Shqiptarët në Malin e Zi deri diku të bashkuar

September 18, 2012   | Opinione, Shtypi / Mediji

Dje në Mal të Zi është nënshkruar edhe koalicioni i dytë për daljen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të këtij vendi, që do të mbahen më 14 tetor, 2012. Kësaj radhe koalicioni është i përbërë nga Lidhja Demokratike në Mal të Zi (LDnëMZ) dhe koalicioni më i vogël i formuar më heret e i përbërë nga Partia Demokratike (PD) dhe Alternativa Shqiptare (ASh). Koalicioni LDnëMZ-PD-ASh do të udhëhiqet nga përfaqësuesi i Partisë Demokratike, njëherit edhe kryetari i saj, Fatmir Gjeka, kurse i dyti në listë do të jetë përfaqësuesi i Lidhjes Demokratike Mehmet Bardhi.

Sipas marrëveshjes për koalicion parazgjedhor, Gjeka do të jetë përfaqësues i këtij koalicioni në Kuvendin e Malit të Zi për dy vitet e para, kurse Bardhi do të zëvëndësojë atë në dy vitet tjera të mandatit i cili duhet të zgjasë gjithsejt katër vite. Por e gjithë kjo do të realizohet nëse koalicioni arrinë të sigurojë numrin e mjaftueshëm të votave për një përfaqësues.

Kështu politikanët shqiptarë në Malin e Zi duket se do të dalin në zgjedhje disi të bashkuar. Përveç koalicionit të lartpërmendur, zgjedhësit shqiptarë do të kenë edhe dy mundësi tjera, ku njëra është Forca e Re Demokratike e cila del në zgjedhje në koalicion me Iniciativën Qytetare, kurse tjetra është Unioni Demokratik i Shqiptarëve i cili duket se do dalë në zgjedhje në koalicion me atë çka ka mbetur nga Partia e Prosperitetit Demokratik. Gjithsesi, në rastin më të keq, e që e kemi parë të ndodhë, votuesit shqiptarë mund të përcaktohen edhe për ndonjërën nga partitë sllave (serbe, malazez, kroate, boshnjake).

Tre koalicionet shpresojnë për më të mirën, e ajo është marrja e nga një vendi në Kuvendin e Malit të Zi për të përfaqësuar shqiptarët në katër vitet e ardhshme. E këto katër vite mund të jenë shumë frytëdhënëse nëse ata dijnë t’i shfrytëzojnë pasi që janë vitet kur Mali i Zi do të bisedojë rreth anëtarësimit të vet në Bashkimin Evropian dhe NATO. Shpresojmë që mos ta lëshojmë këtë rast për të arritur deri tek përmirësimi i situatës së shqiptarëve në Malin e Zi siç kemi bërë kur ndihmuam krijimin e shtetit Malazez pa kushte.

Rikujtojmë se me ndryshimin e ligjit zgjedhor i cili më nuk numëron zonat e banuara me shqiptarë si zona të veçanta zgjedhore por e sheh Malin e Zi si një zonë të vetme, partitë shqiptare duhet të kalojnë pragun e 0.7% si edhe gjithë të tjerat për të zënë një vënd në Kuvend. Nëse në zgjedhjet e kaluara janë nevojitur rreth 2685 vota për marrjen e një mandati, tani nevojiten nga 3500-4000.

Faqja e Facebook: Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro