Marubi bashkon Ulqinin dhe Shkodrën

January 30, 2013   | Kulturë / Kultura

Komuna e Ulqinit dhe Bashkia e Shkodrës po realizojnë një projekt për promovimin e turizmit nëpërmjet trashëgimisë kulturore
Marubi project Shkodra Ulqini

“Projekti ka për qëllim zhvillimin e turizmit të këtyre dy vendeve përmes promovimit të trashëgimisë kulturore të përbashkët, në veçanti trashëgiminë e familjes së famshme të fotografëve Marubi”, thotë Edin Mehmeti, menaxher i projektit dhe koordinator për projektet IPA pranë Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Komunën e Ulqinit.
Marubi project Shkodra Ulqini.2

Që prej muajit tetor të vitit të kaluar ka filluar realizimi i projektit “Marubi: një model bashkëpunimi për promovimin e turizmit ndërmjet Shkodrës dhe Ulqinit”, i cili financohet nga fondet e Bashkimit Evropian në kuadër të Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri. Projekti realizohet nga Komuna e Ulqinit dhe Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me partnerët lokalë Organizatën Turistike të Ulqinit, Muzeun Etnologjik – Ulqin, Fototekën “Marubi”, “Focus Europe” dhe Agjencinë “Teuleda”. Menaxheri i këtij projekti dhe koordinatori për projektet IPA pranë Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte në Komunën e Ulqinit, Edin Mehmeti, thotë se “projekti ka për qëllim zhvillimin e turizmit të këtyre dy vendeve përmes promovimit të trashëgimisë kulturore të përbashkët, në veçanti trashëgiminë e familjes së famshme të fotografëve Marubi”. Në kuadër të këtij projekti janë parashikuar të realizohen një sërë aktivitetesh, por aktiviteti kryesor ka të bëjë me grumbullimin e fotografive që mbajnë vulën “Marubi” dhe më pas prezantimin e tyre në një ekspozitë në galerinë “Kulla e Balshajve” në Muzeun e Ulqinit. Ai thotë se projekti ndodhet në fazën e parë të realizimit. “Kjo fazë e projektit ka për qëllim grumbullimin dhe arkivimin e sa më shumë fotografive të familjes Marubi që mund të gjenden në Mal të Zi dhe mund të tregojnë më shumë për historinë e asaj kohe, sidomos fotografi familjare të papublikuara deri tani”, thekson Mehmeti. Njëri ndër bashkëpunëtorët në realizimin e këtij projekti, Qemal Hidrio, i cili merret me hulumtimin e fotografive dhe më pas përpunimin e tyre, tregon për ecurinë e deritashme të projektit.
Marubi project Shkodra Ulqini.3

“Deri tani kemi grumbulluar rreth 15-25 fotografi të Marubit, por besoj se ka edhe shumë fotografi të tjera që i përkasin Ulqinit apo viseve të tjera të Malit të Zi, të cilat mbeten për t’u verifikuar”, thotë ai, duke shtuar se megjithëse projekti i dedikohet në radhë të parë trashëgimisë së fotografëve Marubi, ai nuk përjashton grumbullimin e fotografive tjera të vjetra të periudhës 1856-1950. Ekspozita me fotografi të vjetra, pjesë e trashëgimisë së Marubit, planifikohet të organizohet gjatë pranverës dhe ajo do të qëndrojë e hapur për vizitorët dhe turistët të paktën dhjetë muaj. “Qëllimi ynë është për të tërhequr sa më tepër vizitorë dhe turistë që vijnë në Ulqin”, shpjegon Mehmeti. Ndërsa Hidrio thotë se për ta bërë ekspozitën sa më tërheqëse për vizitorët, janë menduar edhe disa aktivitete të tjera komplementare në kuadër të saj. “Në mënyrë paksa jokonvencionale do të promovohet jeta e fotografëve Marubi. Ideja është që vizitorët e Muzeut të përjetojnë ‘eksperiencën Marubi’, të vishen me veshje kombëtare dhe të pozojnë para një sfondi me fotografi të vjetra të Ulqinit, ose ndonjë opsion tjetër si fotografi. Pra, vizitorët do të zgjedhin në mes veshjeve kombëtare të regjionit tonë, të pozojnë dhe të fotografohen”, sqaron ai.
Marubi project Shkodra Ulqini.1

Mehmeti dhe Hidrio u bëjnë thirrje të gjithë personave që posedojnë fotografi të Marubit ose që mendojnë se një fotografi mund të jetë e fotografëve Marubi, t’i dorëzojnë ato në Zyrën për Bashkëpunim Ndërkombëtar dhe Projekte të Komunës së Ulqinit. Përpos Ulqinit, ekspozita me fotografi të Marubit do të organizohet edhe në Shkodër, në disa qytete italiane, për të përfunduar në Bruksel. Krahas ekspozitës, në kuadër të projektit është parashikuar të organizohet një festival në Kalanë e Ulqinit, disa veprimtari që kanë për qëllim promovimin e bukurive natyrore të Ulqinit etj. Projekti do të përfundojë në prill të vitit të ardhshëm. i.k.  

Koha Javore

1