Ali Ahmeti takoi Kryetarin e Ulqinit Cungu dhe Deputetin Nimanbegu – Video

August 29, 2012   | Rajoni / Region

Sot në selinë e Bashkimit Demokratik për Integrim në Tetovë, z. Ali Ahmeti, ka realizuar takim me Kryetarin e Ulqinit, z. Nazif Cungu dhe Deputetin shqiptar në parlamentin e Malit të Zi, z. Genci Nimanbegu nga partia politike Forca e Re Demokratike.

Në takimin miqësor u bisedua rreth zhvillimeve politike në Maqedoni, Mal të Zi si dhe në rajon.

Kryetari Ahmeti shtjelloi para mysafirëve situatën politike në Maqedoni si dhe të arriturat e vendit në aspekt të avancimit të të drejtave të shqiptarëve në këtë vend, përfshirë përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar, avancimin e përdorimit të gjuhës, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat, zyrtarizimin e Univerzitetit Shtetëror të Tetovës, parimin e Badinterit, etj.

Bashkëbiseduesit diskutuan edhe për gjendjen e shqiptarëve në rajon duke vlerësuar që proceset kombëtare po avancohen çdo ditë e më tepër, në veqanti pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Solidariteti ndërshqiptar, i dëshmuar ndër vite, duhet të vazhdojë në frymën e promovimit të integrimeve EuroAtlantike të vendeve të rajonit.

Z. Cungu shprehu vlerësimin e vet për rolin e Kryetarit Ahmeti në Maqedoni dhe në rajon duke theksuar të arriturat e shqiptarëve në këtë vend. Ai gjithashtu informoi Kryetarin Ahmeti rreth gjendjës së komunitetit shqiptar në Mal të Zi si dhe përpjekjeve të partisë së tij politike për të avancuar pozitën e shqiptarëve në këtë vend. Z. Cungu gjithashtu foli për komunën e Ulqinit, të cilën e drejton, dhe për hapat e rëndësishme që ka ndërmarrë që Ulqini të jetë perlë bregdetare dhe e vizituar nga të gjithë.

Pjesëmarrësit u dakorduan që të vazhdojnë kontaktet dhe të ndajnë përvojat e menaxhimit nga të dy vendet në drejtim të avancimit sa më të madh të të drejtave të shqiptarëve, por edhe të ndihmojnë procesin integrues të të dy vendeve dhe të rajonit në Bashkimin Evropian dhe NATO.

Bashkimi Demokratik për Integrim

YouTube Preview Image