Reshjet e shiut përkeqësojnë situatën në zonat e Nënshkodrës – Video

March 27, 2013   | Bota

perbytjet ne shkoderReshjet e dendura që kanë rënë gjatë dy ditëve të fundit kanë përkeqësuar situatën e përmbytjeve në Qarkun e Shkodrës.

Krahas problemeve që ekzistonin, si përmbytje të sipërfaqeve të mëdha të tokave bujqësore, izolimi i banesave etj., situata është përkeqësuar edhe në qarkullimin e automjeteve. Sipas informacioneve nga qarku, problematike është situata në akset rrugore, Shkodër-Dajç, Shkodër-Obot dhe Shkodër-Velipojë.

Niveli i ujit në komunat Obot dhe Dajç ka arritur deri në 80 cm, ndërsa 310 banesa janë të izoluara dhe 4100 ha tokë janë nën ujë.

Situata paraqitet më problematike në fshatin Obot, ku qarkullimi me automjete në këtë zonë është bërë i rrezikshëm ose i pa mundur për shkak të rritjes së nivelit të ujit, megjithatë qarkullimi i banorëve të fshatit realizohet me makina të larta, apo me varka.

 

Për të shkuar në komunën e Velipojës, apo në fshatin Dajç, duhet të kalosh nga segmenti rrugorë i Torovicës, sepse kalimi tek ura e “Dedë Gjo Lulit” është tepër i rrezikshëm.

Niveli i HEC-eve ka arritur pikën kritike, megjithëse hidrocentrali i Vau-Dejës punon me kapacitete të plota, pra me të katër turbinat, nga ana tjetër pritet edhe hapja e portave nëse reshjet do vazhdojnë, në ditët në vijim. Hapja e portave do të shkaktonte një gjendje kritike për banorët e zonave të Nën-Shkodrës, si dhe do të zgjeronte hartën e përmbytjeve me dy komuna të tjera, atë të Bushatit dhe të Bërdicës. Një gjë e tillë do ta përkeqësonte gjendjen duke çuar drejt një katastrofe sociale.

Nga ana tjetër, liqeni i Shkodrës ka arritur nivelet maksimale të tij, madje dy ditë më parë niveli i tij, ka dalë në vende të caktuara përgjatë segmentit  Shirokë-Zogaj. Rritja e nivelit të Bunës ka shkaktuar edhe përmbytjen e disa lagjeve të qytetit pranë sajë.

Bajpasi i Shkodrës i cili pritej të pengonte përmbytjet e mundshme të qytetit sipas burimeve, nuk është funksional.

Banorët tashmë përballen për të disatin vit radhazi me një situatë të tillë përmbytjesh, gjë e cila ka vështirësuar së tepërmi rrekjet e tyre për mbijetesë,  po të kemi parasysh se, ato ende nuk kanë marrë dëmshpërblimet e përmbytjeve të vitit të kaluar.

Dëmet që ka shkaktuar përmbytja janë në shifra të mëdha si në orendi shtëpiake, apo edhe në gjënë e gjallë me të cilën mbajnë frymën këta banorë; mjafton të përmendim jetën e shkurtër që do të kenë ato banesa të përmbytura për disa vite radhazi.

Banorët e këtyre zonave tashmë kërkojnë ndihmë nga pushteti lokal apo qendrorë, i cili duket se do t i lërë në mëshirë të Zotit, apo natyrës.

Në një krizë ekonomike dhe në një kalvar përmbytjesh të përsëritura duket se, banorët e këtyre fshatrave do të zhyten në mjerim social.

/Shekulli Online/ Përgatiti: N.M/
YouTube Preview Image