Kupa Ushtria 2012 në Karate për Fëmijë,turneu mbarëkombëtar – Video

November 19, 2012   | Sporti / Sport

FESTUAM SË BASHKU – TË GJITHË FITUES

Përfaqësuesja e Karateistëve Shqiptarë nga Mali i Zi, e përbërë nga KK “Ulqini”dhe KK “Albulena”,të shtunën, më 17 nëntor 2012 në Tiranë mori pjesë në Turneun mbarëkombëtar të karatesë “Kupa e Ushtrisë 2012”, që u organizua në kuadër të festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së shtetit shqiptar nga Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë në krye me ministrin z. Arben Imamin dhe Federata e Karatesë së Shqipërisë.

Garuesit e Përfaqësueses të Karateistëve Shqiptarë nga Mali i Zi arritën të fitojnë 29 medalje në disiplinat ekipore dhe individuale: 8 medalje të arta – 6 në disiplinat individuale dhe 2 në disiplinat ekipore, 8 të argjendta dhe13 të bronzta. Ky ishte një sukses i madh, pasi që në këtë garë morën pjesë garues elitarë nga mbarë trojet shqiptare. Po ashtu, suksesi ishte edhe më i madh kur kemi parasysh fajtin se përfaqësueset tjera janë përfaqësuese të përbëra nga shumë klube të fuqishme të Shqipërisë, Kosovës dhe të Akademisë së Karateistëve Shqiptarë të Maqedonisë.

-Përfaqësuesja e Karateistëve Shqiptarë nga Mali i Zi ishte në hap me të gjitha përfaqësueset e tjera dhe të gjithë u shpallëm kampionë. Në këtë turne nuk pati humbës dhe të gjithë së bashku festuam 100 vjetorin e Pavarësisë. Edhe njëherë përgëzojmë të gjithë pjesëmarrësit për sukseset e tyre dhe ua urojmë të gjithë shqiptarëve këtë festë të madhe kombëtare, 100 vjetorin e Pavarësisë, – shprehen udhëheqësit e Përfaqësueses së Karateistëve Shqiptarë nga Mali i Zi, të cilët ishin të pranishëm në këtë turne mbarëkombëtar. – Po ashtu, në emër të Përfaqësueses sonë të pranishëmve iu drejtua anëtari i delegacionit tonë Skender Tahiri, i cili përshëndeti të gjithë të pranishmit, në veçanti Ministrin e Mbrojtjes së Shqipërisë, z. Arben Imamin, dhe të gjithëve ua përcolli mesazhin e urimit për 100 vjetorin e Pavarësisë së shtetit amë Shqipërisë nga shqiptarët që jetojnë në Malin e Zi.

Përfaqësuesja jonë në këtë turne mori pjesë me 25 garues të gjeneratave të reja.
Nga radhët e Përfaqësueses në disiplinat individuale u kurorëzuan me medalje të arta dhe u shpallën kampionë të Turneut këta garues: Eliza Salihi, Diellëza Rama, Albulena Ujkashi, Lejla Lihari, Gabriell Bytyqi, Albert Rudoviq dhe Nderim Cuca. Në disiplinën ekipore në kata djemtë dhe vajzat u shpallën kampionë dhe u kurorëzuan me medaljen e artë. Ekipet ishin të përbëra nga këta garues: ekipi i vajzave – Diellëza Rama, Gabriella Junkoviq dhe Eliza Salihi, ndërsa ekipi i djemve ishte në këtë përbërje: Ensar Marshiq, Pjeter Hota dhe Gabriell Bytyqi.
Përveç këtyre medaljeve këta garues u kurorëzuan edhe me medalje të tjera.

Me nga disa medalje të tjera u shpërblyen: Liridona Ceka, Emro Bajrami, Faruk Hasanaga, Basro Sadiku, Ronald Jacoviq, Maksut Peku, Kristian Junkoviq, Christopher Rudoviq, Bylbyl Rexhepi, Maliq Mullabeqiri, Adnan Kuqi, Nermin Suma, Marko Daboviq, Arben Elezi dhe Ibrahim Zogaj.

Shërbimi informativ i Përfaqësueses së Karateistëve Shqiptarë nga Mali i Zi