Gjon Lulgjuraj-atdhetar që shkrihet për komb e atdhe – Video
Kurdo dhe kudo takoj apo korrespondoj përmes telefonit apo postës elektronike me mërgimtarë shqiptarë në diasporë në mendjen dhe shpirtin tim ndjejë një krenari të qëndrueshme të cilën e bazoj në kontributin dhe sakrificën e tyre të vazhdueshme për t’i ndihmuar vendlindjes së tyre të dashur, të afërmve, bashkëvendasve e bashkëkombasve në nevojë dhe kombit shqiptar në përgjithësi. Sepse, shumë nga ata, larg vatrave të tyre stërgjyshore, janë bërë emblema e shqiptarizmit, duke u vënë në ballë të përpjekjeve dhe të luftës për lirinë e kombit shqiptar. Andaj vepra e paharrueshme e këtyre burrave atdhetarë të mërgatës sonë për internacio0nalizimin, institucionalizimin, unifikimin e problemeve tona të pa zgjidhura duhet të nderohet.
Dhe pikërisht ky shkrim, i cili protagonist ka veprimtarin e shquar të mërgatës shqiptare në Amerikë Gjon Lulgjuraj, synon të shpalosë shkurt veprimtarinë e vërtetë dhe angazhimin e suksesshëm të këtij biri të devotshëm të Malësisë së Mbishkodrës (një nga krahinat më heroike shqiptare të qëndresës kundër pushtuesve) në shërbim të çështjes shqiptare. Këtij njeriu të heshtur, të thjeshtë e modest për nga natyra, mikut tim të shtrenjtë, nuk i pëlqen lavdërimi për atë çfarë ka bërë dhe po bën për kauzën shqiptare, për liritë dhe të drejtat e tyre , për bashkimin kombëtar,për angazhimin e tij për ta mbajtur gjallë gjuhën e bukur shqipe në mërgim, për kultivimin e këngës shqipe që prek zemrën dhe gjallëron shpirtin e çdo shqiptari , me të cilat përcillet brez pas brezi nëpër shekuj e gjithë historia jonë kombëtare, por edhe lehtësohet dhimbja e plagëve të mallit për atdheun. Prandaj, duke i respektuar këto virtyte njerëzore të këtij bashkëkombasi me shpirt të madh të një atdhetari që shkrihet për komb e atdhe, do të kursehem nga fjalët e mëdha.
Shkollimi dhe formimi profesional
Shkëputja e këtij malësori nga vendlinja e tij, fshati Llofkë buzë Sukës së Grudës, mbi lumin Cem që gurgullon prej bjeshkëve të Kelmendit, ndodhi para dyezet e dy vitesh, saktësisht në vitin 1970 të shekullit të kaluar. Ky largim pakthim i Gjonit nga toka e të parëve, kur ai ishte djalosh 18 vjeçar, ishte i përmallshëm dhe natyrshëm ka lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin njerëzor të këtij intelektuali fisnik dhe aktivisti në zë në komunitetin shqiptar në Shtete të Bashkuara të Amerikës. Gjoni si fëmijë u përkund në djepin e historisë së Malësisë, u rrit dhe u edukua në frymën e traditës së malësorëve, mësimeve të të parëve të tij duke dëgjuar pleqtë e fshatit ku lëndë kryesore të mësimit kishin: virtytet e mira njerëzore, ndershmëria, morali, besimi, besa, burrëria, fisnikëria, dashuria për kombin dhe vendlindjen, dëshira për t’i shërbyer përparimit të përgjithshëm të trevave shqiptare të kudo ndodhura. Ai pati fatin që në vendlindje të mbarojë shkollën fillore, ku nga mësuesit e tij mori mësimet e para për gjuhën dhe kulturën e shqiptarëve. Ndërkaq shkollimin e mesëm e kreu në Gjimnazin Klasik Dominikan në ishullin Brac të Kroacisë. Kur mbërriti në Amerikë ( Detroit) përfundoi me sukses studimet e larta në Miçigan, në degën e historisë së artit – periudha e Renesancës , kurse më pas u magjistrua në degën e historisë së arkeologjisë. Pas përfundimit të studimeve hapi një biznes në Miçigan, duke e mabjtur për 13 vjet. Në vitin 1989 shpërngulet në shtetin e diellit, në Florida, ku tani jeton. Është i martuar me bashkëshorten Shpresa me prejardhje nga Përmeti, e lindur dhe e rritur ne Tirane, me të cilën ka një djal, Leonardin dhe dy vajza, Jennifer e Jessica. Drejton operacionet e nj korporate të madhe financiare në Florida. Hobi ka golfin.
Ai i kujton me trishtim ditët e para në Amerikë kur nëpër dasma shqiptare këndoheshin këngë serbe.
Kur arrita në Shtete e Bashkuara të Amerikës, tregon Gjoni, e vërejta menjëherë se Beogradi dhe Titogradi i atëhershëm, të kënaqur që shqiptarët po largohen, donin me çdo kusht të mbanin komunitetin shqiptar nën kontroll. “ Ata i kishin edhe njerëzit e tyre si Vladimir Sarceviq, Simo Biraq, Nik Najdoviq etj. që ishin të drejtuar nga Qeveria Jugosllave ta infiltronin komunitetin shqiptar. Fatkeqësisht, në mesin e tyre ishin edhe shqiptar. Mënyra e veprimit te tyre ishte nëpërmes aktiviteteve të ndryshme, koncerte, natë muzikore etj. Fillimisht, nëpër koncertet jugosllave shkonin shumë shqiptarë. Kishte raste që edhe nëpër dasma të ndihej ndonjë këngë serbe. Kjo nuk ndodhte, sepse shqiptarët ishin pro-serb, por nga fakti se shqiptarët, sidomos nën Mal të Zi, kishin përjetuar një gjenocid kulturor të vazhdueshëm. Me fjalë tjera, me atë muzikë u rritën, sepse Radio-Titogradi rezervonte vetëm një orë në javë program shqip, dhe ajo orë ishte nën drejtimin e plotë të malazezëve” sqaron ai.
Themelues dhe drejtues i programit radiofonik “Zëri i Komunitetit Shqiptar në Detroit”
Ndër aktivitet e hershme kulturore të Gjonit si student në mërgim duhet veçuar hapjen e programit radiofonik “ Zëri i Komuinitetit Shqiptar në Detroit”, në mars të vitit 1971, me qëllim të kundërvënies së influencës represive të Jugosllavisë së atëhershme të Titos ndaj shqiptarëve. “ Ky ishte programi i parë afatgjatë në gjuhën shqipe në Miçigan, i cili u transmetua një çerek shekulli, deri në mars të vitit 1996. Nga viti 1989 programin e përgatitën dhe transmetuan bashkëpunëtoret dhe miqtë e mi të dashur, z. Julian Cefa dhe z. Kujtim Qafa, me të cilët kam bashkëpunuar vite me rrallë.”, Për një kohë, së bashku me z. Kujtim Qafën dhe me ndihmën e Komunitetit Shqiptar, hapëm dhe programin televiziv që transmetohej një herë në javë. Klika Jugosllave, me Simo Biraq dhe serbë te tjerë, hapën programin televiziv, një pjesë e të cilit ishte i drejtuar ndaj shqiptarëve. Për t’ iu kundërvu kësaj influence antishqiptare të Jugosllavisë së atëhershme hapëm programin televiziv shqiptar, dhe organizuam aktivitete të tjera”, shprehet Gjoni.
Adhurues, kultivues dhe promovues i kulturës shqiptare
Gjoni ka qenë shumë aktiv dhe i pasionuar pas muzikës shqipe, veçmas asaj popullore, e cila e mban gjallë dhe të pavdekshëm shpirtin e kombit tonë. Ai gjatë qëndrimit të tij në Detroit ka bashkëpunuar me grupin muzikor “Shqiponja”, që ishte formuar nga Marie Dushaj, Vasel Pepaj, Mark Dedivanaj dhe i ndjeri Gjergj Sinishtaj. Më pas, grupi i dha detyrën e drejtorit muzikor.
“Kisha studiuar pianon, dhe me pëlqente muzika, mbi te gjitha me pëlqente muzika shqipe, dhe kështu iu bashkëngjita grupit muzikor “Shqiponja”. Qëllimi kryesor i grupit ishte që nëpër dasma dhe festa shqiptare të dëgjohet kënga shqipe e cila të ushqen shpirtin”, thotë Gjoni. Me këto aktivitete muzikore Gjoni me anëtarët e grupit të përmendur muzikor , duke kënduar këngë patriotike nëpër dasma, gazmende të tjera familjare e koncerte arritën të ngjallin emocione të thella tek mërgimtarët shqiptarë për vendin e tyre.
Nga viti 1972 deri ne vitin 1977 ka qenë nënkryetar i organizatës famëmadhe “Ethnic Councel of Michigan”, organizatë qe përfaqësonte te gjitha grupet etnike ne Miçigan.
Për këtë organizatë, Gjoni e kujton vitin 1976, kur u nderuan me detyrën për të hapur dhe drejtuar kremtimin e parë në Miçigan për “Bicentennial”, 200-vjetorin e Shteteve te Bashkuara, në prezencën e Guvernatorit të Miçiganit dhe shumë personalitete të larta shtetërore. Ky ishte një nderim i madh që iu bë Gjonit për faktin se kjo natë historike në Michigan, ku jetonin mbi 2 milion njerëz të komuniteteve të ndryshme, udhëhiqej nga një shqiptar ( malësor).
Gjoni me ndihmën e Viktor Chachos dhe shume familjeve shqiptare, ne vitin 1976 formoi “Grupin Vallëzues”, i cili mori pjesë në programin e kremtimit të 200-vjetorit të Shteteve te Bashkuara. Ai ishte mjaft aktgiv edhe në fushën e sportit. Sipas fjalëve të tij pro – jugosllavët infiltruan skuadrën e futbollit “Besa”, kurse ai me shokë si kundërvajtje formuan skuadra e re të futbollit “ Iliria”. Gjatë viteve 1978 dhe 1979 ka qenë President i Lidhjes së Futbollit në Detroit, në kuadër të së cilës ishin edhe dy skuadra shqiptare, “Besa” dhe “Iliria”, detyrë e cila i jepte mundësi të kontrollojë më afër aktivitetet e elementit pro-Jugosllav”.
Mbrojtës i flaktë i të drejtave të shqiptarëve në rajon
Nga biografia e pasur e këtij protagonisti të këtij shkrimi shënojmë edhe angazhimin e tij atdhetar për zgjidhjen e çështjes shqiptare. Gjoni në vitin 1979, i ftuar nga Shtëpia e Bardhë ka marrë pjesë ne punime me “Delegacionin Amerikan për Konferencën e Madridit” për të drejtat e njeriut, sipas marrëveshjes të Helsinkit. Konferenca e Madridit u mbajt ne fund te vitit 1979. Delegacioni drejtohej nga z. Griffin Bell, ish-ambasadorja amerikan në OKB, zonja Jane Kirkpatrick, ish-ambasadori në Jugosllavi z. Zimmerman etj. Gjate këtyre punimeve ai kërkoi nga Delegacioni Amerikan, që në agjendën e tyre të diskutohej për shkeljet flagrante të te drejtave të njeriut ndaj popullit shqiptar ne Jugosllavinë e atëhershme, si dhe gjendjen tepër te vështirë te popullit në Shqipëri nen diktaturën Enveriane.
Ka ndihmuar organizimin dhe ka marrë pjesë në shume aktivitete të komunitetit, duke përfshirë edhe mitingje dhe demonstrate ne përkrahje te popullit shqiptar. Ndër demonstratat kryesore që u përgatitën në Miçigan, ishte “Greva e Urisë” pranë Qendrës Federale ne Detroit. Në këtë grevë 17 shqiptarë qëndruan pesë dite pa ngrënë, derisa u realizuan kërkesat e tyre për t’u takuar me senatorët e Miçiganit. Si pasojë, senatorët premtuan se do ta përkrahin rezolutën e parashtruar pranë Kongresit Amerikan për Kosovën. Demonstrata te tjera me rendësi ishin ato qe shkaktuan mbylljen e festivalit Jugosllav ne Detroit, etj”.
Gjon Lulgjuraj disa herë ka dhënë dëshmi, pranë Kongresit Amerikan, për gjendjen e Shqiptarëve ne Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe Shqipëri. Në vitin 1982, gjatë një demonstrate të madhe të shqiptarëve në Uashington, ai mbajti një fjalim në gjuhën angleze, në shkallet e Kongresit Amerikan, ku denoncoj aktet gjenocide Serbo-Malazeze-Maqedonase dhe Greke ndaj popullit Shqiptar.Një nga rastet e veçanta, ishte paraqitja pranë Kongresit se bashku me ish-nënkryetarin e LDK’se te Kosovës, z. Anton Kola, si dhe gjatë rastit të z. Pjeter Ivezaj, i burgosur politik , për të cilin Qeveria Amerikane ushtroj presion ndaj Jugosllavisë, që ta lirojë .
Pas revolucionit te Kosovës të vitit 1981, Gjoni ka ndryshuar strategjinë e veprimeve të tij. Bashkë me Komunitetin Shqiptar organizoi demonstrata kundër festivalit Jugosllav në Detroit, i cili , siç shprehet ai ishte bërë strehimi i agjenturës jugosllave dhe qendra e propagandës se tyre. Për disa vite ka qenë kryetar i organizatës më prestigjoze të disporës AANO (Albanian American National Organization) Organizata Kombëtare Shqiptaro Amerikane, e themeluar në vitin 1946 me qëllim për të ruajtur identitetin tonë kombëtar në mërgim pastaj për disa vite ka drejtuar edhe Lëvizjen “Atdheu na Bashkon”, e formuar në vitin 2006, e cila ndër të tjera kishte për qëllim bashkimin e elementit politik shqiptar në Mal të Zi, gjë e cila për fatin e keq të shqiptarëve në këtë vend ende nuk u realizua për shkak të në radhë të parë mospajtimit të liderëve politikë shqiptarë. Në një periudhë kohore prej 42 vjetësh në Amerikë Gjon Lulgjuraj disa herë ka qenë i pranishëm me shkrimet e tij në shytpin amerikan në mbrojtjen e çëlshtjes shqiptare.
Në vitin 1979, ai publikisht denoncoi shtypin amerikan që Nënë Terezën e quanin “Murgeshë Jugosllave”, duke dhënë fakte nga intervistat që Nënë Tereza i bëri ne Detroit, ku ajo deklaroi se ishte shumë krenare që ishte Shqiptare. Si pasojë e kësaj proteste, thotë Lugjuraj, shtypi në Miçigan e identifikoi Nënë Terezën me prejardhje shqiptare. Artikujt e Gjonit gjastë luftës në Kosovë i kanë botuar dy gazetat kryesore në Florida : St. Petersburg Times dhe Tampa Tribune. Ai shprehet i lumtur dhe me fat që përjetoi demokratizimin e Shqipërisë dhe Pavarësinë e Kosovës. Mbetet me shpresë së së shpejti do të realizohet edhe ëndërra e tij e tretë – bashkimi i të gjithë shqiptarëve dhe trojeve shqiptare në një simbol dhe parime demokratike.
Intelektuali, biznesmeni dhe atdhetari shqiptar Gjon Lulgjuraj me veprimtarinë e tij të deritashme patriotike dhe kulturore në mërgim shleu një pjesë të detyrimit kombëtar dhe u bë shembull model i një njeriu që i del zot popullit të vet dhe lufton për të drejtat e tij në qarqet e njohura të politkëbërjes botërore.