Rrëfimi koreodramatik i historisë së Ulqinit + Foto + Video

November 29, 2012   | Shtypi / Mediji

Prishtinë, 27 nëntor – “Hiqu o kufi i mallkuar” është njëra prej fjalive të një koreodrame që shkund skenën. Por ajo është veç një pjesë e rrëfimit që flet për periudhën kur shqiptarët që jetonin në Shkodër e Ulqin, ndahen nga regjimi komunist.

Por kështu nuk nis koreodrama “Kalendari” e trupës nga Ulqini që të hënën mbrëma ka qenë mysafire e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Pjesa e parë e saj është e hareshme, e flet për një periudhë kur për shqiptarët nuk ka pasur kufij.

Pjesëtarët e ansamblit “Zana” dhe ata të shkollës së vallëzimit modern “Porta di Danza” kanë veshur veshje kombëtare nga të gjitha viset shqiptare. E lëvizjet e tyre i kanë përcjellë tinguj të folklorit shqiptar. Në prapavijë qëndron Kalaja e Ulqinit në njërën anë, e një shqiponjë gjigante si e flamurit në anën tjetër, vepër e skenografit Agron Ujkashi. Pjesa e parë sjell harmoni midis shqiptarëve. Tingujt e muzikës përcjellin trishtim, teksa shqiponja ndahet përgjysmë për të mos u rikthyer deri në epilogun e saj. Ajo kthehet në pjesën e tretë, që rikthen heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë. Në mes të saj është numri 100, për të treguar se kjo është dhurata që Ulqini i ka bërë jubileut të madh të shtetësisë së Shqipërisë. E gjithë ngjarja rrëfehet përmes historisë së një familjeje. Nënë e bijë mbesin në Shkodër, e babë e bir në Ulqin.

Poeti Basri Çapriqi ka vlerësuar se koreodrama ishte një konceptim shumë i bukur i një realiteti.

“Ishte një kontribut i Ulqinit, që përmes tragjikes që i ka përcjellë shqiptarët në Mal të Zi e sidomos ulqinakët, me ndarjen dhe gjithë ato probleme”, ka thënë Çapriqi.

Studentja e dramturgjisë në UP, Saranda Rugova (21) thotë se në përgjithësi shfaqja ishte profesionalisht e ndërtuar, por thotë se edhe më shumë emocion do të përçonte sikur monologët dhe dialogët të mos ishin të incizuar por të thuheshin nga aktorët.

“Në përgjithësi, ndoshta pse edhe vetë jam nga Mali i Zi, më dha shumë emocion. Nuk e kam përjetuar asnjëherë 28 nëntorin si e përjetova sonte”, ka thënë Rugova.

Salla e TKK-së ka qenë e stërmbushur me publik. Regjisorit të “Kalendarit”, Munib Abazi, kjo i ka lënë përshtypje, ani pse thotë se e ka pritur një gjë të tillë. “Isha në Prishtinë dhjetë ditë para se të jepej shfaqja, dhe them të drejtën e kam pritur se do të jetë kështu”, ka thënë Abazi.

E udhëheqësi artistik, Basri Milla, për këtë ka pasur një arsye. “Kosova na do neve, dhe ne e duam Kosovën. Ne i kemi jetuar të mirat dhe të këqijat bashkë”, ka thënë Milla. Ai ka bindjen se publikut kosovar i kanë zgjuar një emocion të rrëfimit për historinë 100-vjeçare të Malit të Zi.

E pikërisht kjo copë historie e shqiptarëve, duket sikur është lënë anash nga historianët. “Ulqini është një çështje që është trajtuar shumë pak nga historianë, sikurse edhe Hasan Prishtina, por roli dhe fama e tyre ishte e përmasave evropiane”, ka thënë Tahir Tahiri, kryetar u Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi, që ka mbështetur shfaqjen.

Interpreti Atif Hasanaga thotë të ketë marrë po ashtu emocion të fuqishëm nga publiku në Kosovë.

“Nuk po mund ta përshkruaj emocionin”, ka folur ai në emër të trupës artistike menjëherë pas shfaqjes. Veç tij në këtë shfaqje interpretojnë edhe Flutura Mustafa, Jenuz Abazi dhe Anida Kollari, si dhe trupat e dy ansambleve artistike. Koreografinë për shfaqjen “Kalendari” – e cila sonte (e martë) do të jepet në Tiranë – e ka bërë Musa Hoxha, muzikën Ardian Hasanaga, përderisa teksti është shkruar nga Valbona Hoxha.

Burbuqe Berisha, drejtoreshë e përgjithshme e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ka thënë se ndihej mirë për faktin se një trupë nga Ulqini ka ardhur në Prishtinë për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë.

“Shfaqja ishte mjaft mirë e realizuar. Edhe pse janë një trupë amatore, kanë bërë një punë shumë të mirë. Është shpresëdhënëse për faktin se të rinjtë ulqinakë janë të orientuar drejt Prishtinës e Tiranës, ndërsa pashë këtu sonte të rinj të denjë për të mbajtur gjallë jetën kulturore atje”, ka thënë Berisha.

Koha Net