Sinishtaj: Votuesit Shqipëtar me 7 prillë 2013, ta bëjmë të pavlefshëm

April 3, 2013   | Politika, Rajoni / Region

VASEL-SINISHTAJTë nderuarë votues Shqipëtar!

Jemi në pragun e zgjedhjeve presidenciale në të cilat asnjëri prej kandidatëve nuk e meriton votën tonë.

Ne jetojmë dhe veprojmë në shtetin e Malit të Zi më teper se 100 vite por ende se kemi arritur shansin, mundësinë por as barazinë me të tjerët.

Ende Malësia mbetet pa komunë të premtuar më se 20 vite. Shqipëtarët ende të diskriminuar, të papunë, të shpërngulur, me procese të montuara gjygjësore, me ligje diskriminuese të nënshkruara dhe të shpallura nga vet kryetari i shtetit, me privatizime të dyshimta, duke na i marr pronat tona fisnore, derisa pronat e të tjerëve u kthyen pronat tona bëhen shtetërore. Nga ky pushtet, sipas nevojave ditore të tyre, projektohen, madje mjerisht edhe po realizohen incidente të cilat ndër Shqipëtar nuk kanë ndodhur kurrë.

Kandidati për president i cili nga posti që po ushtron kushtëzoi Kosovën me njohjen e pakicës Malazeze i harroi të drejtat elementare njerëzore dhe qytetare të afro 40 mijë Shqiptarëve në Mal te Zi . Këto janë vetëm disa arsye që kandidati i PDS-së nuk e meriton votën e Shqipëtarëve.

Në anën tjeter, as opozita deri më sot nuk ngriti dorën as zërin për mbrojtjen e të drejtave tona, madje as për ato të drejta që i gëzonim në bashkësinë Serbo-Malazeze.

Këto, sipas nesh janë arsyet që na imponuan të ftojmë bashkëkombasit me të drejt vote në Mal te Zi, të cilët ndajnë qëndrimin tonë, se parimet kombëtare mos ti zëvendësojmë dhe ti shesim për pozita dhe funksione politike ditore, por ditën e Dielë me 7 prillë të dalin në zgjedhje dhe tu tregojmë pushtetmbajtësve por edhe të tjerëve se ne Shqipëtarët nuk jemi të kënaqur me pozitën tonë në shtetin ku jetojmë.

Andaj i ftojmë të gjithë votuesit Shqipëtar që në një apo mënyren tjetër fletëvotimin me 7 prillë 2013, ta bëjmë të pavlefshëm. Në këtë mënyrë të tregojmë revoltin tonë ndajë mospërfilljes dhe mosrealizimit të kërkesave tona legjitime, por edhe evitimit të mundësisë së manipulimit të votës sonë.

 

Për Iniciativën Qytetare
Vasel Sinishtaj