Ulqinakët sjellin në Kosovë “Kalendarin” njëshekullor të tyre

November 29, 2012   | Ngjarjet - Events

Rrëfimi për ata që e kanë pasur aq afër, por në të njëjtën kohë aq larg, Shqipërinë është vënë në një koreodramë. “Kalendari” është shfaqja që shqiptarët e Ulqinit kanë përgatitur për të festuar 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Ansambli “Zana” dhe shkolla e vallëzimit “Porta di Danza”, ndonëse nuk janë profesionistë të teatrit, janë bërë bashkë për të prodhuar këtë koreodramë në mbështetjen e Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Malin e Zi. Premiera e saj është dhënë në Ulqin, të shtunën mbrëma, në Qendrën e Kulturës. E të hënën mbrëma, Teatri Kombëtar i Kosovës do të jetë nikoqir i saj. Për të përthekuar triptikun, shfaqja do të jepet edhe në Tiranë një ditë para festës së madhe për shqiptarët.

Një konferencë për shtyp që është mbajtur mesditën e së dielës në TKK ka shërbyer për të treguar detajet e shfaqjes. Ajo ndahet në tri pjesë. E para flet për periudhën kur shqiptarët kanë qenë të bashkuar, ajo e dyta shpërfaq vuajtjen e ndarjes me kufij, ndërsa e treta, që shfaqet përmes një pjese të baletit modern sjell ribashkimin.

Ka qenë regjisori Munib Abazi ai që i pari ka përshkruar emocionin e tij për shfaqjen “Kalendari”. Ai ka thënë se me rastin e 100 – vjetorit të Pavarësisë kanë menduar të ofrojmë diçka të re.

“Ne nuk jemi profesionistë, por si entuziastë kemi menduar që të sjellim diçka e cila nuk është parë më herët në skenën e Ulqinit”, ka thënë Abazi, teksa shtuar se shpreson që kritika dhe publiku ta pëlqejnë këtë koreodramë. Ata kanë bërë gati tre muaj prova për të vënë në skenë këtë shfaqje. Ideja më e mirë për të përshkruar historinë e shqiptarëve në trevat e Malit të Zi për këto 100 vjet ka qenë ajo përmes kundërshtive të pesimizmit dhe optimizmit, ndarjes dhe bashkimit, lumturisë dhe vuajtjes e gëzimit dhe trishtimit.

“Ka ndodhur kur gjysma e trungut familjar ka jetuar në Shkodër, gjysma tjetër në Ulqin. Pikërisht për këtë rast kemi vënë në skenë një kohë kur kemi qenë të gjithë së bashku, kurse një kohë tjetër jashtëzakonisht të dhimbshme, atë të ndarjes”, ka thënë Abazi.

Basri Milla, udhëheqës artistik i kësaj koreodrame, ka treguar se në pjesën e parë janë përshkruar të gjitha veshjet kombëtare. Ai ka thënë se shfaqja fillon me vallen e njohur të detarëve të Ulqinit “Dum Sharaveli”, për të vazhduar “Vallen e Tiranës”, Dibrës, Tropojës dhe “Vallen e Rugovës”.

“Kjo pjesë tregon një harmoni mes shqiptarëve prej vitit 1912 deri te ndarja me kufi”, ka thënë Milla.

Pjesa e dytë është e përjetimit të ndarjes së familjeve shqiptare në Ulqin e Shkodër, dhe më tutje.

“Kemi pasur raste kur baba me djalin kanë mbetur në Ulqin, e nëna me vajzën kanë mbetur në Shkodër. Këto raste i kemi pasqyruar në shfaqje”, ka thënë Milla. “Dëshira për flamurin që nuk kemi guxuar ta përdorim paraqitet po ashtu në këtë pjesë”, ka shtuar ai.

E pjesa e tretë flet për ribashkimin. “Është emocioni i ribashkimit të familjeve”, ka treguar Milla.

Agron Ujkashi ka treguar detaje të skenografisë që i kontribuojnë rrëfimit të shfaqjes.

“Në prapavijë është Kalaja e vjetër e Ulqinit, ndërsa specifike është një shqiponjë e madhe që pasqyron ndarjen e kufijve kur Ulqini ndahet nga Shqipëria. Shqiponja bashkohet më pas, si simbol i bashkimit të trojeve tona shqiptare”, ka thënë maestro Ujkashi pak minuta para se bashkë me ekipin të nisin montimin e një skene jo fort të vogël.

Të tre kanë treguar se në skenën e Ulqinit kanë marrë emocion të veçantë. Regjisori Abazi pret që të njëjtën ndjenjë ta kenë edhe në Kosovë, pasi që është i sigurt që shtetin e ri dhe shqiptarët e Malit të Zi i lidhin shumë gjëra.

“Për njëri-tjetrin ne gjithmonë kemi qenë një. Në 20 vjetët, në kohët më të vështira kemi ndihmuar njëri-tjetrin”, ka thënë Abazi.

Koreografinë për shfaqjen “Kalendari” – e cila një natë pas Prishtinës do të udhëtojë për në Tiranë – e ka bërë Musa Hoxha, muzikën Ardian Hasanaga, përderisa teksti është shkruar nga Valbona Hoxha. Veç dy ansambleve, rolet i interpretojnë edhe Atif Hasanaga, Flutura Mustafa, Jenuz Abazi dhe Anida Kollari.

Koha Net