Artan Bushati në Ulqin

January 17, 2013   | Ngjarjet - Events

Artan BushatiNjë trajner në punë dhe një tjetër që po bën merkaton. Ndoshta duket disi e çuditshme, por kjo është situata te Vllaznia, me Duron de jure në stol dhe me Bushatin në terren. Askush nuk kërkon t’i bëjë gjërat zyrtare, edhe pse gjithçka duket fakt i kryer për atë çka pritet të ndodhë së afërmi. Në një kohë që Shpëtim Duro po e stërvit skuadrën dhe duket se është i vendosur për ta respektuar kontratën me klubin shkodran, nga ana tjetër, Artan Bushati, kandidati më potencial për të marrë drejtimin e pankinës kuqeblu, ka nisur prej ditësh vëzhgimin për lojtarët që mund të afrohen te Vllaznia në janar. Tekniku shkodran mësohet se ka bërë biseda konkrete me disa emra shqiptarë dhe të huaj. Dje, një udhëtim i Bushatit drejt Ulqinit mund të përkthehet edhe si një vizitë pune. Burime të besueshme pranë trajnerit tregojnë për “Panorama Sport” se shkaku i vizitës së tij ka qenë enkas për Vllazninë. Pritet që ekipi kuqeblu të akomodohet në Ulqin pas datës 20 janar, teksa do të kryejë fazën përgatitore. Nga ana tjetër, Bushati mësohet se ka pasur mundësinë për të biseduar edhe me lojtarë malazezë, të cilët i ka në planet e tij. Vetë trajneri nuk kërkon të prononcohet publikisht, pasi kërkon që të ruajë etikën, duke qenë se në punë është ende Duro. Edhe pse asnjëherë nuk e ka pranuar se po punon për të gjetur lojtarët që do të nevojiten për pjesën e dytë të sezonit, bisedat e tij, qoftë me emra shqiptarë apo të huaj, tashmë janë fakt i kryer. Të njëjtat burime bënë të ditur se nga tregu shqiptar në këto momente po shikohet pak, teksa në “lupën” e Bushatit janë vetëm 3-4, ku njëri prej tyre është pa dyshim Gilman Lika. Gjithashtu është përfolur se trajneri ka pasur një komunikim edhe me mbrojtësin Tefik Osmani, duke i konfirmuar këtij të fundit se do ta ketë në plane. Nga ana tjetër, mësohet se Bushati, bashkë me drejtuesit e rinj që pritet të ketë klubi, kanë hedhur sytë edhe nga pista afrikane. Sigurisht që mundësia e afrimit të lojtarëve malazezë mbetet në “pole-position”, por mund të vijnë edhe nigerianë.

Situata në ekip
Vllaznia po vijon punën nën drejtimin e trajnerit Shpëtim Duro, i cili nga dita në ditë pritet që të marrë urdhrin për një largim të tij nga kreu i kësaj pankine. Në një situatë të tillë aspak komode, si ai dhe pjesëtarë të skuadrës nuk duket se e kanë shumë mendjen te puna. Tashmë në kampin shkodran “sy e veshë” për t’u njohur me ndryshimet e pritshme.

Donatori: Çela premton një ekip për në Europë
Biznesmeni Agron Çela, i cili pritet të marrë drejtimin e klubit të futbollit “Vllaznia”, pas një periudhe afro 7-vjeçare, nuk e ka fshehur faktin se pranë skuadrës mund të ketë edhe afrime cilësore. Megjithatë, burime pranë tij bëjnë të ditur se Çela në konsultat me stafin teknik, që duket se e ka përzgjedhur, po bën planet që ta përballojë edhe me këtë grup lojtarësh këtë pjesë të dytë të sezonit. Gjithmonë duke u dhënë më shumë hapësirë lojtarëve të rinj, që Vllaznia ka në dispozicion. Mirëpo, biznesmeni Çela gjithnjë në prononcimet e tij nuk e ka mohuar faktin se Vllaznisë për pjesën e dytë të sezonit nuk do t’i mungojnë edhe dy apo tri afrime që të bëjnë diferencën.

Panorama Sport