Bleona Qereti, ikona 4 milionë dollarëshe – Video

August 29, 2012   | Lajmet / Vijesti

Pas një mungese 2- vjeçare, këngëtarja Bleona Qereti është kthyer dje në tokën mëmë, në vendin që e bëri të famshme. Nën shoqërinë e prindërve dhe qenit të saj Xhon, këngëtarja është ulur dje në aeroportin “Nënë Tereza” me një avion privat “Citation Xls”. Ndërkohë, Bleona përgjatë gjithë kohës është shoqëruar edhe nga kamerat amerikane, për shkak se me rikthimin e saj në Amerikë, televizionet atje do të transmetojnë një dokumentar për tour-in, me backstage. Këngëtarja është pritur ndërsa ka dalë nga hyrja VIP, nga katër bodyguardë dhe nga dy makina luksoze.

Siç dihet, arsyeja e ardhjes së Bleonës në Shqipëri është promovimi i albumit të parë në Amerikë. Siç besojmë keni parë në reklama, pjesë e tour-it do të jenë edhe dy DJ zyrtarë të Timbaland, Dj Free Style dhe Brasco, të cilët do të mbërrijnë nesër në Tiranë për koncertin e Vlorës.

Albumi
Shumë prej jush do të vënë duart në kokë kur të mësojnë faturën marramendëse që ka paguar këngëtarja për realizimin e këtij albumi… Plot 3 milionë dollarë, ka paguar Bleona Qereti për të realizuar këtë album të parë në Amerikë, për këngët e të cilit ka punuar me producentët më të mirë të muzikës, siç janë Timbaland, apo Rodney Jerkins (Darkchild)… Sakaq, kjo nuk është e gjitha: Videoja që do të promovojë albumin kap koston e 500 mijë dollarëve, ndërkohë që shpenzimet për tour-in janë të pallogaritshme dhe me shumë gjasa edhe ato do ta kalojnë shifrën e gjysëm milioni dollarë…
Pushimet
Por Bleona është mësuar tashmë me jetën e shtrenjtë. I duhet që çdo javë të udhëtojë nga një kontinent në tjetrin për shkak të eventeve VIP ku është e ftuar, kujtojmë këtu: Javët e modës, aktivitetet muzikore, apo ato të bamirësisë. Ndërkohë që edhe pushimet janë shumë të rëndësishme për një njeri si ajo, që jeton gjatë gjithë kohës nën presionin e kësaj të fundit. Vetëm dy javë më parë ka qenë në Sardenja, ndërkaq, përpara se të vinte në Shqipëri ishte duke pushuar në Bodrum të Turqisë me familjen e saj. Fotot e pushimeve po i sjellim edhe ne, siç kemi bërë edhe me pushimet e mëparshme të saj, përkrah emrave të njohur si Roberto Cavalli, etj.
Tour-i
“Tour-in po e nis nga Vlora duke qenë se është 100-vjetori i Pavarësisë dhe do vazhdoj me Shkodrën, pasi babai im është shkodran dhe unë kam gjak shkodran. Është në axhendë edhe Elbasani, pasi ai është qyteti ku unë kam nisur karrierën. Të tre këto qytete nuk i ndaj dot, sepse kanë lidhje direkte me mua. Më pas tour-i do të vazhdojë me Prishtinën, Zvicrën, Italinë, Tiranën, Tetovën, Gjermaninë, Francën. Me shumë gjasa kjo maratonë koncertesh do të mbyllet në New York e Los Angeles, por asgjë nuk është mbyllur ende, pasi unë vendosa shumë vonë për të ndërmarrë tour-in”, – është shprehur këngëtarja gjatë ditës së djeshme për suplementin, ndërsa ka shtuar se arsyeja pse tour-i filloi nga Shqipëria është në një farë mënyre detyrimi që ka ajo ndaj fansave që e kanë mbështetur për 20 vjet. Bleona tha se me shumë mundësi, ajo do të sjellë në Tiranë, Timbalandin, por kjo mbetet evazive, në varësi të angazhimeve të tij. Bleona Qereti është këngëtarja e parë shqiptare, që po tenton pa fund për të bërë një karrierë në Amerikë, dhe këtë po e bën pa ndihmën e askujt, duke mos mohuar motivimin moral që i ka bërë familja dhe Gani, bashkëshorti i saj. Kënga “Pass out”, singëlli i parë i albumit do dalë në radio në Rusi, Turqi, Angli, Itali, Francë dhe Amerikë gjatë muajve shtator-tetor, ndërkohë që Shqipëria do të ketë rastin ta dëgjojë e para…

Eraldo Rexho Bluetooth

YouTube Preview Image