Flamujt kuqezi “pushtojnë” Ulqinin – Video

November 28, 2012   | Lajmet / Vijesti, Reportazh / Reportaža

Trojet Shqiptare Ulqini,Tuzi, Plava, Gucia, Rozhaja sfidojnë ligjin malazez

Prej disa ditësh, shqiptarët e Malit të Zi kanë nisur festimet për 100-vjetorin e pavarësisë. Ulqini, Tuzi, Plava, Gucia, Rozhaja janë veshur kuqezi, duke sfiduar edhe ligjin e miratuar pak muaj më parë nga Parlamenti malazez, që ndalon mbajtjen e flamurit në vende publike. Ndërkaq, aktivitete të ndryshme ndjekin njëra-tjetrën në kujtim e nderim të kombit shqiptar. E vetmja mundësi për të kuptuar se ke hyrë në territorin malazez është pika kufitare, pasi vendosja e flamujve kuqezi në çdo shtëpi në fshatrat e komunat shqiptare të krijon përshtypjen se je në Shqipëri.

Gjithashtu, komuniteti shqiptar në Mal të Zi është përfshirë në aktivitete masive, ku vetëm gjatë ditës së djeshme janë mbledhur 100 rrënjë ullinj për 100-vjetorin e pavarësisë, është çelur një ekspozitë me foto dhe piktura dhe është mbajtur një mbrëmje gala nga studentët e Ulqinit që studiojnë në Universitetin e Prishtinës. Deputeti i shqiptarëve në Mal të Zi, Genc Nimanbegu, shprehet se ky 100-vjetor po festohet ndryshe, pasi falë Këshillit Nacional të Shqiptarëve, të gjitha partitë politike shqiptare në Mal të Zi po festojnë së bashku. Ndonëse Parlamenti i Malit të Zi, disa muaj më parë ka nxjerrë një ligj që ndalon mbajtjen e flamurit në vende publike shqiptarët në Mal të Zi kanë sfiduar këtë ligj, duke u treguar të gjithëve ndjenjën dhe krenarinë e të qenurit shqiptar. Ashtu si shqiptarët në Kosovë e Maqedoni, edhe shqiptarët në Malin e Zi, tashmë janë duke festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Por, kjo festë jo vetëm që ka bashkuar të gjithë shqiptarët këtu, por ka bërë që ato të duken më të shumtë e më kuqezi se asnjëherë më parë.

Sakaq, për të gjithë shqiptarët që do të vijnë në Shqipëri për të ndjekur festimet e 100-vjetorit të pavarësisë, mësohet se janë marrë masat në pikat kufitare.

Janë marrë masat për të normalizuar situatën edhe për lëvizjen e mjeteve për qëllime tregtare në të dyja anët e kufirit. “Gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë në Shqipëri përmes doganës së Morinit 4700 shtetas të huaj me 780 mjete dhe 680 shtetas shqiptarë me 320 mjete”, pohojnë burime të drejtorisë rajonale të kufirit. Sipas të njëjtave burime, rezulton se gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nga Shqipëria në Kosovë rreth 2300 shtetas të huaj me 380 mjete dhe 570 shtetas shqiptarë me 280 mjete. A. Hoti

Gazeta SHQIP


4