Partia Demokratike: I gabuar veprimi politik i Forcës

September 6, 2012   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

DEKLARATË PËR SHTYP

Partia Demokratike e cilëson të gabuar veprimin politik të Forcës së Re Demokratike, e cila ndërhyri në mënyrë të njëanshme në procesin e bisedimeve të Partisë Demokratike dhe Alternativës Shqiptare me Iniciativën Qytetare, që ishin pranë finalizimit të krijimit të një koalicioni të gjerë parazgjedhor shqiptar në bazë të Marrëveshjes për veprim të përbashkët politik. Veprimi i Forcës është politikisht edhe i pamoralshëm pasi ky hap është ndërmarrë në dëm të Partisë Demokratike, partnerit të saj kryesor politik, e cila e solli atë pa kushte në krye të pushtetit vendor në Komunën e Ulqinit. Në vend që të reflektonte pozitivisht dhe të pozicionohej në favor të partnerëve të saj politikë, Forca lidhi koalicion me Iniciativën Qytetare. Në këtë mënyrë, në vend të bashkimit të proklamuar, shkaktoi përçarje edhe më të thellë në elektoratin shqiptar në Ulqin, Malësi dhe më gjerë. Nga ana tjetër, Iniciativa Qytetare u tregua jobesnike dhe e pasinqertë në bisedimet për koalicion me PD-në dhe ASH-në.

Ky veprim i ngutshëm dhe i pamenduar mirë i Forcës së Re Demokratike mund të ketë pasoja për të sepse vë në pikëpyetje koalicionin qeverisës në nivelin e Komunës së Ulqinit. PD vlerëson se kjo qasje politike e Forcës kufizoi përfundimisht krijimin e një koalicioni të gjerë të subjekteve politike shqiptare dhe rrezikon dukshëm përfaqësimin e tyre optimal në Parlamentin e Malit të Zi.

Duke vepruar në kuadër të Marrëveshjes për veprim të përbashkët dhe duke  respektuar vullnetin politik, Partia Demokratike vazhdon nxitjen e bashkëpunimit ndërpartiak me qëllim që në mënyrën më të mirë dhe më të denjë të përfaqësohet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

 

Ulqin, më 6 shtator 2012

Shërbimi për marrëdhënie me publikun          

38