Video nga Ekspozita e fotografive te fotografit Dan Xhurretes

April 4, 2013   | Kulturë / Kultura

ekspozita dan xhureta

Ekspozita e fotografive të fotografit të parë nga Ana e Malit.
Sprovë e pare për portretizimin e një fotografi
Fotografia si dokument, pa dyshim na imponohet si burim i vlerave të shumta shumë të rëndësishme, pa marrë parasysh kufizimet e kuptueshme që i mbart me vete.Nga ana tjetër fotografia nuk përmban vetëm vlerat dokumentare nga regjistrimi i ngjarjeve apo rrethanave në të cilat është krijuar ajo.Detaji, forma, kontrasti, motivi, kompozicioni, lëvizjet, përbëjnë vlerat themelore të fotografisë dhe e bëjnë atë të përafërt apo edhe pjesë të arteve pamore.E pandarë nga ambienti, individi dhe ngjarja e fiksuar, fotografia paraqet një udhëtim vizual të llojit të vet, nëpër kohë dhe hapësirë.
Duke u nisur nga ky konstatim, mund të thuhet se kjo ekspozitë, në kuptimin e plotë të fjalës, vjen si një “Arte fact”nga një autor profesionist i kohës.Fatkeqësisht fotografive u mungon data dhe legjenda për të pasur të plotë edhe vleren dokumentare, për t’u bërë pasqyrë e vërtetë e së kaluarës apo dëshmitar i kohës.Dhe këtë mund ta marrim si mangësi të vetme të kësaj ekspozite.Megjithatë, bashkimi i vlerave sadopak dokumentare dhe artistike të shprehura në këtë përzgjedhje i ofrojnë publikut mundësinë e konstruktimit të identitetit, qoftë të atij krijues të autorit, qoftë të individit, qoftë të një indentiteti më të gjërë, të atij shoqëror.
Fotografi Xhurreta, duke ndjekur në mënyrë të pavetëdishme kodekset, t’i quajmë qytetare, të kohës, bën regjistrimin e fakteve të kohës kur ai vepron me aparatin e tij fotografik, për të na ofruar një mbamendje të vënë mes kornizave.Ai këtë e kuptonte si privilegj të tijin, dhe siç mbajmë mend me këtë mburrej, si pak kush, duke kuptuar se fotografia në atë kohë ishte vetëm privilegj i qytetit.Nëse sociologu Luis Virt qytetin e definon si gjurmë të shoqërisë ndër kohë, atëherë fotografinë mund ta përjetojmë si një ndër reflektimet më besnike të shoqërisë në një kohë e cila nëpërmjet saj arrin deri tek ne.
Se Xhurreta ka individualitetin e vet të fotografimit dëshmojnë fotografitë që i ka fiksuar në bazë të përzgjedhjeve të vetë vullnetit të tij, për t’i pasur si dokument të kohës, apo për të krijuar kryekëput një vlerë artistike, e që nuk kanë karakter komercial, siç janë p.sh.peisazhet panoramike, por edhe disa nga portretet karakteristike, si edhe fotografitë familjare.
Me rastin e përzgjedhjeve të fotografive nga fondi i mbetur, kemi pasur parasysh që fotografia, pak a shumë, të ilustrojë kohën, për të dhënë vlerat dokumentare, por në përzgjedhjen përfundimtare theksi kryesor është vënë mbi vlerat artistike të imazheve.Fatkeqësisht, ne sot nuk e kemi pjesën më të madhe të fotografive nga opusi i tij, sepse sipas deklaratave të familjarëve të tij, pjesën më të madhe i ka zhdukur, sigurisht në momente të tensioneve socio-politike dhe shpirtërore(ashtu siç ka ndodhur me shumë artistë të vërtetë dhe me famë).
Me përzgjedhjen e dyzet e një fotografive nga fondi i përgjithshëm që kanë mbetur dhe duke mos i ndarë në cikle strikte, jemi përpjekur që sadopak të prezantojmë të kaluarën vizuale të Anës së Malit, Krajës e më gjërë, duke e shikuar fotografinë si dokument ti së kaluarës por edhe si vepër artistike.
Qëllimi i kësaj ekspozite duhet shikuar si hap i parë për një lexim dhe vlerësim tjetër, më gjithëpërfshirës i gjithë opusit të fotografit Xhurreta.
Sido që të jetë, një veprimtari e këtillë e O.J.Q”Labeatet”, për të nxjerrë në dritë fillet e cilësdo veprimtari qoftë ajo artistike apo aruzanale, duhet përgëzuar.Andaj edhe prezantimi i fotografive të autorit të parë të fotografisë në Anë të Malit, pasuron vlerat artistike e kulturore të kësaj treve.Dhe në fund fare, mendoj se kjo ekspozitë e meriton vendin e përhershëm në ndonjë objekt kulturor apo muzeor në qendrën e Anës së Malit.
Ju falemnderit!
Qazim Muja, prof.
Mars, 2013.

Pjesa e I
Për më shumë Foto Flower Avdiu Facebook

Nga  Flower Avdiu Facebook



Pjesa e II