Dy koalicionet shqiptare në kerkim të koalicionit qeveritar

October 20, 2012   | Shoqëria / Društvo

Dy koalicionet shqiptare që kanë fituar nga një mandat të deputetit në Kuvendin e ri të Malit të Zi qëndrojnë të hapur për bisedime me partitë tjera për të krijuar qeverinë e re.

FORCA ka filluar bisedimet me Partinë Boshnjake e cila ka fituar tre mandate dhe me Iniciativën Qytetare Kroate e cila ka fituar një mandat. Ata mendojnë që bashkarisht t’i drejtohen partive të mëdha në mënyrë që të mund të përfitojnë sa më shumë nga pjesëmarrja në qeverinë e re. Ky koalicion duket se anon kah Partia Demokratike të Socialistëve (DPS).

KOALICIONI SHQIPTAR, sipas Fatmir Gjekës, ka biseduar me Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) për kërkesat që kanë për pjesëmarrje në qeveri dhe sipas tij ato janë komuna e plotë e Malësisë me qendër në Tuz dhe udhëheqësia e Ministrisë së Pakicave. Por sipas personit të dytë në këtë listë, Mehmet Bardhit, bisedime zyrtare nuk ka pasur akoma dhe ata janë të hapur për çdo opsion, si bashkimin me koalicionin që ka qeverisur deri tani e poashtu edhe me partitë tjera që kanë qenë opozitë deri tani. Ai përveç Malësisë komunë ka kërkuar edhe punësimin proporcional të shqiptarëve në institucionet shtetërore. Bardhi ka ftuar partitë e mëdha që t’u dorëzohen me shkrim me ofertat e tyre.

Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) ka deklaruar se ajo e sheh më të natyrshëm koalicionin me parti shqiptare dhe atë kroate, duke mos e përjashtuar as marrjen e partisë boshnjake në gjirin e vet. Qëllimi i tyre është krijimi i një qeverije sa më të fortë.Në anën tjetër, lufta e Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSh) për një mandat në Kuvendin e ri duket se nuk po shkon mirë. Komisioni Qëndror Zgjedhor (KQZ) i Malit të Zi e ka refuzuar kërkesën e UDSh për dhënien e një mandati dhe sipas tyre kjo kërkesë është e pa bazë.

Shqiptarët në Malin e Zi – Albanians in Montenegro

2