Ali Ulqinaku, atdhetari që kontribuoi për shqipen

May 1, 2013   | Kulturë / Kultura

Ali Ulqinaku, atdhetari që kontribuoi për shqipen“Rëndësia e Ali Ulqinakut në zhvillimin e alfabetit të gjuhës shqipe”, ishte tema e tryezës së organizuar nga Muzeu i alfabetit

 

Me rastin e 100 vjetorit të vdekjes së rilindësit Hafiz Ali Ulqinaku (1853-1913), Muzeu i Alfabetit në Manastir, organizoi tryezën shkencore me temë “Rëndësia e Ali Ulqinakut në zhvillimin e alfabetit të gjuhës shqipe”. Me kumtesa u paraqitën studiues nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve-Shkup (ITSHKSH), Universiteti Shtetëror i Tetovës dhe nga Shoqata e Historianëve Shqiptarë të Maqedonisë.

Drejtori i këtij muzeu, Gazmend Hoxhaj, tha se roli i Hafiz Ali Ulqinakut ka qenë tepër i madh për konsolidimin e alfabetit të gjuhës shqipe në të gjitha aspektet, andaj ky muze me pietet do ta kujtojë jetën dhe veprën e këtij rilindësi të madh.

Drejtori i ITSHKSH, Dr.Shefqet Zekolli, në kumtesë e tij theksoi se Hafiz Ali Ulqinaku është një nga figurat më të ndritura të Rilindjes Kombëtare  Shqiptare,  i cili veprimtarinë e tij e ka shtirë në arsim, kulturë, gjuhësi dhe leksikografi, ku ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm.

Dr.Nebi Dervishi nga USHT, paraqiti kumtesën me titull “Figura e Hafiz Ali Ulqinakut”, duke theksuar se Ulqinaku i takon plejadës së atdhetarëve shqiptarë që kontribuoi në të gjitha fushat e arsimit dhe kulturës shqiptare, por kur qe nevoja edhe me armë, duke qenë një nga eksponentët kryesorë të Lidhjes së Prizrenit.

Mr.Skender Asani, kryetar i SHHSHM-së, referoi për rolin kombëtar të Hafiz Ali Ulqinakut, i cili përkon me dy nga ngjarjet më të mëdha në historinë tonë kombëtare, Lidhjen e Prizrenit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë. Lidhja e Prizrenit identifikohet edhe me rezistencën ushtarake të shqiptarëve të Malit të Zi, dhe kontributin e jashtëzakonshëm të degës më aktive të saj në Ulqin, e cila drejtohej nga Hafiz Ali Ulqinaku.

Historiani Arben Sulejmani, në kumtesën e tij theksoi u ndal në temën e ndikimit të Ali Ulqinakut si një fetar, i clii gjatë jetës dhe veprës së tij, në asnjë çast nuk i ndau aspektin kulturor-arsimor e kombëtarë.

Ndërsa, studiuesi Dr.Zekerija Ibrahimi, u shpreh se duke qenë në 160-vjetorin e lindjes dhe në 100-vjetorin e vdekjes së tij, jemi të mendimit se ka ardhur koha që vepra e tij të vihet në piedestal të kulturës shqiptare, aty ku në fakt e ka vendin e merituar.

Ky projekt i Muzeut të Alfabetit të gjuhës shqipe në Manastir, është mbështetur nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë.

Gazeta Lajm