“Mali i Zi dhe Shqipëria, bashkëpunim në përballimin e emergjencave”

November 8, 2012   | Rajoni / Region

TIRANË – Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, në kuadër të Forumit Ministerial të BE-së me vendet e Ballkanit  Perëndimor, u takua me ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, Ivan Brajoviç. Gjatë takimit të dy titullarët e nënvizuan marrëdhëniet e shkëlqyera që janë vendosur tashmë prej vitesh jo vetëm mes qeverive respektive, institucioneve homologe, por edhe dy popujve.

Ministri Noka e falënderoi homologun malazes lidhur bashkëpunimin dhe ndihmën e madhe dhënë në kuadër të emergjencave civile. “Gjej rastin t’ ju falënderoj edhe nga afër për ndihmën që Mali i Zi na dha për fikjen e zjarreve nga ajri, edhe pse Mali i Zi ishte në një situatë më të vështirë dhe emergjente se e jona”, u shpreh Noka. Ky nivel i lartë në marrëdhëniet dypalëshe është një tjetër faktor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon, tregues i qartë për rolin e rëndësishëm që kanë vendet tona në këtë aspekt, por edhe njëkohësisht është një shembull edhe për vendet e tjera”.

Duke vlerësuar bashkëpunimin ndërkufitar dhe atij policor në tërësi, Noka theksoi se ky bashkëpunim “ka dhënë rezultate shumë pozitive në luftën kundër krimit në tërësi, forcimin e rendit dhe sigurisë në të dy vendet, por edhe kuadër të masave të përbashkëta për respektimin e lëvizjes së lirë të shtetasve të dy vendeve, në zonën Shengen. Por, për të qenë akoma më të suksesshëm është nevoja që ky bashkëpunim të forcohet gjithmonë e më shumë dhe të shtrihet në të gjitha fushat”.

Nga ana e tij, ministri i Brendshëm i Malit të Zi, Ivan Brajoviç, vlerësoi frymën e shkëlqyer të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe rolin që Shqipëria dhe Republika e Malit të Zi kanë në forcimin e klimës së bashkëpunimit dhe stabilitetit rajonal. Gjithashtu, Brajoviç vlerësoi edhe rolin shumë të rëndësishëm që luan faktori shqiptar në Malin e Zi, për forcimin e mëtejshëm të kësaj klime të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit bilateral.

Ministri i Brendshëm malazes nënvizoi faktin se duhet “të bashkëpunojmë akoma më shumë për përballimin e situateve të emergjencave”, pasi të dy vendet kanë shqetësim të njëtë sa i takon zonës në grykëderdhjen e lumit të Bunës, por edhe në sektorë të tjerë. Në mbyllje të takimit, të dy zyrtarët e lartë, shprehën besimin e palëkundur se marrëdhëniet do të vijojnë edhe në të ardhmen, në të njëjtën frymë, në forcim të pandalshëm, duke parë të gjitha mundësitë për t’u shtrirë në çdo fushë me interes të përbashkët. Gjatë takimit, ministri Brajoviç, shoqërohej edhe nga ambasadori i Malit të Zi në Tiranë, Ferhat Dinosha.

/Shekulli Online/M.A./