Bejtexhinjte e Ulqinit,.. Sytkiu dhe Silveri

March 16, 2013   | Kulturë / Kultura

Sutki Malohodziq_Silver KordaBejtexhinjtë e Ulqinit

Bejtja, si krijimtari ë rrymës letrare në letërsinë e gjuhës tonë, sot pak a shumë është e harruar dhe e lënë pas dore. Natyrisht, përjashtime të vogla ka në Shkodër dhe në Ulqinin tonë të bukur, ku ende edhe sot kultivohet bejtja si krijimtari letrare dhe bën pjesë në folklorin tonë. Edhe sot ka bejtexhi që shkruajnë bejte, prandaj do të ishte mirë t’i kujtojmë nga njëherë, të shkruajmë në revista, të mbahet ndonjë simpozium për bejtexhinjë me qëllim që mos t’i harrojmë fare. Bejtexhinjtë e sotëm nuk janë si ata që kanë qenë dikur, kurë janë treguar bejtet gojë më gojë. Bejtra ka lindur kur diçka ka ndodhur, janë qitë në Pazarin tonë. Më së shumti është kultivuar bejtja “qit e prit”.

Sot kemi në Ulqin dy autorë, të cilët me libra tashmë të botuara që kanë të bëjnë me bejte, kanë filluar bejtes t’ia kthejnë imazhin që e kanë patur dikurë. Kështu, prap se prap, kjo rrymë në letërsinë tonë nuk është fare e harruar, prandaj dëshiroj me këtë tekst t’i përkujtoj lexuesit se ende edhe sot në Shkodër dhe posaçërisht në Ulqin kultivohet dhe shkruhet bejtja nga ato të cilët bejten e kanë në gjak, në gjene, në trashigimi. Me respekt të posaçëm dua t’i përmend dy bejtexhi nga Ulqini: Sutki Malohoxhën i cili këtë veti e ka trashiguar nga gjyshja e tij – hanko Lufja, dhe Silver Kordën i cili me talent e trashigoi gjyshen e tij – hanko Bejazen. Ishin këto dy zonja ulqinake, të cilat edhe sot përmenden me respekt të posaçëm gjatë bisedave të përditshme. Përmenden për mndjemprehtësin e tyre, pasi në çdo rast, në çdo moment e kanë pasur “xhevapin në xhep” për çdo kend. Bejtja ka pasur dhe ende e ka “thumin” që i dedikohet objektit ose personazhit që është në fjalë. Këto dy zonja kanë mbetur pra në kujtesën e popullit, si gra të urta të cilat nuk e dinin shkrimin dhe leximin, por kanë lënë gjurmë të madhe tek trashëguesit që e vazhdojnë rrymën e bejtarisë, rrymë e cila vazhdon të kultivohet në formë të shkruar këtu tek ne.
Sutki Malohodziq_Ulqin

Prandaj them, se është mirë që ende ka njerëz të cilët kanë aftësi ta kultivojnë bejten në formë të shkruar. Kështu kjo traditë nuk do të hubmet, por do të mtetet e shënuar në letërsinë tonë popullore. Kjo është gjë e mirë, pasi ka kaluar një kohë e gjatë që kjo formë e krijimtarisë popullore nuk është përmendur. Është mirë që të përmendet bejtja si vazhdimësi e një tradite, natyrisht tani më në kushte të tjera, do të thoja të ndryshme të zhvillimit ekonomiko-shoqëror. Jeta moderne, zhvillimi i turizmit sjellin një humor tjetër, humor që e gjejmë tek bejtexhinjtë e Ulqinit. Këtu pra e takojmë bejten kushtuar ngjarjeve të përditshme që kanë të bëjnë edhe me sezonin turistik, si p.sh. a ka pas “gosta”, si ka me qenë sezoni dhe kështu më radhë. Pavarësisht se bejtja nuk është në lulëtimin e dikurshëm, ndigjihet pra nganjëherë edhe në këto kushte të jetës moderne. Me rëndësi është se ato shkruhen dhe kështu mbesin thesar i folklorit tonë ulqinak. Duke i lexuar dhe studiuar bejtet e autorëve tanë, takojmë tema të ndryshme. Në shënjestër gjendet edhe politika si temë e pashmangshme, por pa qeder siç e thotë popullit. Dikur bejtja është mësuar përmendësh. Skena e sajë gjithmonë ka qenë Pazari i Ulqinit, vend ku kanë ndodhur ngjarjet dhe janë takuar personazhe të ndryshme. Tani më ambienti i Pazarit, ku shpesh herë bejtet janë kënduar dhe janë përcjellur me vegla muzikore violinë dhe daire, ka mbetur vetëm në kujtesën e të moshuarve tanë. Pazari i Ulqinit e ka pasur shpirtin e vet, me duganjë të vjetra artizanatesh, berberhane, me kroje ku është mbledhur populli. Këto vendtakime sot i ka zhdukur arkitektura moderne. Kjo arkitekturë ia ka marrë shpirtin Pazarit si dhe Ranës. Për fat trashigëmia e bejtes e cila sjell humor dhe sarkazëm, kultivohet sot nga autorët e përmendur Sutki Malohoxha dhe Silver Korda. Nga lëmi i bejtarisë Sutki Malohoxha ka botuar librat me titull: “Bejtexhinjtë e Ulqinit dhe veprat e tyre” dhe “Nelt e poshtë Pazarit”, dhe Silver Korda “Bejte të reja për Ulqin” dhe “Porsi gjëmbat e iriqit”. Dua të theksoj pavarësisht nga rrethanat moderne dhe ndryshimet në jetë në përgjithësi, skena e bejtes ka mbetur në Pazar, në Ranë dhe në Kala. Humori dhe “thumbi” të cilin e ka bejtja është aty, kështu që autori shpesh herë e përqesh edhe vehten. Nuk kursehet askush, pena e mprehtë e bejtexhiut është gjithmonë prezente duke u fokusuar në ngjarje. Nuk përmenden emra, kështu që ai i cili e gjenë vehten nuk ka drejtë të hidhërohet. Humori është i shëndoshë, humor për të cilin sot kemi nevojë, humor me të cilin i harrojmë momentet e vështira të jetë së përditshme. Shpesh herë bejtja për temë ka marrëdhëniet familjare, posaçërisht hankot me nuse. Ulqini është vend i vogël, k njerëzit njihen ndërmjet vehtes, kështu që asgjë nuk mbetet e fshehur. Autori Sutki Malohoxha thur bejte edhe për shokë dhe miqë, herë me “thum” më të mprehtë, herë më pak, por ai bejte i qet edhe vehtes. Në librin e tij “Nelt e poshtë Pazarit” flet për një ngjarje që i ka ndodhur atij. Duke u ul rrugës së shkurtë në Ranë, rrëshqet në vajin e një traktori që kishte sjellur një banori dru për ngrohje. Pati fat dhe nuk u lëndua, por pronari kaloi me sarkazëm dhe kritika për papërgjegjësinë e tij, kurse autori u qesh edhe me vehte siç vijon:

Si gjithmonë rrugës n’kajshi

unë u nisa me shku n’shpi,

vojta rrshqita n’vaj t’traktorit

e pash vejdin n’grykë të vorrit.

Rruga e ngushtë sikur prru

kishin zhgarku nja disa dru,

vojin nuk e paç i mjeri

ishte aksham, sa kishte ra terri.

Kam ba be unë me t’vërtetë

asaj rrugë nuk da t’kalanj ma,

se për pak kam mujt me metë

e mu da prej ksaj dyrnja.
silver korda

Gjithashtu edhe Silver Korda, tashmë i njohur edhe jashtë qytetit tonë, është formuar si bejtexhi duke jetuar dhe punuar në mërgim mbi 30 vjet. Gjeni nga hanko Bejazja nuk e ka lënë rehat. Edhe pse në mërgim ai kultivon bejtet me tematikë nga vendlindja, në këtë mënyrë ai e hek mallin që e ka për vendlindje. Shkruan për Pazarin, për ekologjinë, për Kalanë por edhe për politikë. Politika e brengos dhe me një ironi dhe sarkazëm

qesh ata të cilët kanë qenë dhe janë në pushtet.

Jam Silveri, nipi i Bejazes

i bejtes e i thumit, par edhe i nazes,

ja kam nisë me u marrë me bejte

me nandëdhetë e pestën, një të enjte.

Jena ba dy bejtexhi

i qajmë hallet e Ulqinit,

n’vend t’kokrrave të ullinit

bejte blujmë nën gurë t’mullinit.

Besoj se ky tekst do të zgjojë interesim tek lexuesit dhe tek autorët tjerë të cilët kanë prirje për humor dhe bejte. Bejtet pra, si krijimtari në letërsi, vazhdojnë të krijohen duke e pasurur kështu thesarin tonë popullor.

Përgatiti:
Ismet KARAMANAGA