Rikthehen në Atdhe shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut

November 19, 2012   | Bota

Mbërrijnë nga Austria shpata dhe përkrenarja e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu.

Armët e Heroit tonë Kombëtar kanë mbërritur nën masa të rrepta sigurie në Portin e Durrësit ndërsa më pas do të transportohen drejt Muzeut Historik Kombëtar.

Shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut do të ekspozohen në Pavionin e Mesjetës ku do të ruhen nga Garda gjatë kohës që do të ekspozohen për publikun me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

Dy objektet mbaheshin në një muze në Vjenë, ndërsa kthimi i tyre në Shqipëri është bërë i mundur nga një marrëveshje mes autoriteteve shqiptare dhe austriake.

Përkrenarja dhe shpata e Skënderbeut ruhen në Kunst Historisches Museum në Vjenë, Austri, në sallën e “Maksimilianit” (XXV).

Përkrenarja përbëhet prej çeliku dhe rrethohet nga një rrip i larë me ar. Në majë të saj është vendosur si simbol koka e dhisë me brirë. Në pjesën e poshtme të saj, përkrenarja qarkohet nga një rreth bakri, ku është gdhendur një mbishkrim prej dy shkronjash çift, që ndahen midis tyre me rozeta IM*PE*RA*TO*RE*BT (*Jhezus Nazarenus*Principi Emathiae*Regi Albaniae* Terrori Osmanorum *Benedictat Te (Jezuj i Nazaretit të beton ty Skënderbej, princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, Tmerri i osmanllinjve, Mbret i Epirit).

Sipas specialistëve, ky rreth qarkues mund të jetë vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit. Me porosi të qeverisë shqiptare të Paraluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, punuar më 1937-n nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun Historik të Tiranës.

Sipas dokumenteve të pakta që na vijnë deri në ditët tona, Papa Pali II i dhuroi Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466 një shpatë dhe një kësulë.

Boss