Mjeshtër i artit fotografik Dan Xhurreta

April 11, 2013   | Kulturë / Kultura

Dan XhurretaDan Xhurreta, fotografi i parë në Anë të Malit

 

Mjeshtër i artit fotografik

 

 Gjekë Gjonaj

 

Në shekullin e kaluar  fotografia tek shqiptarët në Malin e Zi ka qenë shumë pak e zhvilluar, e favorizuar dhe  tej mase e nënvlerësuar, gjë që është për të ardhur keq, edhe pse  vendbanimet autoktone shqiptare kanë patur nevojë  që përmes objektivit të prezantohen në tregun e brendshëm dhe të jashtëm.  Kjo ka ndodhur ndër të tjera   edhe në mungesë të vetëdijësimit të  shqiptarëve sa i përket fotografisë si pjesë shumë e rëndësishme e artit dhe kulturës në përgjithësi.

Njohja me fotografin

Në vitin 1993 gjatë një ekspedite në Anë të Malit  si gazetar-reporter i Radiotelevizionit të Malit të Zi, u njoha me   Dan Xhurretën( 1921) , fotografin e parë  nga kjo trevë. Në takimin e parë me këtë mjeshtër të artit të fotografisë i premtova se do të përgatis një reportazhë, për  emisionin në gjuhën shqipe asohere shumë të ndjekur  nga shqiptarët  “ Kronika e javës” në RTV e Malit të Zi,   të cilën e realizova dy javë më vonë.  Nga biseda që zhvillova me të  në studion e vogël në shtëpinë e tij në Katërkollë  mësova   se që kur ka qenë fëmijë i vogël gjithmonë e  ka pasur një kuriozitet të madh  në lidhje me fotografinë dhe gjithmonë  është rritur në shoqërimin me  aparatët fotografikë bardhë e zi.  Dani më patë thënë se  këtë zanat e ka mësuar nga fotografi i njohur tivaras Bozho Martinoviq, i cili aq e ka vlerësuar   vullnetin , ambicien  e tij për të qenë fotograf sa  gjithmonë fliste me respekt të madh si njeri dhe mjeshtër i fotogarfisë, duke  i ofruar me kënaqësi punë.  Derisa bisedonim në këmbë në mur  qëndronte e  varur  Çertifikata e punës në të cilën shkruante:  “Sekretariati për veprimtari shoqërore i Komunës së Tivarit   me datë 21 maj 1969 i jepë  Çertifikatën  mbi dhënien e provimit për fotograf me të cilën vërtetohet përgatitja profesionale për ushtrimin e veprimtarisë së zanatit të  fotografit ”, firmosur nga Svetozar Gjuroviq.

Fillimet e tij në fotografi

Ishte kënaqësi ta dëgjosh  me sa dashuri e emocion  flet për fillimet e tij në këtë profesion .    Fillimisht fotografinë  e ka pasur vetëm pasion, kur ka bërë fotografi të shumta të natyrës, veçanarisht të bjeshkëve dhe maleve gjatë perëndimit të diellit dhe natën kur kishte vetëtima mbi kodrat e nalta të Anës së Malit dhe Krajës, liqenin e Shkodrës, qiellin dhe retë e bukura  ku shpesh i dukej se gjenë edhe figura të ndryshme në to, të cilat vërtetë ju japin një ndjenjë fantazie  dhe   objekteve të ndryshme . Ai me  aparatin e tij fotografik regjsitroi   shumë pamje nga jeta  kryesisht e fshatit,por edhe qytetit, pejzazhe dhe aspekte të  tjara nga jeta në të gjitha fshtarat e Anës së Malit dhe Krajës.Ky fotograf i zoti me aparatin e tij ka fiksuar edhe   njerëz të zakonshëm të kohës ,  burra , gra e vajza  me kostume kombëtare . Ai që atëherë e ka parë që fotografia tashmë i është bërë një shprehi që nuk  mund të shkëputet  prej saj.  Vendosi që dashurinë dhe pasionin që ka patur për këtë punë ta mësojë  nga fotografë profesionist, duke e kthyer atë në profesion.  Besonte se ishte i varur  prej fotografisë. Nuk e imagjinonte veten  një ditë pa bërë disa fotografi ose pa bërë diçka rreth fotografisë. Ai  me entuziazmin e një artisti të ri  me fantazi të begatë u bë mjeshtër në fushën e teknikave të vjetra   të fotografimit bardhë e  zi. Falë inteligjencës natyrore dhe shpirtit praktik  arriti  të realizojë gjithë ciklin e realizimit të fotografisë , që nga fotografimi, zhvillimi i filmave e deri tek stampimi dhe larja e fotografive.

Besimi në popull

Cilësitë e tij, si pasioni, vullneti , këmbëngulja dhe korrektesa ia rritën dita ditës vlerat si fotograf. Ai lëvizte fshat në fshat  në këmbë për ditë të tëra për t’u shpërndarë fotografitë në afatin e caktuar, gjithmonë me çmim të arsyeshëm. Me këto raste bënte filmime të tjera . Është kjo arsyeja, që së bashku me cilësinë e admirueshme të fotografisë e mjeshtrinë e fotografimit, ia shtuan besimi në popull e për rrjedhojë edhe klientët e tij.  Me fotot e tij , me  raportin njerëzor  ndaj  bashkëvendasve  dhe bashkëkombasve    u bë  jo vetëm i shumë i njohur  në trevat  e përmendura , por edhe i dashur , i preferuar , i nderuar dhe i respektuar nga klientët e shumtë.  Në  saje të vullnetit dhe këmbënguljes së tij  në vitet në vazhdim arriti të krijoj raporte miqësore me klientët. Për ta gjatë gjithë  jetës fliste me respekt të madh. Profesionit të   fotografit në të cilin qe dashuruar nuk iu nda deri  sa ndërroi jetë në vitin 2008.

Ekspozita e fotografive

Dan Xhurreta gjatë karrierës së tij të gjatë si fotograf  për fat tëkeq nuk  arriti të  ruajë arkivin e tij të pasur  të fotografive e as të hapë ndonjë ekspozitë vetanake. Këtë boshllëk  në një mënyrë e plotësoi kryetarja e shoqatës “ Labeatët” Luljeta Avdiu Cura, e cila  tetë vjet pas vdekjes së Xhurretës   arriti   nga arkivi i familjes  së tij të ekspozojë afro dyzet fotografi me peizazhe nga Ana e Malit dhe Kraja, foto familjare  dhe nga aktivitete të ndryshme.  Ekspozitën e mbështetën djali i fotografit Xheladin Xhurreta, drejtoresha e NP “  Veprimtari Komunale” , Zana Sravan dhe kryetari i Shoqatës Shqiptaro-Amerikane  “ Ana e Malit” në Nju-Jork, Ismet Kurti.

Të gjithë personat që e bënë të mundshme  këtë ekspozitë  sinqerisht i përgëzoj për kontrtibutin e dhënë, shpesh të munguar te ne shqiptarët, në afrimimin e kulturës sonë materiale e shpirtërore   dhe trashëgimisë sonë kulturore. Ata me këtë veprim të kulturuar   treguan   se e njohin dhe e duan këtë “ botë “ magjike të   artit fotografik.  Sepse treguan se janë  të vetëdijshëm se një fotografi flet më shumë se shkrimi dhe se kur mungon fotografia shkrimi është i “ thatë”, pa shije.