Biblioteka Popullore e Ulqinit: Anëtarësim falas me rastin e ditës botërore të librit

April 21, 2013   | Kulturë / Kultura

Dita-Botërore-e-Librit-Biblioteka-Popullore-e-Ulqinit-OfronMe rastin e 23 prillit, Ditës Botërore të Librit, Biblioteka Popullore e Ulqinit u ofron të gjithë të interesuarve anëtarësim njëvjeçar falas. Anëtarësimi pa pagesë do të bëhet të martën, më 23 prill, gjatë tërë ditës nga ora 8 deri në 18, në lokalet e Bibliotekës. Anëtarët e vjetër munden në këtë mënyrë të vazhdojnë anëtarësimin e vet edhe për një vit pa pagesë.
Është viti i dytë që Biblioteka po ndërmerr një aksion të tillë, i cili ka për qëllim jo vetëm shënimin e kësaj date të rëndësishme për letërsinë botërore, por në radhë të parë promovimin e librit dhe të leximit në përgjithësi.
Edhe pse Biblioteka e Ulqinit kohëve të fundit po përballet me probleme të shumta, ajo në asnjë moment nuk i ka mbyllur dyert e veta për lexuesit e saj besnikë. Situata e shkaktuar nga dëmet nga uji i cili ka depërtuar nga çatia, e ka vështirësuar shumë procesin normal të punës, por falë përkushtimit të pashoq dhe profesionalizmit të të punësuarve të saj, i tërë materiali bibliotekar dhe inventari është shpëtuar që të mos dëmtohet, ndërsa lexuesve u është ofruar shërbim i plotë.
Me këtë aksion po ashtu dëshirojmë të kthejmë vëmendjen e opinionit kah biblioteka si institucion me rëndësi i kulturës, pa të cilin nuk mund të paramendohet një shoqëri e civilizuar.
Biblioteka e Ulqinit, që nga themelimi i saj 130 vite më parë, ka qenë vendi ku është mbledhur, përpunuar, ruajtur dhe dhënë në përdorim tërë kjo trashëgimi letrare, shkencore, historike e kulturore, e cila sot gjendet në raftet e saj. Që edhe në të ardhmen të vazhdojë të kryejë me sukses veprimtarinë bibliotekare-informative dhe të ruajë këtë thesar të çmuar kulturor për gjeneratat që vijnë, ajo ka nevojë jo vetëm për përkrahjen e gjithë shoqërisë, por për përkrahjen e çdo individi në veçanti.
Mos të harrojmë fuqinë e librit – ai është burim i diturisë, inspirimit, fantazisë, besimit dhe vlerave të mirëfillta njerëzore.

Ardita Rama
Udhëheqëse e Bibliotekës Popullore Ulqin