pyesin botuesin lokal, Gazmend Çitaku, nëse sezoni i shitjes së librit është më i mirë se sa ai turistik. Vendësit ankohen që kjo verë me fillim nuk ka qenë fort “bereqetshme”. Por hesapet e Çitakut që në natën e parë të panairit janë pozitive.

“Ka interesim për librin shqip. Panairi është i vizitueshëm”, ka thënë Çitaku pak minuta para mesnatës përderisa disa nga kolegët e tij kishin mbledhur librat duke e “shpallur” të mbyllur natën e parë të Panairit. Bashkë me “Art Clubin”, në edicionin sivjetmë të ekspozitë ekspozitës së librit, kanë sjellë dhjetë tituj të rinj.

“E konsideroj sukses shumë të madh që për një qytet si Ulqini, të dalin kaq tituj të rinj për këto shtatë, tetë muajt e fundit”, ka thënë ai. Megjithatë ai i kthehet sërish muhabetit të panairit. “Sivjet organizimi është pak më i dobët. Mungesë shumë e madhe është ajo e botuesve nga Kosova. Nuk e di a na bojkotojnë apo si është puna”, ka thënë ai. Çitaku zë për fjale përfaqësuesit e Shoqatës së Botuesve të Kosovës dhe ata të Unionit. “Nënkryetari i ShBK-së, Besian Zeneli, ka thënë se nuk u interesojnë panairet e vogla, por ato të mëdhatë. Ne kemi marrë pjesë edhe në Panairin e Frankfurtit, por dalim edhe këtu. Edhe përfaqësuesi i Unionit të Botuesve, Behxhet Bici, në momentet e fundit është tërhequr nga pjesëmarrja”, ka thënë Çitaku. Nënkryetari i ShBK-së, një javë para hapjes së Panairit të Librit në Ulqin, kishte thënë për gazetë se ani pse deri atëherë nuk kishin marrë ftesë për pjesëmarrje – nuk besonte se do t’i përgjigjeshin pozitivisht.

”Por ne kemi nevojë për bashkëpunim dhe shpresoj që vitin ardhshëm do të jenë këtu”, thotë Çitaku, njëri nga botuesit e paktë në qytetin me shumicë shqiptare.

Panairi i Librit – i cili konsiderohet si njëra ndër ngjarjet kryesore kulturore në Ulqin bashkë me Skenën Verore e cila po mbahet në Kala dhe Kalimerën Poetike, edicioni i 20-të i së cilës u mbajt në fillim të këtij muaji – do të jetë i hapur deri të dielën.

Koha Net

1