Nail Draga:Për Shqiptarët,Amerika është shpresa e fundit

August 29, 2012   | Intervista / Intervju

AMERIKA ËSHTË SHPRESA E FUNDIT

Bisedë me analistin dr.Nail Draga

Organizuar nga Universiteti Kolumbia dhe Universiteti i Nju Jorkut      me 2 qershor të këtij viti  në Nju Jork u mbajt Konferenca me titull  “Shqiptarët në Mal të Zi, historia, identiteti dhe politika e minoriteteve në shtetin e ri”. Në ketë konferencë qe është e para e këtij niveli qe organizohet në SHBA, mori pjesë edhe analisti i njohur nga Malimi Zi, dr.Nail Draga

Koha Javore:Ju moret pjesë në Konferecën  Ndërkombëtare mbi të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi. Cilat janë problemet më të cilat përballen shqiptarët në Mal të Zi dhe si u përkufizu gjendja e tyre në ate konferencë?

Draga: Organizuar nga Universiteti Kolumbia dhe Universiteti i Nju Jorkut      me 2 qershor të këtij viti  në Nju Jork u mbajt Konferenca me titull  “Shqiptarët në Mal të Zi, historia, identiteti dhe politika e minoriteteve në shtetin e ri”. Në ketë konferencë qe është e para e këtij niveli qe organizohet në SHBA, pjesëmarrësit trajtuan çështje të ndryshme sipas fahut të tyre profesional, duke ofruar argumente në lidhje me Malin e Zi në të kaluarën por edhe tash pas pavarësimit të tij nga viti 2006. Është meritë e organizatorit që në ketë Konferencë perveç shqiptarëve morën pjesë edhe tre studiues të huaj si Stefan Wolff, Anna Di Lellio  dhe David Filips, autoritete nga fahu i tyre profesional. Ndërsa unë isha i ftuar ga organizatorët si i vetmi nga Mali i Zi të referoj me kumtesë e cila kishte titullin  “Shqiptarët në Mal të Zi- qytetarë më të drejta të kufizuara”, ku kam ofruar argumente nga gama e gjerë e veprimtarive si nga fusha e arsimit, kulturës, gjuhës, punësimit, demografisë, nga del qartë se shqiptarët si popull janë qytetarë me të drejta të kufizuara nga del se janë në pozitë të pabarabartë me të tjerët si  në aspektin qytetar e ate nacional. Por, edhe diskutuesit tjerë me të dhënat e prezentuara, pothuaj ishin ne ketë konstatim.

Koha Javore: Mali i Zi mori datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësimin  në BE. Sa është  i njohur  faktori europian me problemin e shqiptarëve në realizimin e të drejtave të tyre?

Draga: Çështja nuk qendron ne ate se sa është i njohur faktori europian me çështjen shqiptare në Mal të Zi, por sa subjektet shqiptare janë angazhuar drejpërdrejt në këtë problem, për t iu prezantuar atyre. Ose qe të jem me konkret, sa shkresa apo ankesa nga subjektet politike shqiptare në Mal të Zi i janë drejtuar Brukselit. Me keqardhje them pak për të mos thënë aspak. Pra, duhet angazhim konkret ne ketë drejtim, sepse  të tjerët nuk do të na i kryejnë punët tona.

Fatkeqsisht ne shqiptarët jemi duke u marrë si  shumë me vetvehten duke humbur energji pa nevojë e jo me adresat përkatëse. Sepse çështja  e një populli në shtetet multinacionale  sikurse është Mali i Zi, nuk është çështje e  brendshme e një shteti por ajo është çështje ndërkombëtare. Andaj, angazhimi ne ketë drejtim me persona të guximshëm dhe të dëshmuar profesionalisht, duhet të jetë preokupimi i jonë i vazhdueshëm. Sepse çështja shqiptare në Mal të Zi, kërkon zgjidhje demokratike sipas normave ndërkombëtare që janë të njohura për vendet multinacionale. Eshtë tjetër gjë se faktori europian e ka ledhatuar si shumë Malin e Zi, për hirë te interesave strategjike regjionale duke anashkaluar kërkesat legale dhe legjitime të shqiptarëve për barazi qytetare dhe nacionale.

Koha Javore: Z.Draga sa ka ndryshuar gjendja e të drejtave të shqiptarëve pas pavarësisë së Malit të Zi, kur dihet se ky komunitet e mbeshteti fuqishëm referendumin gjithëpopullor?

Draga:Opinioni i gjerë tashmë e ka të njohur kontributin e shqiptarëve për pavarësinë e Malit tč Zi, sepse votat e qytetarëve shqiptarë kanë qenë vendimtare. Pa votat tona pavarësia do të ishte iluzion për malazezet. Ndonse shqiptarët kanë qenë të vetdijshëm se pushteti do të hezitojë për realizimin e të drejtave qytetare dhe nacionale të shqiptarëve, megjithate ka ekzituar një lloj bindjeje se në shtetin e pavarur do te ekzistojë një mirëkuptim nga pushteti, por, ndodhi e kundërta. Shqiptarët jo qe nuk u avansuan ne të drejtat e tyre por iu cenuan edhe te drejtat e arritura. Ne ketë aspekt duhet cekur ligjet të cilat janë miratuar nga Parlamenti i Malit të Zi, sikurse janë nga fusha e arsimit, mbrojtjen e rendit dhe qetësisë publike, ligji zgjedhor, ligji për organizimin territorial etj., dëshmojnë në mënyrë transprente një konstatim të tillë. Kur kësaj game i shtojmë centralizimin e pushtetit në vazhdimësi, privatizimin e dështuar, mos përfaqësimin proporcional të shqiptarëve në organet e qeverisjes si ne nivelin lokal dhe ate shtetëror, del qartë pozita e pabarabartë e shqiptarëve ne aspektin qytetar dhe nacional. E themi pa hezitim  se gjashtë vite pas referendumit  për pavarësi shqiptarët e ndiejnë vetën të  mashtruar nga pushteti i Malit të Zi.

Koha Javore: Për çështjen e Komunës së plotë të Malësisë janë deklaruar senatoret amerikanë dhe autoritetet me të lartë të Tiranës. Sa e njeh faktori ndërkombëtar këtë problem?

Draga: Çështja e komunës së Malësisë me qendër në Tuz, nuk është çështje as e re as e panjohur për opinionin vendas e ate ndërkombëtar.Ajo është e lidhur ngusht me decentralizimin si e drejtë e pamohueshme e qytetarëve, pra të funksionimit të autonomisë lokale në përgjithësi e për pakicat nacionale në veçanti. Përveç  subjekteve politike shqiptare që nga aprovimi i pluralizmit politik në Mal të Zi(1990), në lidhje me këtë çështje janë pronocuar pozitivisht edhe subjekte të tjera opozitare në Mal të Zi, por edhe personalitete ndërkombëtare. Por, problemi qendron të mos ekzistimi i vullnetit politik të pushteti aktual në Mal të Zi, edhe pse ata me ketë çështje kanë manipuluar qytetarët sidomos në prag të fushatave parazgjedhore. Por, kësaj demagogjie nuk i bëson më kush, sepse edhe Ligji për organizim territorial, ndonse mundëson organizimin e referendumit për deklarim të qytetarëve për komunë të pavarur, fjalën përfundimtare e jep Qeveria, nga del se çdo gjë varet nga disponimi dhe kalkulimet e tyre politike. Andaj, ne ketë aspekt si të vetmen zgjidhje shoh faktorin ndërkombëtar, e ate kryesisht amerikan.Madje duhet të citoj një thënie te Abraham Lincolnit se “Amerika është shpresa e fundit e njerëzimit”.Ne ketë aspekt e shoh edhe mbeshtetjen e senatoreve amerikanë. Ndonse e vonuar, edhe deklarata e fundit e kryeministrit të Shqipërisë, z.Sali Berisha, duhet vlerësuar, sepse siç duket përfundimisht është bindur edhe vet se shqiptarët kërkojnë të drejta sipas standardëve ndërkombëtare në fushën e decentralizimit të pushtetit.Sepse nuk duhet të sakrifikohet gjithnjë Malësia për të pushtetit në Podgoricë.  Nga ana tjetër shteti amë Shqipëria e ka obligim kushtetutar të kujdeset për bashkëkombasit e vet. Shqiptarët në Mal të Zi nga Shqipëria presin veprime konkrete ne ketë drejtim  e jo vetëm deklarata  të rastit.

Koha Javore: Ne tetor do te mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si duhet te organizohen subjektet politike nacionale shqiptare?

Draga: Në sajë të ligjit të ri zgjedhor, shqiptarët janë të diskriminuar, sepse nga pesë deputet sa mund te jepnin më parë tash maksimumi është tre pra, iu mohuan të drejtat e arritura.Ne keto zgjedhje e mira do të ishte që shqiptarët të jenë në një listë të përbashkët, por duke ditur animozitetin dhe komplekset e ca personave udhëheqes, do të jetë vështirë të arrihet një qellim i tillë. Andaj  si mundësi të kompromisit në fund shoh formimin e dy listave zgjedhore njëra Forca-PD dhe tjetra e UDSH, ku do t’ iu bashkangjitën edhe subjekte të tjera minore. Çdo veprim i kundërt nuk do të ishte në favor të shqiptarëve ne ketë mjedis.

Bisedoi:A.Salaj

 

Kohen Javore, 9 gusht 2012