Përkrahet iniciativa e UDSH-së për referendumin konsultativ për komunën e Tuzit – Video

October 5, 2012   | Ngjarjet - Events

Përkrahet propozim vendimi mbi referimin e iniciativës drejt Podgoricës për ndryshimin territorial

Iniciativa e Unionit demokratik të Shqiptarëve sot në Kuvendin e Komunës Urbane mori shumicën e nevojshme që ti dërgohet kuvendit të kryeqytetit lidhur me vendimin për iniciativën për shpalljen e referendumit konsultativ për komunën e Tuzit. Ky ishte propozimi i kësaj partie të cilën e përkrahen edhe këshilltarët e PDS por ndërkohë gjatë votimit kjo iniciative u përkrah edhe nga disa këshilltarë të opozitës. Iniciativa u përkrah edhe nga Alternativa Shqiptare, Lista për Tuzin dhe PSD, kurse pjesa tjetër e opozitës ishte e përmbajtur.

Edhe pse janë në koalicion, këshilltarët e partisë Boshnjake u shprehen se nuk do ta përkrahin këtë iniciative, mirëpo gjatë votimit nuk ishin në sallë. Pra për propozimin e UDSH-PSD votuan 13 këshilltarë, kurse 6 ishin të përmbajtur. Para votimit u shënua edhe një incident mes këshilltarëve të PDS dhe PSP. Në arsyetimin e propozimit, partitë në koalicionin në pushtete në KU të Tuzit propozojnë që një referendum i tillë të mbahet së bashku me zgjedhjet presidenciale të cilat planifikohen në vitin e ardhshëm, të cilat, sipas arsyetimit të propozuesit, do të mbahen në muajin mars apo prill. Përndryshe kryetari i parlamentit të kësaj komune Urbane e kishte konvokuar për sot mbledhjen e 17-të në të cilën këshilltarët debatojnë edhe për informatën për realizimin planit financiar, të kësaj komune urbane nga janari deri në qershor, pastaj për propozim vendimin e emërimit të jurisë për ndarjen e çmimit të Komunës Urbane të Tuzit për këtë vit dhe emërimin e Komisionit për ndarjen e bursave për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme nga Malësia.

Këshilltarët poashtu sipas rendit të sotëm të ditës do të duhej të debatojnë edhe për raportin e Komisionit për bashkëpunim me OJQ dhe për ndarjen e mjeteve për projektet e OJQ-ve për vitin rrjedhës.

RTCG

1