Emir Dervishi nga “Albulena”, kampion i Malit të Zi

April 1, 2013   | Sporti / Sport

Emir Dervishi - klub -Albulena, kampion i Malit të ZiTë shtunën në Budvë është mbajtur Kupa e Malit të Zi në kik boks dhe Turneu Memorial “Semir Usenagiq”. Në hapje të tij i është bërë homazh Semir Usenagiqit, njërit prej kik boksierëve dhe mjeshtërve më të mirë të arteve luftarake jo vetëm në Mal të Zi, por edhe në ish-Jugosllavi, i vrarë në vitin 2001 në Podgoricë. Me këtë rast është shfaqur filmi dokumentar kushtuar atij. Klubi i Kik Boksit “Albulena” nga Ulqini është përfaqësuar nga pesë garues, të cilët kanë fituar një medalje të artë, tri medalje të argjendta dhe një medalje të bronztë.
Emir Dervishi - klub -Albulena, kampion i Malit të Zi.1

Garuesi më i suksesshëm nga radhët e “Albulenës” ka qenë Emir Dervishi në kategorinë -81kg, disiplina lou kik, i cili ka fituar medaljen e artë duke u shpallur kampion i Malit të Zi. Ai ka arritur që të fitojë kundërshtarin e tij nga klubi “Ariston” pas ndërprerjes së meçit që në raundin e parë.
Klubi i Kik Boksit Albulena Ulqin
Drejtuesit e Klubit “Albulena” theksojnë se me këtë fitore Dervishi, i cili kohës së fundit ka shfaqur rënie evidente të formës, ka treguar se është rikthyer në ditët e tij më të mira. Ata madje shpresojnë se ai shumë shpejt do të veshi sërish fanelën e Përfaqësueses së Malit të Zi, por tashmë në një kategori më lart. Me medalje të argjendta nga klubi “Albulena” janë kurorëzuar Ahmet Haxhimehmedoviqi, Armend Nimanbegu dhe Beqir Lika. Edhe pse ka punuar mirë, Haxhimehmedoviqi ka humbur me pikë nga kundërshtari i tij nga klubi “Univerzum” Rozhajë, i cili është fitues i vendit të tretë në botë. Medaljen e vetme të bronztë për “Albulenën” e ka fituar Ismail Ismaili, i cili ka humbur nga Remzija Daciq, garues me shumë përvojë nga “Ariston”-i i Podgoricës.

Sipas trajnerëve të “Albulenës”, Zeqir Tafa dhe Agron Ujkashi, Ismaili ka zhvilluar një meç të mirë dhe është dashur ta fitojë atë, por referët kanë qenë në anën e Daciqit, për shkak se ai është përfaqësues i Malit të Zi dhe fitues i disa medaljeve në nivel ndërkombëtar. Gara e ardhshme ku do të marrin pjesë kikboksierët e Klubit “Albulena” do të mbahet në muajin maj në Cetinë, kurse në fillim të qershorit “Albulena” do të jetë organizator i “Montenegro Golden Glove 2013” në Ulqin.

 

i.k. 
Koha Javore