Doli nga shtypi numri 38 i revistës Buzuku – Video

January 18, 2013   | Kulturë / Kultura, Shtypi / Mediji

Material nga fusha të ndryshme

Në numrin e saj më të ri (38), i cili doli në fund të dhjetorit, revista “Buzuku” ofron materiale me vlerë dhe shumë interesante për lexuesin e saj.
Revista Buzuku_numer 38_Ulqin_Mali i Zi

Krahas raporteve mbi veprimtaritë e ndodhura në periudhën ndërmjet botimit të dy numrave, siç janë manifestimet kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe shfaqja e premierës së koreodramës “Kalendari”, ndarja e Çmimit “Nderi i Kombit” për Malësinë e Madhe, manifestimi “Ora e Maleve” në Rozhajë, përurimi i librave “Pishtarët e lirisë” të Gjylaver Avdiut, “Kultura shqiptare në tekstet mësimore të shkollës fillore në gjuhën shqipe në Mal të Zi” të Flamur Anamalit, “Në hap me Rugovën” të Adnan Merovcit etj., në rubrikat tradicionale të “Buzuku”-t janë botuar artikuj nga fusha të ndryshme. Kështu në këtë numër është botuar “Kanga e Ulkrinit (Ulqinit)”, marrë nga revista “Albania” e Faik Konicës. Në rubrikën “Dokument” është botuar artikulli i At Justin Rrotës “Ma të parat kopje të fotografueme të Mesharit të Buzukut ndë Shqipëni” dhe artikulli “Teksti i Memorandumit të Shestanasve”, dorëzuar deputetit Mustafa Merlika Kruja në Tiranë, më 10 prill 1942. Studiuesi Gjokë Dabaj vjen me komentin në gjuhën malazeze “Çfarë kanë humbur shestanasit në procesin e sllavizimit”. Rubrika “Tjerët për ne” sjell artikullin “Shqiptarët në veprat e Andrija Kaçiq – Mioshiqit”, kurse rubrika “Diaspora” artikullin “Një diasporë shembullore në Itali”.
Në rubrikën “Përkujtim” është botuar “Biseda me Mrikën, bashkëshorten e Gjergj Nrekiqit”, ndërsa në rubrikën “Tradita” artikulli mbi “Daljen masive biblike në maje të Rumisë”. Aktiviteteve të Shoqatës “Buzuku” gjatë vitit 2012 i është kushtuar hapësirë e veçantë në këtë numër të revistës. “Buzuku” është revistë informative, kulturore e shoqërore që botohet nga Shoqata për Kulturë “Don Gjon Buzuku”.

Më shumë në www.Buzuku.info

(Kohapress)