Kumtesë nga LD në MZ – Policia merr në pyetje nxënësin se ka kënduar këngën Xhamadanin vija-vija..

December 5, 2012   | Opinione, Politika

                                         LIDHJA DEMOKRATIKE NË MAL TË ZI

                                         DEMOKRATSKI SAVEZ U CRNOJ GORI

                                         DEMOCRATIC LEAGUE IN MONTENEGRO

                                              Nr.    308 /12

                                              Tuz , më 29. 12.  2012

                                              tel./fax (+382  (0) 30) 413 009, (0) 20  875  903

 

 

 

Kumtesë për opinion

 

28 Nëntori – Dita e Flamurit dhe 100-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë u festua si asnjëherë deri tash, në mënyra të ndryshme, me gëzim e hare, në çdo skaj shqiptar, në çdo familje shqiptare, në atdhe e në diasporë. Vendi u bë kuq e zi, çdo kund. Flamujt shqiptarë pothuaj se valëviteshin me bukurinë madhështore si asnjëherë tjetër. Kështu edhe shqiptarët në trojet e veta , sot në Malin e Zi, nuk ngelen prapa. Përkundrazi, organizuan manifestime me programe të begata : në Rozhajë, Plavë, Malësi, Krajë, Anë të Malit e Ulqin. Organizoi Këshilli Nacional i Shqiptarëve, me përkrahje financiare të Fondit të Pakicave. Edhe Lidhja festoi në të gjitha degët e saja. Flamuri shqiptar, këto ditë Feste, zbukuroi shtëpi, ballkone e dritare kudo, në katunde e në qytete.

Madhështia e kësaj feste kulmin e arriti më 28 Nëntor në Vlorë e në Tiranë, ku në festën më të madhe shqiptare u mblodhën më se një milion shqiptarë nga të gjitha trojet  dhe nga diaspora dhe me qindra mysafirë.

 

Megjithate, sukur pushtetit të Malit të Zi apo dikujt nga pushteti, disi këto manifestime nuk i shkuan për shtati. Shqiptarët edhe me këtë rast po vazhdojnë të ndiejnë presionet e pushtetit malazias, që nga mënyrat më të sofistikuara deri te ato më të vrazhdta. Kjo u tregua edhe në Ulqin, kur Policia, nëpunësi i autorizuar i policisë, më datën 29 nëntor 2012,  mori në pyetje – proces nxënësin e klasës IV të Qendrës Shkollore në Ulqin Fatlum Çapriqin, sepse më 28 nëntor 2012, kah ora 19:00, në oborrin e Shkollës, bashkë me shokët e klasës, kishin kënduar këngën Xhamadanin Vija-vija / Është Kosova është  Shqipnia… se ka(në) pas flamurin e Shqipnisë… se shokët kanë pasë majicat me stemën e Shqipërisë… dhe, se pas një kohe, me kërkesën e

Ndihmësdrejtoreshës së Shkollës e kanë ndërpre këndimin…   (“Procesverbali për mbledhjen e informatave nga qytetarët, pa nr., datë 29. 11. 2012 “).

 

Lidhja Demokratike e dënon këtë akt presioni ndaj nxënësit e nxënësve. Këtë e konsiderojmë akt presioni ndaj shqiptarëve, kulturës së sonë, ndaj historisë shumëshekullore dhe qenies sonë.

Prandaj i lusim kompetentët në Polici që ta analizojnë këtë rast të papresedan dhe sidomos të shikohet pozita e  urdhërdhënësit apo urdhërdhënësve që nëpunësi i autorizuar policor  të marrë në pyetje nxënësin(-t) që ka(-në) kënduar këngë për festën dhe në festën më të madhe të kombit shqiptar, 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit.

 

SHËRBIMI PËR INFORMIM

Vërejtje: Kumtesës i bashkangjesim kopjen e Procesverbalit të Policisë

Zmadho Foto

 

3