“Art Club” boton librin “Raushiqi mbi themelet e antikitetit” të autorit Demë Mulliqi

September 6, 2012   | Kulturë / Kultura

Njoftim për media

 

“Art Club” boton librin “Raushiqi mbi themelet e antikitetit” të autorit Demë Mulliqi

 

Në kuadër të edicionit botues të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, këto ditë doli nga shtypi monografia “Raushiqi mbi themelet e antikitetit” i mësuesit dhe veprimtarit të  njohur të arsimit dhe çështjes kombëtare, Demë Mulliqi.

Libri, siç thotë autori nga Peja, është një përpjekje për të përfshirë gjërat më të veçanta të cilat e karakterizojnë vendlindjen e tij Raushiqin si “vendbanim me një histori shumë të lashtë dhe ende të panjohur detajisht”.

Libri përbëhet nga pesë kapituj. Në kapitullin e parë jepet një letërnjoftim i shkurtër i fshatit Raushiq, ekonomia dhe veprimtaritë ekonomike dhe historiku i fshatit prej kohës iliro-romake deri në përfundimin e luftës së fundit në Kosovë. Në kapitullin e dytë flitet për historikun e arsimit në fshatin Raushiq deri në ditët e sotme, kurse në kapitullin e tretë bëhet një paralele mbi kulturën dikur dhe sot. Kapitulli i katërt ka të bëjë me përbërjen, prejardhjen dhe gjenealogjinë e familjeve të mëdha, ndërsa në kapitullin e pestë bëhet fjalë për toponiminë e fshatit dhe fjalët e shprehjet e rralla, dy elemente që, sipas autorit, dita-ditës janë në zhdukje.

Monografia është e pasuruar edhe me shumë fotografi.

Demë Mulliqi ka botuar më parë librat: “Skënderbeu, edukator i kombit shqiptar”, “Shkollat e mesme të Pejës nën okupim (1990/91-1997/98)” (botoi “Art Club”), “Rrugëtimi i shkollës dhe arsimit në komunën e Pejës deri në vitin 1945” dhe “Shkolla fillore kosovare në Mal të Zi (1998-1999).

Libri “Raushiqi mbi themelet e antikitetit” është shtypur në shtypshkronjën AGIMI-DE në Deçan. Ai pasuron koleksionin e botimeve të SHAI “Art Club”, si botuesit më të madh ndër shqiptarët në Mal të Zi. Në kuadër të veprimtarisë së saj botuese, kjo shoqatë ka botuar deri tani rreth 80 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.

 

 

Ulqin, më 06.09.2012                                                                     SHAI “Art Club”