Padrejtesit e Bashkesis Islame ndaj besimtareve te Anes Malit

March 22, 2013   | Lajmet / Vijesti, Shtypi / Mediji

Bashkësia-Islame-e-Ulqinit.DEKLARATË PËR MEDIA

Me rastin e zgjedhjeve të organeve të Bashkësisë Islame në komunën e Ulqinit, ne myrtovelitë dhe xhemati i 12 xhamive, kemi njoftuar xhematin dhe opinionin, me kronologjinë e problemeve, manipulimet, padrejtësinë dhe diskriminimin ndaj zonës së Anës Malit.
Për argumentet tona nuk kanë dhënë asnjë koment Kryeimami dhe Reisi, sepse mirë e din të vërtetën. Ata shpresojnë se me heshtje për fajet e veta këto probleme do të tejkalohen dhe ne do të pranojmë diskriminimin dhe padrejtësitë. Problemi ekziston, ai nuk mund të mohohet por ai duhet të zgjidhet e kurrsesi të fshehët, se nëse fshehët problemi, ai fryhet edhe më shumë.
Deklarata e Këshillit të Bashkësisë Islame, me datë 15.03.2012, lexuar në emisionin „Kronika e Ulqinit“ në Televizionin Teuta, ku mes të tjerash u tha që zgjedhjet ishin demokratike dhe të lira, dhe që sipas tyre çdo gjë ka shkuar ashtu siç duhet, na shtyn të reagojmë përsëri. Dhunës së tyre si argument dhe të pavërtetave në këtë deklaratë, ne i kundërvihemi me fakte:

  • 1. Më shumë se dy vite anëtarët legjitim të kësaj treve janë përjashtuar nga Këshilli i Bashkësisë Islame, dhe nuk i është lejuar të marrin pjesë në mbledhjet e Këshillit jo legjitim. Kjo erdhi si rezultat i krizës së shkaktuar nga një rrymë monopoliste e Këshillit të Bashkësisë së Ulqinit e cila kishte për qëllim ndarjen e Bashkësisë islame dhe përjashtimin e besimtarëve nga Ana e Malit.
  • 2. Për tejkalimin e krizës, ne kemi kontaktuar dhe i kemi njoftuar me shkresa të ndryshme Këshillin e Bashkësisë Islame – Ulqin dhe Meshihatin e Bashkësisë Islame në Podgoricë.
  • 3. Zgjedhjet janë përshpejtuar dhe janë realizuar për 7 ditë, në kundërshtim me normën e Kushtetutës dhe me Rregulloren për këto zgjedhje, ku parashihen 30 ditë.
  • 4. Zvogëlohet numri i anëtarëve nga 6 anëtarët legjitim që i takojnë Anës Malit në Këshillin Komunal, siç kanë qenë më herët (6 anëtarë), por zvogëlohet në tre anëtarë, pa kurrfarë arsyetimi, shpjegimi dhe pa kritere që duhet të vlejnë për të gjitha zonat ( siç janë për shembull numri i banorëve, numri i xhamive ose xhematëlinjëve).
  • 5. Në Komisionin Zgjedhorë nuk ka pasur asnjë anëtarë të propozuar ose zgjedhur nga kjo trevë.
  • 6. Bartësit jo legjitim të këtij procesi nuk lejuan që kandidatët tonë ti propozojmë dhe as ti zgjedhim ne me vullnetin tonë të lirë.
  • 7. Tërë procesi ishte i dirigjuar dhe jo transparent.
  • 8. Disa imamë janë kërcënuar dhe janë detyruar që të marrin pjesë në votime, kurse disa të tjerë kanë pranuar këtë diskriminim duke lejuar që ta ulin numrin e përfaqësuesve nga 6 në 3 anëtarë.
  • 9. Gjatë procesit zgjedhorë ka pasur kërcënime për shkarkimin nga detyra të disa imamëve dhe myrtovelive.
  • 10. Ata që kanë votuar nuk e kanë pasur pëlqimin e xhematit të tyre, por kanë marrë pjesë personalisht për interesa të tyre personale. Këtë e dëshmon fakti që janë akuzuar nga vet xhemati i tyre se nuk kanë përfaqësuar vullnetin e lirë të shumicës.
  • 11. Gjatë votimit ka pasur po ashtu manipulime, konflikte dhe pakënaqësi mes atyre që kanë marr pjesë në votime. Ka pasur fletë votime më shumë se votues, ku disa imamë dhe xhematli kanë votuar nga 2 herë. Për këto arsye NE nuk i pranojmë tre “përfaqësuesit” që e “përfaqësojnë” Anën e Malit.
  • 12. Gjatë votimit ka pas incidente, ashtu siç ka pasur edhe ditën kur përfaqësuesit e Meshihatit kanë mbajtur takimin parazgjedhor me Imamët dhe Myrtovelit e xhamive të Anës Malit, me datë 27 Shkurt 2013. Për të gjitha këto kemi incizimet dhe dëshmitarë.

Ata që kanë pranuar këtë diskriminim dhe që kanë votuar këtë padrejtësi, sot na akuzojnë neve që kërkojmë drejtësi dhe dinjitet, sikur ne jemi për ndarje duke na etiketuar dhe kërcënuar.

Me këtë deklaratë shprehim pa kënaqësinë tonë për ngjarjet e tre viteve të fundit në Bashkësinë Islame kur i gjithë komuniteti islam i kësaj zone ka qenë i përjashtuar nga Këshilli dhe shprehim qëndrimin tonë kundër ndarjes së Bashkësisë Islame.
Nuk pranojmë vendimin e Këshillit të Bashkësisë Islame për zvogëlimin e përfaqësuesve nga Ana e Malit, prej 6 (gjashtë) në 3 (tre) anëtarë në Këshillin e Bashkësisë Islame në Ulqin, sidomos kur ky zvogëlim na është imponuar dhe është bërë pa shpjegim dhe pa kritere.

Nënshkruesit e kësaj deklarate:

1. Xhamia e Brajshes, Kryetari: Vesel Lleshi
2. Xhamia e Sukubines, Kryetari: Bilal Kurti
3. Xhamia e Shtodrit, Kryetari: Dul Osmani
4. Xhamia e Selites, Kryetari: Sejdo Astafa
5. Xhamia e Kravarit Nalt, Kryetari: Naim Demiri
6. Xhamia e Klleznes, Kryetari: Samir Kurti
7. Xhamia e Bojkut, Kryetari: Dyl Smajli
8. Xhamia e Rashtish Posht, Kryetari: Ramadan Xhurreta
9. Xhamia e Kravarit Posht, Kryetari: Xhemal Zeneli